Përmbyllet me sukses projekti “Drejt Malit 2026”, nxënësit shfaqin aftësitë në finalen e fundit
Me zhvillimin e garave të grupit të dhjetë, është përmbyllur me sukses projekti “Drejt Malit 2026”, duke kurorëzuar një rrugëtim të pasur me aktivitete sportive dhe edukative për nxënësit pjesëmarrës.
Në një atmosferë garuese dhe plot emocione, nxënësit demonstruan aftësitë e përfituara gjatë programit, duke reflektuar përkushtimin, disiplinën dhe progresin e arritur në sportet dimërore.
Performancat e tyre u karakterizuan nga shpirt sportiv dhe angazhim i lartë, duke dëshmuar se ky projekt ka qenë më shumë se një trajnim – një përvojë e rëndësishme në zhvillimin personal dhe sportiv të tyre. Nxënësit më të dalluar u nderuan me mirënjohje për arritjet e treguara.
Projekti “Drejt Malit 2026” përfundon duke lënë pas kujtime të paharrueshme, miqësi të reja dhe një motivim të shtuar për vazhdimin e angazhimit në sport dhe jetë aktive.
Ky aktivitet është zhvilluar me mbështetjen e institucioneve vendore, përkatësisht Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Programi është realizuar nga Federata e Sportit Shkollor e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Federatën Skitare të Kosovës, me synim promovimin e sportit shkollor dhe zonave turistike malore.
























