Rritni shpejtësinë e kompjuterit tuaj me këto këshilla për Windows 11
Nëse keni vënë re se Windows 11 po funksionon më ngadalë se më parë, problemi mund të mos jetë te hardueri, por te vetë sistemi operativ.
Sipas portalit Neowin, dy cilësime të aktivizuara automatikisht në Windows 11 mund të ndikojnë ndjeshëm në performancën e kompjuterit tuaj.
I pari është sinkronizimi automatik i shërbimit OneDrive, i cili kontrollon dhe përditëson vazhdimisht skedarët midis kompjuterit dhe ruajtjes në cloud. Ky proces mund ta ngarkojë procesorin dhe lidhjen e internetit, sidomos në pajisje më të dobëta ose kur ka shumë skedarë për t’u sinkronizuar.
Fajtori i dytë janë efektet vizuale të ndërfaqes, si animacionet, dritaret gjysmë të tejdukshme dhe hijet, të cilat e bëjnë Windows-in më modern, por konsumojnë më shumë kujtesë (RAM) dhe burime grafike. Në kompjuterët me më pak se 8 GB RAM, kjo mund të shkaktojë ngadalësim të dukshëm.
Microsoft ka konfirmuar se këto cilësime mund të ndikojnë në performancë dhe rekomandon përdoruesve t’i përshtatin sipas nevojave të tyre.
Për të përmirësuar performancën:
Ndërprisni përkohësisht sinkronizimin e OneDrive kur punoni me programe të rënda.
Në cilësimet e sistemit, hapni opsionin “Adjust the appearance and performance of Windows” dhe çaktivizoni efektet vizuale që nuk ju nevojiten.
Përditësoni rregullisht drejtuesit (driverët) dhe kontrolloni cilat aplikacione funksionojnë në sfond.
Këto ndryshime të thjeshta mund ta përshpejtojnë kompjuterin tuaj pa kosto shtesë dhe mund të zgjasin jetën e përdorimit të pajisjes, sidomos nëse përdorni një kompjuter më të vjetër.
