Drejtori Enver Shabani zhvillon takime zyrtare në Sioux City për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit
Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka zhvilluar takime me përfaqësues të departamenteve dhe institucioneve të ndryshme në Sioux City.
Gjatë kësaj vizite, drejtori Shabani mori pjesë në takime dhe vizita të rëndësishme institucionale, ku u shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit, menaxhimit të emergjencave dhe sigurisë publike.
“Vizita shërbeu si një mundësi e mirë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimin e kontakteve të reja profesionale, në funksion të avancimit të kapaciteteve të Drejtoratit për Mbrojtje dhe Shpëtim”, u shpreh drejtori Shabani.
Sipas tij, ky bashkëpunim kontribuon në thellimin e miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Gjilan dhe Sioux City, duke hapur mundësi të reja për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim afatgjatë në fusha me interes të përbashkët.
