Shkruan: Dr. Bahtijar Kryeziu – Reth disa neologjizmave në romanin “Dashuri diktatori” të Xhevat Mustafa
Me termin neologjizëm (greq. neo: e re dhe logos: thënie, shprehje) kuptojmë atë fjalë ose shprehje që ka hyrë në gjuhë për të shënuar një send a një dukuri të re. Çdo gjuhë, andaj edhe shqipja, ka nevojë për fjalë e shprehje të reja, të gjakut e të mishit të kësaj dhuntie.
Shkruan: Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu
E dimë se asnjë fjalor, sado i vëllimshëm që të jetë, nuk mund të përfshijë gjithë fjalësin e një gjuhe, aq më parë kur dihet se njësi të tilla leksikore (fjalë të reja) shtohen përherë, ngase gjuha nuk është një proces i përfunduar (një ergon), por (një energeia), strukturë e hapur në kuptimin modern sipas konceptit të Humboldit.
Në këtë mënyrë gjuha pasurohet vijimisht, dhe si e tillë, na obligon moralisht e kombëtarisht, që ta njohim, ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe ta zbatojmë sa më mirë e më drejt në ligjërimin e folur e të shkruar. Në këtë aspekt një ndihmesë të çmuar japin të gjithë së bashku: individët dhe institucionet, studiuesit, gjuhëtarët dhe artistët, e mbi të gjithë prurja e fjalëve të reja është mision i përhershëm i shkrimtarëve, të cilët nga tërthoret tona, sidomos nga ato (ku ende nuk ka shkuar asfalti, siç thotë leksikologu ynë i njohur – prof. dr. Abdullah Zymberi), vjelin fjalë të cilat ende nuk i kanë regjistruar fjalësit e shqipes. Edhe poeti ynë i madh, kolosi i letrave shqipe, aii vargut të ëmbël e të qartë, i “baltës së Devollit”, Dritëro Agolli, në një vend thotë (po parafrazojmë): se letrarët e pasurojnë shqipen me fjalë e shprehje të dëgjuara gjithandej në trojet e shqipes (të cilat nuk i kanë fjalorët tanë), kurse gjuhëtarët janë latues të atyre fjalëve e shprehjeve të cilat e pasurojnë gjuhën tonë.
Andaj, një korpus fjalësh të reja, e ndeshim edhe te shkrimtari e publicisti i ditëve tona, Xhevat Mustafa, në veprat e tij, ndër të cilat, disa edhe te romani “Dashuri diktatori” (2021), përjashtuar 4-5 huazime, ku kemi qëmtuar këto fjalë, kompozita e fjalë të përngjitura:
I. Fjalë tipash e kategorish të ndryshme
AKULLSONTE fol. veta III njëjës, krahin. Ia bënte akull, ia bënte kallkan…: Por kur e pa aq të gëzuar, i erdhi keq t’ia akullsonte gëzimin dhe kënaqësinë (f. 50).
BASHTOJA m. krahin. Thuhet se ishte një epitet që e përdorte babai, Halili, për të birin – Enverin. Është e fjalorit krahinor gjirokastrit, me ngarkesë përçmuese dhe fyese. Si fjalë përdoret edhe për qentë dhe gomarët e vegjël; kërriç gomari, pulisht, visk: Kuptohet nga ai… bashtoja… Enveri (f. 166).
______________________________
* Gjatë verës që na iku, në Shëngjinin e bukur, më ra në dorë, edhe pse me vonesë, romani “Dashuri dikta-tori” (2021) i krijuesit Xhevat Mustafa, emri i të cilit është i njohur, si i rrallëkujt, në analet e publicistikës, krijimtarisë e diplomacisë në mbarë shqiptarinë e më gjerë. Që nga fillimviti 1970, menjëherë pas diplomimit në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari, siç shkruan ai, i rreket punës së redaktorit në redaksinë e Kulturës, në Radio Tirana; redaktor, sekretar kolegjiumi dhe zv.kryeredaktori në “Ril. Demokratike”; drejtor në Instit. Kombëtar të Diasporës, MPJ; analist dhe opinionist në gazetat: “Albania”, “Koha jonë”, “Panorama”, “Ballkan”, “Standard”, “Sot”, kryeredaktor te “55“, “Bota Sot”, këshilltar-zv.ambasador në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, Drejtoria e Shtypit, MPJ; gazetar i pavarur në “Gazeta Shqiptare”, “Telegraf” dhe “Bota Sot”, autor i mbi 1500 analizave dhe opinioneve; autor radiodramash dhe radiodramatizimesh për teatrin “Teatri në mikrofonË në Radio Tirana; autor romanësh: “Zëri i prerë” (1993), “Mëkatet e vetmisë” (2008), “Duke kërkuar Europën” (2012), “Polak-ja” (2015) dhe “Dashuri diktatori” (2021), nga i cili roman, kemi përzgjedhur disa fjalë (do t’i quanim neologjizma), të cilat u mungojnë fjalorëve të gjuhës shqipe, e që mund të bëhen inventar i Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, në të cilin po punon ASH e Shqipërisë.
• Për shpjegimin e kuptimit leksikor të fjalëve falënderoj, gjithsesi, edhe autorin e romanit, profesor Xhevat Mustafën.
BRUNE mb. ital. bruno (1). Zeshkane, me ngjyrë si të murrme të lëkurës. Fjalë me prejardhje nga italishtja, ndeshet në pjesën jugore të Romës…: Kur mbylli derën dhe u kthye për t’u larguar u ndesh me një infermiere, brune e simpatike, rreth 30 vjetëve, me fytyrë tepër të mërzitur (f. 143).
GOMARDARE m. krahin. Pjesë të brendshme prej gome të rrotave të makinave. Sot gjenden tek dyqanet e lojnave të fëmijëve dhe nëpër plazhe, për të mësuar not ose për të mos u rrezikuar të mbyten…: … me shpresë se Xhakomo mund të bëhej një gomardare shpëtimi apo lehtësimi për atë (f. 177).
GRANAPADANA m./mb. ital. Lloj kaçkavalli italian: Të ta skuq një vezë omlet me copëza proshute me mish derri dhe djathi kaçkavall granapadana? (f. 272).
GUAK m. Nnjeri që vështron si i hutuar, si i frikësuar, si budalla; GUAK m. keq, ai që nuk flet asnjë fjalë, që nuk kundërshton. FGJSH besojmë se këtë fjalë e ka si GUHAK, me tingullin epentetik –h-, të shpjeguar si një farë pëllumbi i egër – hutaq (2). Rasimi vështronte si guak (f. 303).
GUSTO f. ital. Oreks, ëndje, kënaqësi, lezet, shije; parapëlqim: Aurelia nuk dyshonte tek gusto e tij (f. 45).
HARAKSUR mb. (i, e), krahin. Harruar, e humbur, me mendje të shpërndarë, e pa përqendruar në bisedë…: Hë, de, mos qëndro si e haraksur! (f. 62).
KALVAR m. Rend, radhë, njerëzish, vuajtjesh, mendimesh…: Këtu i priste një kalvar i pafund vuajtjesh të mëdha, truprraskapitëse… (f. 322).
KAVO m. Tel i trashë çeliku ose hekuri, në përmasat e diametrit rreth 0.5- 1-2 cm që përdoret për të tërhequr një makinë, kur fiket ose prishet dhe nuk lëviz më vetë. : … të lidhur me njëri tjetrin nga një kavo e gjatë e me trashësi mesatare në këmbë dhe me pranga në duar… (f. 307).
KORTEZI f. Mirësjellje, edukatë, respekt: … që i kthente ajo, më shumë për kortezi, apo mirësjellje (f. 30).
PIRANJA f. indisht. Lloj peshku jugo-amerikan, me dhëmbë shumë të mprehtë, me madhësinë e sardeleve të vogla, që gjendet në lumin e Amazonës. Rrinë në tufa me qindra dhe mijëra. Kur e sulmojnë një kafshë të madhe ose një njeri e hanë brenda pak minutave, sa i lënë vetëm kockat. Quhen edhe kariba: … kishte marrë me vete një akuarium të vogël me piranja Amazone dhe… (f. 247).
PORTMANTOJA f. ital. Raft rrobash i vogël. Përgjithësisht vendoset në korridor.: Ajo hoqi pallton, e vari tek portmantoja dhe u ul këmbë përmbi këmbë… (f.160).
ROBDESHAMBRIN m. ital. Veshje e gjatë, e hapur e me sumbulla, që përdoret sidomos nga gratë në dhomën e gjumit, pas dushit ose gjatë tualetit. Tani përdoret shpesh edhe nga meshkujt nëpër llixha, kur shkohet në pishina ose dilet prej tyre: Aurelia u ngrit dhe veshi robdeshambrin ngjyrë vishnje (f. 270).
RREZËLLITËSE mb. krahin. Më të shndritshme, më rrezatuese, dritëlëshuese…: … që atij, ia bëri edhe më rrezëllitëse e të këndshme fytyrën e saj, sidomos sytë (f. 134).
RRIGËZAT f. krahin. Pikat e vogla, currilat e hollë ose pikëzat e para të shiut: Kur zbriti në holl pa se rrigëzat e shiut kishin filluar të përziheshin me flokëza bore (f. 144-145).
SINTONINË f. greq. (3). Butoni që rregullon qartësinë e zërit në stacionet e radios, që lëvizet për të gjetur stacionin që dëshiron e për ta ndaluar aty: Ndërkohë Pjerini shkoi me shpejtësi në dhomën e gjumit dhe lëvizi sintoninë e radios (f. 288).
SIKTERRISU fol. vet. II, njëjës, turq. “ sikter” (4): Ik, largohu, shporru, jashtë, zhduku…!: Sikterrisu nga shtëpia ime dhe mos më shkel më në prag! – i uluriti Bahriu (f. 119).
STONUES mb. Zëra joharmonikë, që nuk arrijnë nivele të zërave të të tjerëve, janë të ndryshëm, më të ulët ose më të lartë…; jo të përafërt për nga toni…: Më i mirë se kështu nuk bëhet! – ia mbajtën iso, si në një kor me zëra stonues, anëtarët e tjerë si dhe kandidatët e Byrosë Politike (f. 281).
SHKRYTHUR fol. Për t’i shplo-dhur, për t’i lehtësuar…, për ta ndjerë më pak lodhjen…: Xhuzepe e ndaloi veturën ata zbritën, duke shkrythur këmbët (f. 84).
TOKUR fol. Për t’i prekur, cakërruar, për të ngritur dolli, për të bërë bam…: Vitalino mori gotën e vet pak mbi gjysmën me verë të kuqe dhe e drejtoi nga Xhyzepe, për t’i tokur (f. 79).
XHENTILESË f. Me edukatë dhe mirësjellje (nga italishtja), me njerëzi; ai është burrë xhentil, mb. ai është burrë tepër i sjellshëm, i njerëzish… ai ka një sjellje aristokratike, si nëpër ballot e dikurshme të salloneve nëpër familjet e mëdha të Italisë, Francës, Anglisë…: Faleminderit! – ia ktheu me xhentilesë kom-plimentin Xhuzepe dhe me dëshirën për të vazhduar (f.77).
ZHIGOLO m. frëngj. Djalë gay (gej, homoseksual) që shërbente si kamerier, apo për seks me meshkuj, me pagesë, nëpër lokalet e natës në Francë dhe Itali…: Ashtu siç pispillosej (EnverHoxha, vishej e sillej më dukej më shumë si Don Zhuan. Nga njëherë më është dukur edhe si… zhigolo… apo si… (f. 258).
II. Fjalë kompozita dhe të për-ngjitura
PRAGMBYTURI (i,e) mb. i emërz. Si i rrezikuar për t’u mbytur, gati për t’u mbytur: … U kap Enveri, si i pragmbyturi në një fije kashte… (f. 25).
MUAJPAKTA ndajf. Për pak muaj (2-3-6 muaj): … edhe pse kishte pasur më herët në vitet e studentllëkut dy histori lidhjesh muajpakta me shoqet e kursit, ai… (f. 76).
THASHEETHEMEXHINJ m. Njerëz që kanë dëshirë të merren me thashetheme, njerëz të thashethemeve, të përgojimeve, ata që flasin keq e prapa krahëve për dikë e për diçka: … si dhe kureshtarë të disa komshinjve të tjerë, kuriozë dhe thashethe-mexhinj (f. 82).
ZORRËGRYESE krahin. Që u shkakton, afron, sjell uri, nëpërmjet “këndimit” të zorrëve: Deti ua kishte bërë edhe më të madhe dhe zorrëgërryese urinë (f. 92).
GJUNJËKËPUTËSE mb. Që i këput gjunjët, që i lodh, që i rraskapit…: Sikur po vonohesh shumë sonte? – i tërhoqi vërejtjen Xhuzepe, më shumë se nga uria gjunjëkëputëse, nga dëshira për t’u shtrirë sa m’ shpejt në krevat (f. 104).
ROBDESHAMBRIN m. ital. Një veshje e gjatë, e hapur e me sumbulla, që përdoret sidomos nga gratë në dhomën e gjumit, pas dushit ose gjatë tualetit. Tani përdoret shpesh edhe nga meshkujt nëpër llixha, kur shkohet në pishina ose dilet prej tyre: Pasi mbaroi toaletin filloi të heqë robdeshambrin dhe veshi këmishën e natës… (f.104)..
MESMARSI mb./nd Aty nga mesi i muajit mars (12-16 mars): Aty nga ora 11 të asaj dite mesmarsi 1945… (f. 161).
KOKËNGRËNËS m. Njeri që të ha kokën, ai i cili të vret pabesisht; urdhërdhënës për pushkatimin e shokëve, kushërinjve…: … ai Edhe si … diktator, si demagog, si kokëngrënës i pashpirt i shokëve më të ngushtë, si i pazemër … (f. 253).
MENDIMNDRYSHUES mb. Njeri që nuk priste se ka ndryshuar mendjen për diçka; ai që ua ndryshon mendjen të tjerëve, që i bind me mendimin e vet…: … I cili, në të vërtetë, nuk priste një përgjigje të re, befasusese dhe mendimndryshuese prej Sabihasë (f. 308).
TRUPRRASKAPITËSE f./mb. Lodhshmëri e madhe trupore e mendore, që shkaktonte vramendje, shqetësime, stres…: Këtu i priste një kalvar i pafund vuajtjesh të mëdha, truprras-kapitëse… (f. 322).
TELASHESJELLËSE f./mb. Që sjell telashe, që sjell shqetësime…; Vendosi të mos e raportonte në komandë, për t’i kursyer një dënim të ri me izolim, pas të cilëve ajo ditë edhe më e përkeqësuar dhe më telashesjellëse. F. 325.
TEJNGARKUAR (i, e) mb. Fjalorët e gjuhës shqipe nuk e kanë (që do të thotë mbi ngarkuar, ngarkuar, analog me TEJNGO-PUR mb. spec. i mbi ngopur, i ngopur më tepër se që duhet…: E vështroi rojën me përbuzje të forte dhe i tha me zë të lartë, tejngarkuar me zemërim dhe qortim… f. 333.
R e f e r e n c a t
*Xhevat Mustafa, “Dashuri diktatori”, ShB, EMAL,Tiranë, 2021.
1. Bratoljub Klaić, Rječnik stranih riječi A – Ž, Zagreb, 1978 f. 198.
2. IAP, Fjalor fjalësh e shpre-hjesh popullore, Prishtinë, 1982, 119.
3. Bratoljub Klaić, Rječnik stranih riječi A – Ž, Zagreb, 1978, f. 1233.
4. Abdulah Shkaliq, Turcizmi u srpskohrvatskom jeziku, “Svjetlost”, Sarajevo, 1966, f. 564.