BIK-u: Dita e parë e Fitër Bajramit festohet më 20 mars 2026
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) njofton se muaji i bekuar i Ramazanit përfundon më 19 mars 2026, ndërsa dita e parë e festës së Fitër Bajramit do të jetë e premte, më 20 mars 2026.
Manifestimi qendror për festën në Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Programi i festës nis në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas së cilit kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim ef. Beqiri, do të mbajë ligjëratë tematike kushtuar festës.
Namazi i Fitër Bajramit do të falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i BIK-ut, Vedat ef. Sahiti, ndërsa hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, duke iu drejtuar opinionit me mesazhin e kësaj feste.

Tradicionalisht, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut organizon edhe pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në 12:00, duke ofruar mundësinë për urime dhe urata mes besimtarëve.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës u uron të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë një Fitër Bajram të bekuar, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet e tyre.
Me fat festa e Fitër Bajramit!
