Fidan Qerimi i LDK-së: Ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit qeverisës dhe Komuna e Gjilanit është pa strategji të zhvillimit ekonomik
Në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Agrikulturë dhe Ndërmarrësi dua të potencoj edhe një herë se i pari i Komunës sonë, por edhe të gjithë drejtorët e drejtorive komunale nuk po arrijnë që të kalojnë fazën provuese apo praktike në pozitat e tyre.
Ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit qeverisës dhe Komuna e Gjilanit është pa strategji të zhvillimit ekonomik, që është një humbje e madhe. Kjo po ndodh për herë të dytë pas luftës, herën e parë ka ndodhur në qeverisjen e PDK së në mandatin 2010-2013 dhe po ndodh në këtë mandat, ku po qeveriset pa strategji zhvillimore, por edhe me praktikantë.
Në Komunën e Gjilanit ekziston Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, por ajo drejtori po punon si një zyrë informuese e Qeverisë së Kosovës për shpalljet e masave:
· Kanë mbajtur sesion informues lidhur me thirrjen publike “Fondi për Subvencionimin e bizneseve Start-up dhe Bizneset e Grave 2023”.
Cili është roli i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në këtë rast?
Cila është ndihma që po iu jepet personave potencial për të hapur biznes?
Kjo Drejtori do të duhej të organizonte një trajnim për përpilim të planit të biznesit, trajnim për Menaxhim të biznesit, trajnim për marketing, pa këto trajnime do të kenë vështirësi që të përfitojnë nga masat e qeverisë. Pastaj edhe nëse fitojnë, ata do ta kenë të vështirë të menaxhojnë dhe të bëjnë marketing për produktet apo shërbimet që ofrojnë. Apo ndoshta këto fonde synohet që t’ju shpërndahen familjarëve të aktivistëve të LVV – së, siç edhe po shihen skandalet çdo ditë në medie.
· Është proklamuar se do të lansohet “Fondit për Ndërmarrësit e rinj” në tremujorin e dytë, po kalon edhe tremujori i tretë dhe ende nuk është ndërmarrë asgjë për këtë fond.
· Sa i përket aktiviteteve për rritjen e efiçiencën së energjisë, Komuna e Gjilanit ka nënshkruar marrëveshje të investimit të rreth 400 mijë Euro në shkollën fillore Abaz Ajeti, që është për tu përshëndetur si projekt, por nga përvojat e mëhershme tregon se projektet nuk po përfundohen në kohë, dhe prapë vazhdon me të njëjtin gabim, kur afati i fundit për përfundim të punëve është 31 gusht, kurse mësimi duhet të filloj më 1 shtator.
Do të duhej që data e përfundimit të projektit të jetë së paku 15 gushti, që shkolla të jetë e gatshme para fillimit të mësimit.
· Bujqit e Komunës së Gjilanit nuk kanë një mbështetje financiare dhe profesionale për zhvillim të bizneseve të tyre. Do të duhet që Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe e Bujqësisë që të hulumtonin potencialet biznesore dhe t’i mbështesin ato në aspektin e mjeteve të punës, ekspertizës profesionale, trajnimeve të ndryshme, që këto biznese të kenë avancim dhe rritje të bizneseve bujqësore.
· Nuk ka plan për mbrojtjen e kulturave bujqësore në rast të fatkeqësive natyrore, dhe nuk është krijuar mekanizëm i vlerësimit të dëmeve në këto raste të fatkeqësive natyrore.
· Gjatë fushatës elektorale janë dhënë premtime që nuk do të ketë të punësuar me kontrata në vepër. Janë me dhjetëra të punësuar me kontratë në vepër vetëm në kohët e fundit. Nuk ka investime fare në trajnime të punëtorëve komunal për rritje të kapaciteteve profesionale. Do të duhej që të bëhet një riorganizim i drejtorive komunale, dhe të investohet në rritjen profesionale të punëtorëve komunal, që kjo do të rrit efikasitetin e punëtorëve dhe do të rritet cilësia e shërbimeve komunale.
· Mungesë totale e menaxhimit ndaj inkubatorit të biznesit, ku do të mund të mbështesnin Start-up et.
· Mungesë totale shfrytëzimit të donacioneve dhe investimeve të jashtme, çka është edhe më keq, projektet të cilat kanë qenë të projektuara, të cilëve janë siguruar financimi nga donatorë ndërkombëtar, kanë mbetur pa u realizuar.
Sa projekte janë financuar deri më tani nga donatorë ndërkombëtar?
A kemi ndonjë investitorë nga jashtë që ka ardhur në Komunën e Gjilanit për të investuar?
· Tejzgjatja e punimeve në rrugët dalëse prej Gjilanit për Ferizaj, Prishtinë dhe Bujanoc, ka bërë që bizneset të pësojnë humbje të mëdha, për shkak të vështirësive dhe vonesave në qarkullim.
Komuna e Gjilanit është dashur që të kryej të gjitha detyrimet e saj karshi këtyre projekteve dhe të insistoj në zbatimin e tyre. Përfundimi i këtyre projekteve infrastrukturore do të rrite numrin e vizitorëve, ku do të shtohet potenciali ekonomik i Gjilanit.
Ne si Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Agrikulturë dhe Ndërmarrësi kemi filluar takimet me palët e interesit, po mbledhim ekspertë, biznesmen, investitorë potencial dhe të dhënë që të hartojmë politikat për programin qeverisës komunal, ku dhe shfrytëzoj rastin që të ftoj edhe përmes mediave të gjitha Shoqatat e Bizneseve, biznesmenët, ekspertët e ekonomisë, që të kontribuojnë për hartimin e politikave dhe programit qeverisës për zhvillim ekonomik të Gjilanit për mandatin e ri qeverisës.
Kryetari i komisionit përZhvillim Ekonomik, Agrikulturë dhe Ndërmarrësi
Prof. Ass. Dr. Fidan Qerimi