LDK përmbyll fushatën me tubimin e madh në Prishtinë – Haziri fton gjilanasit për pjesëmarrje masive
Gjilan – Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen Tubimit të Madh Përmbyllës të fushatës zgjedhore, i cili do të mbahet të premten në Prishtinë.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Haziri ka theksuar se përmbyllja e fushatës do të jetë një moment i rëndësishëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar LDK-në si “besë dhe shpresë për Kosovën”.
“Gjilanas të dashur, ju ftoj të gjithëve që të na bashkangjiteni në Tubimin e Madh Përmbyllës të fushatës, i cili mbahet nesër (e premte), me fillim në orën 20:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, në Prishtinë”, ka deklaruar Haziri.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në mënyrë masive dhe solemne, duke theksuar se mbështetja e tyre është forca dhe motivi për realizimin e objektivave politike të LDK-së.
“Bashkohuni me ne në mënyrë masive e solemne, sepse ju jeni forca dhe motivi ynë për ta bërë ndryshimin e madh më 7 qershor”, ka shtuar ai.
Tubimi në Sheshin “Skënderbeu” do të shënojë edhe përmbylljen zyrtare të fushatës zgjedhore të LDK-së para zgjedhjeve të 7 qershorit. /Tv Gjilani.com/
