
LIVE: Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar
Pas gati shtatë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri.
Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 73 vota pro për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Për këtë post, Basha mori vota edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Të gjitha zhvillimet për këtë çështje mund t’i përcillni këtu

Kryetari i ri i Kuvendit: Ngërçi, shkollë që i shërbeu demokracisë
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se ndjen përgjegjësinë e madhe që i është besuar.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi sakrifica.
Basha ka falënderuar gratë e Kosovës për kontributin.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unifikim.
“Shumica prej nesh dallojmë me parti por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës e mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial”, ka thënë ai.
Ai ka lavdëruar punën e bërë në veri të vendit, duke thënë se është minimizuar krimi në atë pjesë.
Sipas tij, mbrojtja e republikës është detyrë e të gjithëve.
Basha i ka bërë thirrje Serbisë që të sillet në mënyrë demokratike.
Kush është Dimal Basha, kryetar i ri i Kuvendit?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha me 73 vota pro të martën u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.
Biografia e tij, e publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje:
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.
Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje! Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar
Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pro emrit të tij votuan edhe një grup i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai mori 73 vota pro. Kundër ishin 30 deputetë.
Ishte hera e dytë që emri i Bashës u propozua për kryeparlamentar. Në përgjithësi ishte emri i pestë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me zgjedhjen e Bashës kryeparlamentar, Kuvendi i jep fund më shumë se 60 seancave dështim në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.
Pas një ore pritet votimi i nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Gjithsej janë pesë nënkryetarë që pritet të zgjidhen.
