Shënohet 24 vjetori i rënies heroike të dëshmorit Fadil Jakupi – Fatbardhi
Me rastin e 24 vjetorit të rënies heroike të dëshmorit Fadil Jakupi – Fatbardhi, familjarë, miqë e bashkëluftëtarë e kanë përkujtuar dhe nderuar me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan dhe me një dedikim përkujtues në vendlindjen e tij.
Të pranishëm të shumtë në këtë përkujtim dedikues, kanë evokuar kujtime e mbresa të vecanta, duke vlerësuar lart figurën e Dëshmorit të Kombit, ndërsa mbesa e tij Vildanja e familjarët tjerë janë shprehur të nderuar e mirënjohës për organizimin, si dhe është deklamuar një poezi nga Florim Ramaj – Shpendi, me autorësi të Njazi Miftari – Miloti, si dhe është dhuruar piktura me portretin e heroit të dedikuar nga bashkëluftëtarët.
“… Në 24 vjetorin e rënies heroike ndihem i priviligjuar që në këtë ditë morëm si dhuratë nga bashkëluftëtarët një portret. Faleminderit të gjithë bashkëluftëtarve të axhit tim që erdhën sot dhe nderun familjen tonë”, ka shkruar Fatbardh Jakupi, nipi i dëshmorit, Fadil Jakupi, në emër të familjes.
Të pranishëm në këtë ngjarje përkujtimi e nderimi ishin edhe Ahmet Isufi, ish komandant i ZO të Karadakut, si dhe Shemsi Syla, ish zëvendës komandant.
Z. Syla me këtë rast ka përshëndetur familjen e dëshmorit, duke folur fjalë miradije. Ai ka evokuar kujtime nga lufta duke shkoqitur sekuanca të ndryshme, ndërsa ka vlerësuar lart kontributin dhe personalitetin e dëshmorit Fadil Jakupi – Fatbardhi.
Në emër të bashkëluftëtarëve të dëshmorit Fadil Jakupi – Fatbardhi, ka folur, Nijazi Miftari – Miloti.
“Ndjej një përgjegjësi dhe emocion të vecantë të them pak fjalë për veprën e madhe të Dëshmorit, Fadil Jakupit-Fatbardhi. Lindur e rritur në një familje bujare e atëdhetare e zemër bardhë, jo pse poezia titullohet “Fati i bardhë” por nga se i flen karakterit të tij, sjelljes së tij me bashkëluftëtarë e miq, nga virtytet e tij me rrezatim miqësor e atdhetar, nga veprat dhe përkushtimi i tij për liri dhe paqe në trojet arbërore, si dhe gjithësesi edhe nga dukja e jashtme e një djaloshi bjond. I bekuar nga Perëndia me tipare të vecanta. Ne ndjehemi krenar dhe me fat që e njohëm”, ka thënë ai.
“Në kohët e liga që jetonim, me liri dhe gëzim të mohuar, në përbuzje dhe nëpërkëmbje të dinjitetit kombëtarë e njerëzor, familje e përvuajtur ndër breza nga regjimet e njëpasnjëshme serbe, Bardhi, edhe pse i ri në moshë merr vendim të madh, duke u radhitur pa hezitim në radhët e UÇK-së, përmes ZOK-ut fillimisht në ZO të Llapit, duke u brumosur dhe kalitur ndër betejat e lavdishme në Llap e Gollak e pastaj edhe në Karadak. Bardhi ishte zemër-madh i dashur dhe i qetë me bashkëluftëtarë por i ashpër me armikun, Vigan i vërtetë dhe i pa kompromis ndër beteja”, ka vijuar më tej në fjalën e tij Njazi Miftari – Miloti.
Fati i bardhë
I patundur në bindjen e tij, se këto troje meritojnë Liri
Atdheu është fole, dhimbje, vuajtje e shpresë
Por, është edhe gëzim, ndjenjë e dashuri
Është brumosje atdhetare, është histori e kujtesë.
Me zemër të madhe e shpirt të trazuar
“Un jam zog i shqiponje, vetëm qiellin njoh mbi mua”
Me pushkën top për kreshtat e shqipes së bekuar
Deri në vendin e lindjes, në folenë e praruar
Në pëllëmbë të dorës e kishte lirinë
I fali atëdheut jetën, pas agimit të arrirë
Veç mundimeve, vuajtjeve dhe moton e jetës së mirë
Ishte mishërim e flijim për atdhe të lirë.
U vërsul mbi bisha, mbi fundërrina e tradhëtorë
U flijua për breza, për tokën shqiptare u bë therror
Në lule të rinisë e sfidoi vdekjen, u përjetësua në Altarin e Lirisë
Kjo është vepër e çmuar, BARDHI – DËSHMOR MERITOR.
Sa herë që vizitoj dhe përkulem para Altarit të Tij
I papërmbushur, i vogël, i pafuqishëm ndjehem para veprës së Tij
Ai iku, iku drejt pavdeksisë me vrullin dhe vendosmërinë e Tij.
Bardhi e deshi shumë jetën, përmbushi dhe jetësoi vetën
“Për Liri e Atdhe askush s’mund të ma marr jetën,
Unë e jap vetë jetën”.
(Poezi nga Nijazi Miftari – Miloti, kushtuar dëshmorit Fadil Jakupi – Fatbardhi)
Vepra sublime e dëshmorit Fadil Jakupi – Fatbardhi, u nderua edhe nga bashkëluftëtarë të tjerë, ndërsa iu bënë nderime e homazhe fillimisht te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, me c’rast u evokuan kujtime e mbresa nga pjesëmarrsit.