KFOR-i Amerikan dhuron 20 aparate për fikjen e zjarrit për Zjarrfikësit e Gjilanit
Gjilan, 10.10.2026 – Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan është pajisur sot me 20 aparate të reja për fikjen e zjarrit. Donacioni u realizua nga KFOR-i Amerikan – Camp Bondsteel, me iniciativën e Rotary Club Gjilani.
“Mbështetje për kapacitetet profesionale të zjarrfikësve”
Ceremonia e dorëzimit u mbajt në ambientet e Njësisë së Zjarrfikjes në Gjilan.
“Rotary Club Gjilani ishte iniciatori i këtij projekti, duke krijuar dhe koordinuar bashkëpunimin me KFOR-in Amerikan, me qëllim të mbështetjes së kapaciteteve profesionale dhe operative të zjarrfikësve të Gjilanit”, thuhet në njoftimin e klubit.

Në aktivitet morën pjesë presidenti i Rotary Club Gjilani, Metush Bajrami, udhëheqësi i projektit Sami Spahiu me rotarianët, zëvendëskomandanti i Camp Bondsteel, koloneli Anderson, rreshteri i lartë Hernandez dhe përfaqësuesit e Departamentit të Zjarrfikësve të Camp Bondsteel.
Donacioni u pranua nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani, dhe zëvendëskomandanti i Zjarrfikjes, Murat Ramadani.

Mirënjohje të ndërsjella
Në prezencën e mediave lokale dhe rajonale, KFOR-i Amerikan ndau mirënjohje për Rotary Club Gjilani dhe për zjarrfikësit e Gjilanit, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe angazhimin në mbështetje të komunitetit.

Ndërkohë, presidenti Metush Bajrami ndau mirënjohje përfaqësuesit e KFOR-it Amerikan, në shenjë falënderimi për kontributin dhe partneritetin.
“Rotary Club Gjilani shpreh mirënjohje për KFOR-in Amerikan – Camp Bondsteel dhe institucionet komunale të Gjilanit për bashkëpunimin, duke riafirmuar përkushtimin e klubit për të iniciuar dhe mbështetur projekte konkrete në shërbim të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, përfundon komunikata.
Rotary Club Gjilani – Në shërbim të komunitetit!

