Diagnostikohet rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se është diagnostikuar rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë.
Sipas Institutit, burim kryesor i këtij infeksioni janë minjtë.
“Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese. Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Njoftimi i plotë:
ETHET E MINJVE
Prindër të nderuar!
Kujdesuni për fëmijët tuaj!
Ruani ushqimet nga minjtë!
Mos përdorni fruta mali të palara sepse mund të sëmureni nga ethet e minjve!
Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve.
Në laboratoret e mikrobiologjisë diagnostikuam rastin e parë sivjet me ethe të minjve!