BBC: Akuzat për korrupsion e kostoja e jetesës në fokus të protestave në Tiranë
Media prestigjioze ndërkombëtare BBC ka shkruar sërish për protestat që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë ditëve të fundit, duke raportuar se zemërimi i qytetarëve vjen në një kohë kur janë shtuar akuzat për korrupsion ndaj ministrave dhe zyrtarëve të lartë.
Sipas BBC-së, demonstratat e reja u paralajmëruan si lëvizje studentore, me kërkesa që qeveria të ndërmarrë masa për tarifat e larta të shkollimit, çmimet e librave dhe rritjen e kostos së jetesës. Protestave iu bashkuan edhe nxënës të shkollave të mesme, duke rritur numrin e pjesëmarrësve.
Në artikullin me titull “Protestat në Shqipëri kthehen në dhunë: Çfarë dimë deri tani?”, BBC raporton se vendi është përballur me skena përplasjesh mes protestuesve dhe policisë kundër trazirave, të papara prej dekadash.

Protestat që nisën të martën në Tiranë kanë marrë përmasa shumë më të mëdha se demonstratat e mëparshme të lëvizjes antiqeveritare “Flamingo”. Përplasjet janë përhapur edhe në Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë.
Sipas raportimit, protestues të maskuar hodhën gurë drejt policisë, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me topa uji, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.
BBC përmend edhe pamjet e një të riu që po largohej duke u bartur, me këmbën e thyer dhe në dhimbje të forta, të cilat shkaktuan zemërim te shumë protestues. Megjithëse u kërkua falje, situata nuk u qetësua.
Gjatë trazirave, një kat i Ministrisë së Arsimit u përfshi nga zjarri, ndërsa flakët përfshinë edhe institucione të tjera qeveritare.
BBC rikujton se për rreth 135 ditë radhazi, gjatë verës, qytetarët protestuan në qendër të Tiranës duke mbajtur figura të flamingove rozë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në mandatin e tij të katërt.
Këto protesta kishin nisur për shkak të një projekti të madh turistik në bregdetin e Adriatikut, të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Protestuesit pretendonin se ndërtimi i kompleksit luksoz në një ishull pranë Vlorës do të çonte në zhdukjen e flamingove nga ajo zonë.
BBC shkruan se një zëvendëskryeministër është larguar nga vendi, ndërsa një tjetër është urdhëruar të largohet nga detyra, teksa hetimet vazhdojnë.
BBC: Lëvizja aktuale duket shumë më e dhunshme
BBC shkruan se protestuesit e lëvizjes “Flamingo” deklarojnë se nuk kanë lidhje me asnjë parti politike, ndërsa një nga sloganet e tyre ka qenë “Rama në burg, Berisha në burg”.
Në protestat e mëparshme merrnin pjesë qytetarë të të gjitha moshave, përfshirë prindër me fëmijë dhe të moshuar. Disa protestues madje pastronin hapësirat pas përfundimit të tubimeve.
Megjithatë, pas disa muajsh dhe një vere jashtëzakonisht të nxehtë, numri i pjesëmarrësve filloi të zvogëlohej, ndërkohë që nuk kishte shenja se qeveria po i përmbushte kërkesat e tyre.
Sipas BBC-së, lëvizja aktuale duket shumë më e dhunshme, ndërsa dhjetëra policë janë lënduar. Zhvillimet po ndiqen edhe nga Evropa, pasi Shqipëria konsiderohet ndër kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Disa protestues të rinj i kanë thënë BBC-së se zhvillimet aktuale përfaqësojnë një fazë të re të lëvizjes së mëparshme.
Një protestuese e quajtur Livia është shprehur se pesë muaj protestash paqësore ishin pritur me “poshtërim, përçmim dhe tallje”.
“Ky ishte një mesazh i qartë nga qeveria se zëri ynë nuk do të lejohej të dëgjohej”, ka thënë ajo.
Një tjetër protestuese, Brunela, ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e ardhshme.
“Jam shumë e frikësuar për shkak të mënyrës se si po reagojnë mediat dhe qeveria, veçanërisht tani. Nuk ishte vetëm zëri im, është zëri i rinisë shqiptare”, ka deklaruar ajo për programin e BBC-së “What in the World”.
BBC shkruan se mund të ketë pasur mbivendosje mes dy lëvizjeve protestuese, megjithëse drejtuesit e lëvizjes “Flamingo” nuk e kanë konfirmuar publikisht një gjë të tillë dhe asnjë përfaqësues i lëvizjes studentore nuk ka dalë përpara.
Sipas raportimit, shqetësimet kryesore të protestuesve lidhen me korrupsionin, për të cilin kryeministri Rama thotë se duhet të hetohet nga sistemi i drejtësisë.
Rama fajëson Berishën dhe përmend ndërhyrje të huaja
BBC raporton se kryeministri Edi Rama ka vizituar disa nga ndërtesat e dëmtuara dhe ka fajësuar liderin e opozitës, Sali Berisha, për nxitjen e kaosit.
“E gjithë kjo është vepër e së njëjtës dorë – dorës që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dorës që e ka djegur dhe shkatërruar Shqipërinë më shumë se një herë dhe që tani është e gatshme ta djegë e shkatërrojë përsëri për të penguar çdo përparim. Është një luftë e verbër, e ushqyer nga urrejtja më irracionale”, ka deklaruar Rama të premten.
Sipas BBC-së, kryeministri ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke premtuar se do të “dëgjojë, trajtojë shqetësimet legjitime dhe do ta çojë Shqipërinë përpara”.
Raportimi thekson se Partia Demokratike e Berishës është përpjekur vazhdimisht të mobilizojë qytetarët për largimin e Ramës, por numri i mbështetësve të saj në protesta ka qenë më i ulët krahasuar me pjesëmarrjen aktuale.
Për këtë arsye, sipas BBC-së, ekziston skepticizëm për aftësinë e Berishës për t’i organizuar trazirat, megjithëse ai mund të përpiqet të përfitojë politikisht prej tyre.
BBC shkruan gjithashtu se mediat shqiptare kanë ngritur pretendime për përfshirjen e mundshme të shërbimeve sekrete të vendeve të huaja.
Në këtë kontekst, raportimi përmend akuza të pabazuara ndaj Serbisë, ndërsa disa komentues kanë sugjeruar se Beogradi është xheloz për faktin që Shqipëria përmendet shpesh si një nga vendet që mund të anëtarësohet e radhës në Bashkimin Evropian.
Pa përmendur emra, kryeministri Rama ka bërë deklarata të ngjashme të premten.
“Këto janë duar të huaja që nuk duan që Shqipëria të jetë në paqe… ato nuk duan që Shqipëria të jetë pjesë e familjes së bashkuar evropiane”, ka thënë ai.
“A mendoni se është rastësi që sa herë Shqipëria merr një tjetër dritë jeshile… ose afrohet më shumë drejt asaj ambicieje të madhe – atij objektivi historik – papritur shpërthejnë flakët? Nuk është aspak rastësi! Asgjë nga ajo që po ndodh tani nuk është rastësi”, ka shtuar Rama.
BBC: Dhuna mbetet e kufizuar, turistëve u kërkohet kujdes
Në fund të raportimit, BBC shkruan se, megjithëse dhuna është përhapur në disa qytete, ajo mbetet e kufizuar për momentin.
Qeveria britanike u ka bërë thirrje vizitorëve të ndjekin informacionet më të fundit në media, të shmangin demonstratat, grumbullimet e mëdha dhe tubimet politike, si dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale.
BBC thekson se Shqipëria është një destinacion i njohur turistik, ndërsa qeveria në Tiranë ka paralajmëruar se dhuna dëmton imazhin e vendit, duke ndikuar në turizëm dhe në rrugën e integrimit evropian.
