Tre përballje “flakë” në Superligë, sytë nga Malisheva
Superliga e Kosovës rikthehet sot me ndeshjet e xhiros së 29-të, ku në program janë tri përballje mjaft interesante që pritet të dhurojnë spektakël dhe emocione.
Vëmendja kryesore është përqendruar në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ku vendasit përballen me Ballkanin në një duel me peshë të madhe. Malisheva synon rezultat pozitiv nën drejtimin e trajnerit të ri, ndërsa Ballkani hyn në këtë sfidë me synimin e qartë për fitore, në garë për titullin kampion.
Një tjetër ndeshje e fortë zhvillohet në Skenderaj, ku Drenica pret liderin Dritën, në një përballje që pritet të jetë sfiduese për të dyja skuadrat.
Ndërkohë, në Gjilan, skuadra e Gjilanit do të përballet me Dukagjinin, në një duel që gjithashtu pritet të sjellë rivalitet dhe luftë për pikë të rëndësishme.
Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme zhvillohen nga ora 15:00.
