“Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht shënimet e mia”, Krasniqi i drejtohet me tri lutje trupit gjykues
Jakup Krasniqi i është drejtuar me tri lutje trupit gjykues në fjalimin e sotëm, derisa tha se “Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht” shënimet e tij.
“Mos lejoni që të keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës”, ishte kërkesa e parë e Krasniqit.
Kërkesa e dytë e Krasniqit ishte që përshkrimet e librave të tij të mos përdoren si dëshmi për vepër penale.
“Kërkesa e dytë: Mos lejoni që shënimet e mia, përshkrimet e librave të mia shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale, siç pretendon ZPS”, tha Krasniqi.
Ai përmendi edhe pjesën e komunikatave, ku iu referua asaj çfarë është thënë në aktgjykimet liruese për Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
“E treta për komunikatat. Unë po lexoj atë që është thënë në vendimin për lirimin e Fatmir Limës në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës: “Komununikatat si material propagandistik ishin rritja e respekti për UÇK’në dhe autoritetit të saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin.” E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj”, deklaroi Krasniqi.
Në fund, Krasniqi tha se “Prokuroria i ka keqpërdorur skashmërisht” shënimet e tij, duke shtuar se ato s’janë dëshmi.
“Ju lus që materialet të mos keqpërdoren, se unë mendoj, shënimet e mia për të shkruar libër, Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht, familjen time. Ka marrë materiale të shumta, ka marr edhe letrat e mia që i kam dërguar nga burgu, por ato nuk janë kurrfarë dëshmie për të cilat po pretendon Prokuroria”, tha Krasniqi. /express/