“HORIZONTI” – shkollë dhe prijatare e enigmatikës shqiptare
Më 15 janar 1981, në Gjilan, doli nga shtypi numri i parë i revistës për enigmatikë “Horizonti”, duke shënuar një moment historik jo vetëm për qytetin, por për mbarë hapësirën shqiptare.
Shkruan: Sabedin Sherifi
Sot, pas 45 vjetësh jetë, punë dhe përkushtim, “Horizonti” mbetet një emër i gdhendur fuqishëm në historinë kulturore dhe intelektuale shqiptare.
Revista “Horizonti” lindi vetëm tre muaj pas themelimit të Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda” (4 tetor 1980), në një kohë të vështirë politike e shoqërore për Kosovën.
Megjithatë, ajo arriti të mbijetojë, të rritet dhe të shndërrohet në prijatare të enigmatikës shqiptare, duke u bërë revista e parë – dhe për një kohë të gjatë e vetmja – e këtij lloji në gjithë hapësirën shqiptare.
Numri i parë u botua me tirazh prej 2.000 ekzemplarësh, por shumë shpejt “Horizonti” arriti një tirazh prej rreth 20.000 kopjesh, duke u renditur menjëherë pas gazetës “Rilindja” për nga lexueshmëria.
Kjo dëshmon interesimin e jashtëzakonshëm të publikut dhe rolin e rëndësishëm që revista luajti në jetën kulturore të kohës.
Gjatë rrugëtimit të saj, “Horizonti” pati vetëm një ndërprerje dyvjeçare (1990–1991), si pasojë e masave të dhunshme të regjimit serb ndaj Pallatit të Rilindjes, ku revista shtypej.
Përkundër kësaj, ajo u rikthye, duke vazhduar misionin e saj kulturor e arsimor.
Në total, u botuan 140 numra, një pasuri e çmuar për historikun e enigmatikës, veçanërisht asaj shqiptare.
Me “Horizontin” filloi kultivimi sistematik i enigmatikës moderne shqiptare, duke e shndërruar revistën në një shkollë të mirëfilltë enigmatike, sidomos për brezat e rinj të enigmatëve.
Për herë të parë në gjuhën shqipe u botuan:
artikuj teorikë mbi enigmatikën, rubrika të specializuara si Enigmologu dhe Nga teoria e enigmatikës, shkrime për rregullat e sajimit të enigmave, informacione mbi takime, gara, kampionate dhe aktivitete enigmatike në Kosovë dhe botë.
Një kontribut i veçantë ishte edhe inicimi i Bibliotekës “Enigmatikë”, nga e cila në vitin 1994 dolën vepra me vlerë themelore për këtë fushë, si:
Fjalori i enigmatikës me tre dhe katër shkronja dhe Rrokjekryq magjik – autor Zijadin Hasani, Gjej e qesh – me enigma të rimura, nga Xhemail Halili.
Falë “Horizontit”, enigmatët gjilanas dhe kosovarë u bënë pjesë aktive e kampionateve botërore të enigmatikës (World Puzzle Championship), duke përfaqësuar me dinjitet kulturën shqiptare në Kroaci, Turqi, Hungari, Finlandë, Holandë e gjetkë.
Revista u drejtua që nga fillimi nga Dr. Zijadin V. Hasani, kryeredaktor, ndërsa redaksia e parë përbëhej nga: Xhelal Selmani, Fadil Dermaku dhe Rasim Vllasaliu.
Me kalimin e viteve, “Horizontit” iu bashkuan dhjetëra enigmatë, shkrimtarë, studiues e gazetarë të njohur, duke e pasuruar përmbajtjen dhe ndikimin e saj.
“Horizonti” nuk ishte thjesht një revistë zbavitëse.
Ajo mishëroi në mënyrë të përkryer parimin e Horacit “Dulce cum utile” – të këndshmen me të dobishmen – duke edukuar mendjen, logjikën dhe shpirtin kritik të lexuesit shqiptar.
Sot, në 45-vjetorin e saj, “Horizonti” mbetet simbol i qëndrueshmërisë, dijes dhe pasionit intelektual, një monument i gjallë i enigmatikës shqiptare dhe një dëshmi se kultura mund të mbijetojë e të lulëzojë edhe në kohët më të vështira.
Urime 45-vjetori, Horizont!
Një horizont që vazhdon të zgjerojë mendjen shqiptare.
