Abazoviqi : E rrita pagën mesatare në 720 euro, dhe prapë u shkarkova
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë vizitës në Tiranë me ftesë të kryeministrit Edi Rama, ka folur për arsyen e shkarkimit të tij.
Ai thotë se edhe përkundër rritjes së pagës mesatare nga 550 në 750 euro, parlamenti malazez e shkarkoi.
“Ne kemi ofruar modelin që mund të jetë produktiv për Malin e Zi, dhe jam shumë krenar për të arriturat në 8 muajt e fundit në Mal të Zi. Papunësia në Mal të Zi është në nivelin më të ulët historik. Ju them këtu se rroga mesatare në Malin e Zi nga 550 euro ka shkuar në 720 euro”, tha ai.
Tutje, ai tha se qeveria e tij, tashmë teknike, po punon më mirë sesa kur e kishte mandatin e plotë.
“Është një konfuzion politik por qeveria, pa marrë parasysh se është në mandatin teknik, punon pa restriksione. Punon më mirë se kur ka qenë në mandatin e plotë pasi ata njerëz që nuk e kanë gjetur veten aty ndoshta kanë bërë gabim. Mund të dukem pak arrogant se nuk i shoh gabimet tek vetja edhe pse ata ekzistojnë dhe janë prezentë”.
Ai tha se qeveria e tij ka pasur agjendë qendrore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa theksoi se pati njerëz që nuk u pëlqeu kjo, prandaj edhe u rrëzua qeveria e tij.
“Qeveria është shkarkuar pasi që disa njerëz që në fillim e kanë përkrahur qeverinë, kanë dashur që ne të shkëputemi nga agjenda e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne s’kemi dashur të shkëputemi nga ajo, ka qenë agjenda jonë qendrore”, potencoi Abazoviqi, teksa pranoi se shkarkimin e qeverisë së tij e ka nxitur presidenti malazez, Milo Gjukanoviq.