UKZ prezanton ofertën akademike para maturantëve në Gjilan
Përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Publik “Kadri Zeka” zhvilluan një takim informues me maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan, me qëllim prezantimin e programeve studimore dhe mundësive që universiteti ofron për studentët e ardhshëm.
Gjatë takimit maturantët patën mundësinë të informohen më nga afër për jetën universitare, zhvillimin akademik dhe perspektivat profesionale që ofron Universiteti Publik “Kadri Zeka”.

Para të pranishmëve folën Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Prodekani Prof. Ass. Dr. Blerim Haziri, të cilët prezantuan programet studimore të fakultetit, duke theksuar rëndësinë e arsimit cilësor dhe përgatitjes profesionale për tregun e punës.

Gjatë bashkëbisedimit, ata inkurajuan maturantët që të ndjekin ambiciet dhe synimet e tyre, duke vlerësuar arsimin si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit personal dhe shoqëror. Po ashtu, u theksua se zgjedhja e profesionit duhet të bazohet në pasion, përkushtim dhe besim në potencialin individual të secilit të ri.
Maturantët mirëpritën këtë vizitë dhe shprehën interesim për programet e ofruara, duke e konsideruar takimin si një mundësi të vlefshme për orientimin e tyre akademik dhe profesional në të ardhmen.
