Shkruan: Izmi Zeka – FAMILJA SADIKU E GJYRISHECIT NË HISTORINË E STREHIMIT TË MULLA IDRIZ GJILANIT
Historia e familjes Sadiku të Gjyrishecit dhe strehimi i Mulla Idriz Gjilanit përbëjnë një kapitull të veçantë të qëndresës shqiptare në periudhën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Kjo histori dëshmon se qëndresa nuk u zhvillua vetëm përmes veprimtarisë së organizuar politike e ushtarake, por edhe përmes mbështetjes së popullsisë, e cila, në rrethana të vështira, mori përsipër përgjegjësi të mëdha për mbrojtjen e njerëzve të ndjekur nga pushteti.

Shkruan: Izmi Zeka

Pas vendosjes së pushtetit jugosllav në Kosovë, Mulla Idriz Gjilani vazhdoi veprimtarinë e tij në ilegalitet. Për organet e sigurimit të shtetit Jugosllav, ai ishte njëri ndër personat më të kërkuar, për shkak të rolit të tij në rezistencën shqiptare.
Në këto rrethana, strehimi i tij nuk ishte një veprim i zakonshëm, por një vendim që përfshinte rrezik të vazhdueshëm për të gjithë ata që e ndihmonin. Familja Sadiku e Gjyrishecit nga Kamenica e mori përsipër këtë përgjegjësi me vetëdije. Nga marsi i vitit 1945 deri në nëntor të vitit 1949, shtëpia e saj u bë vendstrehim për Mulla Idriz Gjilanin.
Për gati pesë vjet, familjarët e trajtuan dhe e mbrojtën si pjesëtar të shtëpisë së tyre, duke e lidhur fatin e familjes me fatin e një veprimtari që ndiqej nga aparati I dhunshëm shtetëror. Kjo marrëdhënie nuk mund të kuptohet vetëm si një akt mikpritjeje.
Ajo mbështetej në besimin e ndërsjellë, në përkatësinë kombëtare dhe në bindjen se mbrojtja e një njeriu të përkushtuar ndaj çështjes shqiptare ishte përgjegjësi që tejkalonte interesin personal. Për këtë arsye, historia e familjes Sadiku dhe ajo e Mulla Idriz Gjilanit duhen trajtuar si pjesë të së njëjtës përvojë historike.
Studimi mbështetet në dokumente të publikuara, dëshmi familjare dhe hulumtime historike. Këto burime nuk kanë të gjitha të njëjtën natyrë dhe peshë dokumentare. Prandaj, rrëfimet e dëshmitarëve, dokumentet e organeve të pushtetit jugosllav dhe interpretimet e studiuesve duhen shqyrtuar në raport me njëri-tjetrin, duke ruajtur dallimin ndërmjet asaj që dëshmohet drejtpërdrejt dhe asaj që rindërtohet përmes hulumtimit.
1. Rrethanat historike dhe vendosja e Mulla Idrizit në Gjyrishec
Periudha pas vitit 1945 u karakterizua nga vendosja dhe konsolidimi i pushtetit jugosllav, si dhe nga ndjekja e personave që kishin marrë pjesë në rezistencën shqiptare ose që konsideroheshin kundërshtarë të rendit të ri politik.
Në këtë kontekst, veprimtarët që vazhdonin kundërshtimin ndaj pushtetit Jugosllav-Serb u detyruan të kalonin në ilegalitet, duke u mbështetur në rrjetet e besimit dhe të solidaritetit të krijuara në popullsi.
Mulla Idriz Gjilani ishte ndër figurat e njohura të rezistencës shqiptare në Anamoravë. Pas përfundimit të lufës së dytë Botërore dhe vendosjes së pushtetit jugosllav, ai nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij për bashkimin me Shqipëri, por vazhdoi të mbante lidhje me njerëz dhe rrethe që kundërshtonin pushtetin e ri. Kjo e vendosi në shënjestër të organeve të sigurimit Jugosllav e brenda ti ati Serb dhe e bëri të domosdoshëm ndryshimin e vazhdueshëm të vendeve të qëndrimit të Mulla Idriz Gjilanit.
Në këto rrethana, ai u strehua fillimisht në Tugjec dhe më pas te familja Sadiku në Gjyrishec. Vendosja e tij në këtë familje shënoi fillimin e një periudhe të gjatë bashkëjetese dhe bashkëpunimi, gjatë së cilës familja u bë pjesë e drejtpërdrejtë e historisë së tij.
Gjyrisheci nuk ishte vetëm një vend gjeografik ku Mulla Idrizi gjeti strehë. Ai u bë një hapësirë ku u ndërthurën veprimtaria e tij në ilegalitet, mbështetja e familjes Sadiku dhe përpjekja për të ruajtur lidhjet me rrethin e rezistencës. Kjo e vendosi familjen përballë një përgjegjësie që kërkonte kujdes të vazhdueshëm, besnikëri dhe gatishmëri për t’i përballuar pasojat e mundshme.
2. Familja Sadiku dhe përgjegjësia e strehimit
Familja Sadiku e Gjyrishecit, me vëllezërit Sylë, Salih, Rrahim, Ramiz dhe Avdi Sadiku, mori përsipër strehimin e Mulla Idriz Gjilanit në një periudhë kur zbulimi i vendndodhjes së tij mund të sillte pasoja të rënda për të gjithë familjarët.
Përgjegjësia nuk kufizohej vetëm te sigurimi i një vendi ku ai mund të qëndronte. Ajo përfshinte mbrojtjen e tij, ruajtjen e fshehtësisë dhe përballimin e rrezikut që shoqëronte praninë e një personi të kërkuar nga organet e sigurimit Jugosllav.
Strehimi i Mulla Idrizit nuk ishte një veprim i rastësishëm dhe as një vendim i marrë vetëm për arsye mikpritjeje. Familja e pranoi atë duke e kuptuar rëndësinë e veprimtarisë së tij dhe pasojat që mund të kishte ndihma ndaj tij. Kjo zgjedhje dëshmon se lidhja e tyre mbështetej në një ideal të përbashkët kombëtar dhe në besimin se mbrojtja e tij ishte një detyrë që duhej përmbushur edhe kur rrezikohej jeta. Për gati pesë vjet, familja e mbajti këtë përgjegjësi në kushte të vështira.
Mulla Idrizi nuk ishte thjesht një person që fshihej përkohësisht në shtëpinë e tyre; ai u bë pjesë e jetës së familjes. Përkujdesja ndaj tij, ruajtja e vendstrehimit dhe përpjekja për ta mbrojtur nga zbulimi kërkonin organizim të brendshëm, maturi dhe besim të ndërsjellë.
Rëndësia e familjes Sadiku qëndron pikërisht në këtë qëndrueshmëri. Në një periudhë kur ndihma ndaj tij mund të sillte burgosje, tortura dhe humbje jete, familja nuk e trajtoi strehimin si një detyrim të përkohshëm, por si një përgjegjësi që lidhej me bindjet dhe idealin e saj kombëtar. Kjo e bën përvojën e saj një dëshmi të rëndësishme të rolit që familjet shqiptare luajtën në mbështetjen e rezistencës.
3. Shtëpia e familjes Sadiku si vendstrehim
Shtëpia e familjes Sadiku në Gjyrishec ishte hapësira kryesore e strehimit të Mulla Idriz Gjilanit gjatë viteve 1945–1949. Në kushtet e ilegalitetit, shtëpia mori një funksion që tejkalonte jetën e zakonshme familjare. Ajo u bë vend ku sigurohej mbrojtja e një njeriu të ndjekur, por edhe hapësirë ku familjarët duhej të ruanin vazhdimisht fshehtësinë e pranisë së tij.
Një vendstrehim i tillë kërkonte më shumë sesa një hapësirë fizike. Ai kërkonte besim, koordinim ndërmjet pjesëtarëve të familjes dhe aftësi për të mos tërhequr vëmendjen e pushtetit. Çdo pakujdesi mund të kishte pasoja për Mulla Idrizin dhe për të gjithë ata që e strehonin. Prania e tij për një periudhë kaq të gjatë dëshmon se familja Sadiku kishte krijuar kushtet për ta mbrojtur dhe për ta trajtuar si pjesëtar të saj.
Në këtë mënyrë, shtëpia u shndërrua në një pikë të rëndësishme të historisë së tij në ilegalitet dhe në një dëshmi të rolit që mjedisi familjar mund të luante në mbijetesën e rezistencës. Rëndësia historike e kësaj shtëpie nuk lidhet vetëm me ngjarjet që ndodhën brenda saj.
Fati i shtëpisë dhe i familjarëve u lidh drejtpërdrejt me fundin e periudhës së strehimit, kur aparati shtetrorë ndërhyri por familja qëndroi edhe në momentet kur jeta e tyre rrezikohet në shkatrrim të përgjithshëm.
4. Nënëmadhja Zarife Sadiku dhe roli i grave të familjes
Në historinë e strehimit të Mulla Idriz Gjilanit, një vend të veçantë zë Nënëmadhja Zarife Sadiku. Roli i saj nuk mund të kufizohet në kujdesin familjar. Ajo përfaqësonte një qëndrim të vetëdijshëm ndaj rrezikut dhe një përkushtim që buronte nga bindja se mbrojtja e Mulla Idrizit ishte pjesë e detyrës ndaj atdheut.
Dëshmitë e publikuara nga Sabile Keçmezi-Basha e paraqesin Zarifen si një grua që e kuptonte peshën e situatës dhe që ishte e gatshme të përballonte pasojat e zgjedhjes së saj. Në rrëfimin e përcjellë përmes këtij burimi, asaj i atribuohen fjalët drejtuar Mulla Idrizit: “Hoxhë, kalle luftën e mos u dorëzo.
Mos të dhimbsen as fëmijët e mi, as unë, sepse për vatan jepet edhe jeta.” Këto fjalë, siç përcillen në dëshminë e publikuar, shprehin një qëndrim të qartë: Zarife Sadiku nuk e shihte mbrojtjen e Mulla Idrizit si barrë të imponuar, por si një përgjegjësi që e pranonte me vetëdije.
Ajo ishte e gatshme të përballonte rrezikun bashkë me familjen, duke e vendosur idealin kombëtar mbi sigurinë personale. Në këtë përgjegjësi ishin të përfshira edhe gratë e tjera të familjes, ndër to Ajetja dhe Bahtija.
Roli i tyre duhet kuptuar brenda organizimit të përditshëm të shtëpisë, ku kujdesi, ruajtja e fshehtësisë dhe mbështetja ndaj Mulla Idriz Gjilanit ishin pjesë e së njëjtës përpjekje.
Kontributi i grave në këto rrethana shpesh ka mbetur më pak i dokumentuar se ai i burrave, por pa të nuk mund të kuptohet plotësisht qëndrueshmëria e vendstrehimit.
Përgjigjja e Mulla Idrizit në të njëjtin rrëfim e thellon kuptimin e kësaj marrëdhënieje: “Nuk i marr në qafë robët, oj nënë, dhe mos u frikëso, se Zoti është i Madh. Një ditë ka për të dalë në dritë burrëria, besa dhe sakrifica jote dhe e djemve të tu, deri edhe në vetëmartirizim.”
Këto citime duhen lexuar si dëshmi të publikuara e të përcjella nga autorja, si transkripte të dokumenteve arkivore. Ato pasqyrojnë mënyrën se si është ruajtur në kujtesën historike marrëdhënia ndërmjet Mulla Idrizit dhe familjes Sadiku. Ato dëshmojnë për besimin dhe lidhjen e veçantë që ishte krijuar gjatë viteve të strehimit.
5. Salih Sadiku dhe vrasja e tij më 21 nëntor 1949
Ngjarjet e nëntorit 1949 shënuan një kthesë tragjike për familjen Sadiku. Salih Sadiku u vra më 21 nëntor 1949, në rrethana të lidhura me zbulimin e vendstrehimit dhe përpjekjet e pushtetit për të kapur Mulla Idriz Gjilanin.
Vrasja e tij duhet trajtuar veçmas nga arrestimi dhe vdekja e Mulla Idrizit, sepse bëhet fjalë për dy ngjarje të dallueshme, megjithëse të lidhura në rrjedhën e së njëjtës histori.
Salihu ishte pjesë e familjes që kishte marrë përsipër strehimin. Vrasja e tij tregon se pasojat e kësaj përgjegjësie nuk mbetën vetëm në nivelin e rrezikut të mundshëm. Ato u bënë realitet, duke i kushtuar familjes jetën e njërit prej pjesëtarëve të saj.
Vrasja e tij e rëndoi gjendjen e familjes në çastet kur rreziku po bëhej gjithnjë e më i madh. Për familjarët, humbja nuk ishte e shkëputur nga strehimi i Mulla Idrizit, por pjesë me vetëdije që solli përfshirja e tyre në këtë histori.
Kjo lidhje e bën të domosdoshme që Salih Sadiku të mos përmendet vetëm si viktimë e një ngjarjeje të veçantë, por si pjesëtar i një familjeje që kishte marrë përsipër një përgjegjësi të rëndë historike.
6. Zbulimi i vendstrehimit dhe fjalët nënë Zarifes e të Mulla Idrizit
Pas një periudhe të gjatë strehimi, vendndodhja e Mulla Idriz Gjilanit u zbulua. Ngjarjet që pasuan sollën ndërhyrjen e organeve të pushtetit Jugosllav dhe e vunë familjen Sadiku përballë rrezikut të drejtpërdrejtë të vendimit të saj për ta mbrojtur.
Zbulimi i vendstrehimit shënoi fundin e një periudhe gjatë së cilës familja kishte arritur ta mbante të fshehtë praninë e tij. Në atë çast, rreziku nuk lidhej më vetëm me mundësinë e zbulimit, por me pasojat konkrete që mund të binin mbi të gjithë familjarët. Vrasja e Salihut më 21 nëntor 1949 dhe arrestimet që pasuan e bënë këtë rrezik të prekshëm.
Rrëfimi për bisedën ndërmjet Zarife Sadikut dhe Mulla Idrizit merr rëndësi pikërisht në këtë kontekst. Fjalët e saj shprehin gatishmërinë për të mos u tërhequr përballë kërcënimit, ndërsa përgjigjja e tij shfaq shqetësimin që pasojat të mos rëndonin mbi familjen që e kishte strehuar.
Në këtë marrëdhënie shihet qartë se strehimi nuk ishte një marrëveshje e njëanshme. Familja e kishte pranuar Mulla Idrizin si pjesëtar të saj, ndërsa ai ndiente përgjegjësi për njerëzit që po rrezikonin jetën për ta mbrojtur.
Besimi i ndërsjellë dhe lidhja e krijuar gjatë viteve e tejkalonin raportin ndërmjet Mulla Idrizit dhe atyre që e mbajtën sikur të ishte familjar I tyre. Ato janë pjesë e kujtesës së ruajtur për këtë ngjarje dhe ndihmojnë për ta kuptuar dimensionin njerëzor të saj, kulturën dhe mbi të gjitha idealin që kishin si familje në tërsi.
7. Arrestimi i Mulla Idrizit, burgosja e familjarëve
Arrestimi i Mulla Idriz Gjilanit dhe ndëshkimi i familjarëve Sadiku shënuan përfundimin tragjik të periudhës së strehimit në Gjyrishec. Familjarët Rrahim dhe Avdi Sadiku u morën dhe u dërguan në burgun e Gjilanit. Kjo ndërhyrje e bëri të qartë se pasojat e strehimit nuk kufizoheshin te personi që kërkohej nga pushteti, por shtriheshin edhe mbi njerëzit që e kishin mbrojtur.
Për familjen Sadiku, ngjarjet e nëntorit 1949 përbënin një goditje të rëndë: Salih Sadiku ishte vrarë më 21 nëntor, ndërsa Rrahimi dhe Avdiu u burgosën. Familja u përball kështu me humbje jete, burgosje dhe pasiguri për fatin e Mulla Idrizit. Këto pasoja ishin të lidhura drejtpërdrejt me përgjegjësinë që familja kishte marrë përsipër gjatë viteve të strehimit.
Data e arrestimit të Mulla Idrizit është trajtuar në mënyra të ndryshme në literaturën e botuar. Në këtë studim mbahet 26 nëntori 1949, datë që lidhet me dokumentacionin e publikuar nga Sabile Keçmezi-Basha. Duhet bërë dallimi ndërmjet kësaj date dhe datave të tjera të përmendura në disa rrëfime për momentin e kapjes dhe dërgimit të tij në burg.
Për fatin e tij në burg ekzistojnë dy paraqitje që nuk duhen shkrirë në një të vetme. Dokumenti i organeve jugosllave, i publikuar nga Keçmezi-Basha, pretendon se Mulla Idrizi kishte tentuar vetëvrasjen më 2 dhjetor 1949. Në anën tjetër, Muhamet Pirraku e interpreton fundin e tij si pasojë të torturave dhe vrasjes nga aparati i sigurimit jugosllav. Ky dallim është thelbësor për rindërtimin e ngjarjes.
8. Dokumentet e vitit 1949 dhe rindërtimi i ngjarjeve
Dokumentet e publikuara nga Sabile Keçmezi-Basha janë të rëndësishme për rindërtimin e ditëve të fundit të Mulla Idriz Gjilanit. Ndër to është dokumenti nr. 887, i datës 3 dhjetor 1949, që lidhet me propozimin për ndërprerjen e hetimit penal dhe heqjen e burgimit hetues ndaj Mulla Idriz Hajrullahut.
Në të përmendet se gjatë hetuesisë, më 2 dhjetor 1949, ai kishte bërë vetëvrasje në burg. Ky është versioni që paraqesin organet e pushtetit jugosllav në dokumentin e tyre.
Ky dokument duhet vlerësuar si burim parësor për të kuptuar se çfarë kanë regjistruar ose kanë dashur të paraqesin autoritetet e kohës. Por ekzistenca e një versioni zyrtar nuk do të thotë se përmbajtja e tij duhet pranuar automatikisht si shpjegim përfundimtar i vdekjes.
Dokumenti është hartuar nga vetë organet e sigurimit, të cilat e kishin marrë në pyetje të burgosurin dhe ishin përgjegjëse për mbajtjen e tij në burg. Prandaj, pretendimi për vetëvrasje duhet paraqitur me atribuimin përkatës dhe të shqyrtohet në raport me burimet e tjera.
Muhamet Pirraku, në veprën Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore (1941–1951), paraqet një interpretim tjetër. Sipas tij, Mulla Idriz Gjilani u torturua rëndë nga organet e sigurisë dhe vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë hetuesisë.
Pirraku e vendos fundin e jetës së tij në orët e para të 26 nëntorit 1949, ose pas mesnatës së 25–26 nëntorit, dhe shkruan se trupin e nxorën nga burgu i Gjilanit dhe e dërguan në Gllamë, në periferi të qytetit. Ai e lidh këtë ngjarje me torturat dhe djegien e trupit, ndërsa thekson se mënyra e saktë e vrasjes nuk mund të përcaktohet plotësisht.
Për këtë arsye, në studimin e historisë së familjes Sadiku, paraqitja e Pirrakut duhet të trajtohet si interpretim historik i autorit, i mbështetur në të dhënat dhe dëshmitë që ai kishte mbledhur, ndërsa versioni i vetëvrasjes duhet të identifikohet qartë si pretendim i dokumentacionit zyrtar jugosllav.
Nuk duhet të thuhet se dokumenti zyrtar e vërteton vetëvrasjen; ai dëshmon se këtë version e kanë regjistruar organet e pushtetit. Edhe data e vdekjes kërkon këtë dallim.
Në paraqitjen e Pirrakut, vdekja vendoset në orët e para të 26 nëntorit 1949, ndërsa dokumenti zyrtar e lidh pretendimin për vetëvrasje me 2 dhjetorin 1949.
Këto nuk janë dy formulime të së njëjtës ngjarje, por dy paraqitje që ndryshojnë si në datim, ashtu edhe në shpjegimin e shkakut të vdekjes.
Për këtë arsye, studimi duhet t’i paraqesë veçmas dhe të mos krijojë përshtypjen se mospërputhja është zgjidhur përfundimisht.
Rëndësia e këtyre burimeve qëndron edhe në atë se ato ndihmojnë për ta kuptuar kontekstin në të cilin u godit familja Sadiku.
Vdekja e Salihut, burgosja e Rrahimit dhe Avdiut, si dhe fundi tragjik i Mulla Idrizit janë ngjarje të dallueshme, por të lidhura brenda të njëjtës periudhë të ndjekjes dhe të represionit. Ato duhen analizuar duke ruajtur saktësinë e datave, dallimin e burimeve dhe kujdesin në nxjerrjen e përfundimeve.
9. Kuptimi historik i jatakut të familjes Sadiku dhe reflektimi mbi qëndresën për liri
Historia e familjes Sadiku të Gjyrishecit nga Kamenica është një dëshmi e rolit që familjet shqiptare luajtën në mbështetjen e qëndresës pas Luftës së Dytë Botërore.
Ajo tregon se veprimtaria e njerëzve që ndiqeshin nga pushteti nuk mund të kuptohet pa rrjetin e mbështetjes që u sigurohej nga familje dhe individë të gatshëm të merrnin përsipër rrezik të madh. Familja Sadiku nuk u bë pjesë e kësaj historie rastësisht.
Ajo e pranoi Mulla Idriz Gjilanin në shtëpinë e saj, e mbrojti për gati pesë vjet dhe e trajtoi si pjesëtar të familjes. Ky qëndrim dëshmon për një lidhje të mbështetur në besim dhe në një ideal të përbashkët kombëtar.
Përgjegjësia e tyre nuk përfundonte me sigurimin e strehimit; ajo përfshinte ruajtjen e fshehtësisë dhe përballimin e pasojave që mund të sillte zbulimi.
Vrasja e Salih Sadikut, burgosja e Rrahimit dhe Avdiut dhe vuajtjet e pjesëtarëve të tjerë të familjes tregojnë çmimin e kësaj përgjegjësie.
Në këtë kuptim, familja Sadiku nuk duhet të trajtohet vetëm si sfond i jetës së Mulla Idrizit, por si subjekt historik më vete, me vendime, sakrifica dhe pasoja të lidhura me qëndresën shqiptare.
Në të njëjtën kohë, historia e Mulla Idrizit nuk mund të shkëputet nga ajo e familjes që e strehoi.
Pothuajse pesë vjet të jetës së tij në ilegalitet u lidhën me shtëpinë e Sadikëve, me përkujdesjen e Zarife Sadikut dhe të grave të tjera të familjes, si dhe me gatishmërinë e vëllezërve Sadiku për ta mbrojtur.
Për këtë arsye, trajtimi i veçantë i secilës histori nuk duhet të çojë në ndarjen e tyre, por në kuptimin më të plotë të marrëdhënies që i bashkoi. Edhe fundi i jetës së Mulla Idrizit duhet vendosur brenda këtij konteksti.
Përvoja e familjes Sadiku e vendos strehimin e Mulla Idrizit në vazhdimësinë e përpjekjeve shqiptare për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vet.
Ajo tregon se qëndresa nuk përbëhej vetëm nga veprimet e luftëtarëve në terren, por edhe nga përkushtimi i familjeve që u siguronin mbështetje dhe mbrojtje.
Kjo përvojë ruan rëndësinë e saj historike edhe përtej ngjarjeve të viteve 1945–1949, sepse dëshmon për çmimin që individët dhe familjet ishin të gatshëm të paguanin për idealet e tyre.
Përfundim
Familja Sadiku e Gjyrishecit zë një vend të veçantë në historinë e qëndresës shqiptare. Përvoja e saj nuk lidhet vetëm me strehimin e Mulla Idriz Gjilanit, por edhe me përgjegjësinë, rrezikun dhe sakrificën që mori përsipër në një periudhë të vështirë historike.
Historia e kësaj familjeje dhe historia e Mulla Idrizit janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme: njëra pa tjetrën nuk merr kuptim.
Bibliografia
Keçmezi-Basha, Sabile. 2019a. “Një dokument i rëndësishëm për likuidimin e Mulla Idriz-Gjilanit (1)”. Dituria Islame, nr. 339, shkurt, f. 44 e tutje. Keçmezi-Basha, Sabile. 2019b. “Një dokument i rëndësishëm për likuidimin e Mulla Idriz-Gjilanit (2)”. Dituria Islame, nr. 340, mars, f. 39 e tutje. Keçmezi-Basha, Sabile. 2023. “Salih Sadiku – jataku më besnik i Mulla Idrizit në historinë shqiptare”. Zemra Shqiptare, 26 nëntor. Keçmezi-Basha, Sabile. 2025. “Nënëmadhja Zarife Sadiku – jatakja e devotshme e Mulla Idriz Gjilanit”. Radio Kosova e Lirë, 6 nëntor.
Pirraku, Muhamet. 1995. Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore (1941–1951). Prishtinë.
Zeka, Izmi. 2020. “Jataku i Mulla Idris Gjilanit në Gjyrishec të Kamenicës, te familja Sadiku, është vetë historia e tij”. Mediafokus, 4 gusht
