Gazeta spanjolle “AS”: Moreno ka oferta nga Kosova dhe dy klube
Përpos ofertës së Kosovës, trajneri spanjoll Robert Moreno është duke shqyrtuar edhe dy oferta tjera nga klubet evropiane. Tekniku 46-vjeçar pritet të marrë një vendim për të ardhmen e tij gjatë ditëve në vazhdim.
Moreno ka marrë oferta për të drejtuar klubet si Sochi në Rusi dhe Adana Demirspor në Turqi, ka raportuar e përditshmja spanjolle “AS”.
Ish-trajneri i kombëtares spanjolle ka zhvilluar bashkëbisedime të ndryshme me drejtuesit e klubeve si dhe me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, ndërsa pritet të marrë një vendim final për të ardhmen e tij gjatë ditëve në vazhdim.
Sipas raportimit nga “AS”, Moreno ka pak gjasa të pranojë ofertën e Kosovës. Opsioni i drejtimit të një klubi po shihet si më opsional për teknikun spanjoll sesa drejtimi i kombëtares. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ai të pranojë ofertën e FFK-së.
Përvoja e fundit e Robert Morenos ishte me Granadan vitin e kaluar. Që atëherë ai ka pasur disa propozime por nuk ka pranuar asnjërën prej tyre.
Në Kosovë, Moreno po shihet si trajneri i duhur për të drejtuar përfaqësuesen. “Dardanët” janë në kërkim të një trajneri të ri që nga përfundimi i ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian.