
Pranvera Hyseni vendos Kosovën në hartën globale të shkencës planetare
Pranvera Hyseni, astronomja e njohur nga Kosova, do të marrë pjesë në një nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, ku do të prezantojë punën e saj mbi familjet e asteroideve.

Pas muajsh analizimi të të dhënave të fundit të mbledhura nga teleskopët, ajo do të ndajë hulumtimet e saj nga maja e Mauna Kea, një prej vendndodhjeve më të rëndësishme për studimin e hapësirës.
Pranvera Hyseni po vendos Kosovën në hartën globale të shkencës planetare si e vetmja përfaqësuese nga vendi ynë në këtë konferencë të rëndësishme.
Pranvera Hyseni ka mbërritur në Houston, Teksas, për të marrë pjesë në një nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare, ku mbi 2,000 shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota do të ndajnë hulumtimet e tyre më të fundit.
Pranvera e bëri të ditur këtë arritje shkencore përmes një postimi në rrjete sociale.
“Sapo zbrita në Houston, Teksas, ku do të marr pjesë në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare, e cila mbledh mbi 2,000 shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota për të ndarë kërkimet e reja shkencore”, shkruan ajo.
Në këtë konferencë, Pranvera do të prezantojë rezultatet e muajve të analizave mbi familjet e asteroideve, bazuar në të dhënat e mbledhura përmes teleskopit Infrared Telescope Facility të NASA-s.
Ajo shprehet e lumtur që më në fund do të sjellë këto hulumtime, të realizuara nga maja e Mauna Keas, në një skenë globale.
Prezantimi i saj do të mbahet të enjten në mëngjes, me temën: “Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families.”
Ajo gjithashtu bëri të ditur se të mërkurën do të ketë një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, duke e cilësuar këtë përvojë si veçanërisht të rëndësishme.
“Të përjetosh nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë është gjithmonë një emocion i jashtëzakonshëm,” shkroi ajo në postimin e saj.
Në fund, Pranvera shprehu thellësisht mirënjohje ndaj mentorëve të saj, familjes dhe secilit nga mbështetësit e saj për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë në këtë rrugëtim të rëndësishëm.
Puna e fundit e Pranverës ka konsistuar në një mision shkencor në Paqësor, ku ajo ka operuar një teleskop 4-metërsh në 4,000 metra lartësi mbi nivelin e detit. Ky mision është realizuar falë mbështetjes së NASA-s dhe Universitetit të Kalifornisë dhe ka pasur për qëllim analizimin e asteroidëve dhe mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për Sistemin Diellor. /Katror.info
