Drejtoresha e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës, Eljesa Rashiti reagon pas vendimit të Qeverisë për shpronësimet në “Qarkoren e Vjetër” të Gjilanit
Pas një procesi të gjatë administrativ dhe institucional, është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave që preken nga projekti i “Qarkores së Vjetër të Qytetit të Gjilanit”.
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtoresha e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjilanit, Eljesa Rashiti, përmes një postimi publik.
Sipas saj, vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës përfshin pronat që ndodhen në zonat kadastrale të Shillovës, Livoçit të Ulët dhe Gjilanit, të cilat preken nga realizimi i projektit rrugor.
“Rreth 375 familje do të kompensohen për pronat e prekura nga realizimi i këtij projekti, duke marrë fund një çështje e pazgjidhur prej shumë vitesh”, ka shkruar Rashiti.e

Ajo ka vlerësuar se përmbyllja e këtij procesi nuk ka rëndësi vetëm në aspektin infrastrukturor, por edhe ekonomik, pasi mjetet financiare do të rikthehen te qytetarët dhe bizneset lokale.
Në reagimin e saj, Rashiti ka falënderuar Qeverinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse për bashkëpunimin në finalizimin e procedurave, duke shprehur mirënjohje të veçantë edhe për stafin profesional të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.
“Puna dhe angazhimi i vazhdueshëm i stafit gjatë të gjitha fazave të projektit kanë qenë kyçe për arritjen e këtij rezultati”, është shprehur ajo.
