
KRU “Hidromorava” nis shkyçjet për konsumatorët me borxhe, ofrohet mundësia e pagesës me këste
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” SH.A – Gjilan ka njoftuar se ka filluar procesin e shkyçjes nga rrjeti të të gjithë konsumatorëve që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara.

Nga kompania u bë e ditur se konsumatorët që shlyejnë borxhin e plotë ose që nënshkruajnë marrëveshje për riprogramimin e pagesave do të hiqen nga lista për shkyçje dhe procedurat përmbarimore. Për ata që nuk kanë mundësi të kryejnë menjëherë pagesën e plotë, është ofruar opsioni i shlyerjes me këste mujore.
“Hidromorava” u ka bërë thirrje qytetarëve që të kryejnë pagesat në kohë, duke theksuar se pagesa e rregullt ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara për konsumatorët.
