Nën udhëheqjen e kryetarit Hyseni, mbahet takimi i Bordit të AZHR-Lindje
Gjilan, 24 shkurt 2023 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në cilësinë e Kryesuesit të Bordit të Agjencionit për Zhvillim Rajonal (AZHR) Lindje, mbajti mbledhjen e rregullt të Bordit të Agjencisë, në të cilën morën pjesë shumica e kryetarëve të Komunave të rajonit Lindje.
LEXO EDHE:
Kryetarët e Komunave gjate takimit patën diskutim të frytshëm rreth sfidave të përbashkëta si dhe mundësitë për bashkëpunim në projekte ndër-komunale dhe rajonale.
Çështjet të cilat u diskutuan në këtë takim, ndër të tjera, ishin edhe projektet e rrugës rajonale Gjilan-Ferizaj, Rruga Begracë-Kacanik i vjetër, zhvillimi i turizmit në rajonin Lindje, rehablitimi i shtratit te lumit “Morava e Binçës”, menaxhimi i integruar i mbeturinave etj.
Bordi i AZHR Lindje u dakordua që bashkërisht të adresojnë këto projekte të përbashkëta prioritare dhe të kërkojnë mbështetje financiare tek ministritë relevante të Qeverisë Republikës së Kosovës përmes dhënies prioritet gjatë planifikimit për vitin e ardhshëm.
Këto projekte u vlerësuan tejet të rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të rajonit lindje, e posaçërisht në aspektin e lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, zhvillimin e turizmit si dhe mbrojtjen nga vërshimet dhe rritjen e agro-bizneseve në rajonin lindje.
Në këtë mbledhje, gjithashtu, u miratua raporti i punës së Agjencisë për vitin 2022.