Poezia e Ibrahim Kadriu
Duke pasur parasysh se kijimtaria e Ibrahim Kadriu përfshinë një laryshi të madhe si në poezi ashtu edhe në tregime, novela, romane e drama, kjo analizë në fokus e ka vetëm poezinë e këtij autori, gjegjësisht bazohet në përmbledhjet poetike si: “Shkëmbësi e rrënjëve”, “Dhembje të murosura”, “Frymëmarrje në shtjellë”, dhe “Psherëtima vetmie”.
Pra, poezitë e Ibrahim Kadriut mund të studiohen kah aspekti gjuhësor, stili, figurat shprehëse e deri te gjetjet e lidhjeve intertekstuale me letërsinë shqipe e atë botërore.
Shkruan: Kaltrina Berisha
Autenticiteti i poezive të Ibrahim Kadriut qëndron te idetë poetike e te motivet e marra nga jeta e zhvilluar në trojet shqiptare, andaj jo rastësisht edhe toposet brenda secilës përmbledhje poetike janë të emëruara nga viset shqiptare, duke filluar nga fshati e shtëpia tek: Atdheu, Shkodra, Buna, Rozafa, Ulpiana, Karadaku (poezia Kohë e varur në litar), Zhegra, Kroi i ilaçit, Bllaca e Therandës, Prishtina, Ulqini, Shqipëria, Molla e kuqe e Çamëria në poezinë “Gjeografia e etur” etj.
Përveç toposeve si ide poetike, poezia e Kadriut shquhet edhe për motivet e marrura nga jeta reale, pra fjala është për poezitë që janë shkruar për njerëzit më të dashur të autorit si: poezi kushtuar vëllait “Matanë lojës”, poezia për motrën “Ti nuk kishe kohë”, e deri te figura e lavdishme e Skënderbeut, e për te vazhduar me shkrimtarët më të dashur si: Ndre Mjedja, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Garsia Lorka, Mirko Gashi e deri te Agron Tufa, si dhe për personalitet e shquara Idriz Seferin dhe Agim Ramdanin.
Sipas Tomas S. Eliot, shpeshherë poetët dallohen nga paraardhësit e tyre pikërisht nga korpusi i pjesëve individuale të krijimtarisë së tyre që njëherazi cilësohen të jenë edhe si pjesët më të mira të krijimtarisë së tyre, me çrast këta autorë edhe e fitojnë pavdekshmërinë. Individualja në këto poezi është krijuar nga përpunimi i vazhdueshëm i pathos (emocioneve) duke i dhënë poezive një efekt të tërësishëm bashkë me gjuhën ekspresive e figurat stilistike, atë që Hajdegeri e përkufizon si qenia banon në gjuhë. Vargu i lirë, gjuha specifike e shprehur me gjuhën e zakonshme të popullit mirëpo e skalitur artistikisht, struktura, tingulli, ritmi janë karakteristika të gjuhës që e shpalosin qenien artistike brenda vëllimeve poetike mirëpo me atë mjeshtri që këto poezi të mos shndërrohen në shfrenim emocionesh po të mbërrijnë nivelin artistik impersonal. Që do të thotë se edhe poezitë më personale të autorit në fjalë, si ato që i referohen njerëzve të dashur të familjes, si ato poezi që për topose kanë atdheun, shtëpinë, vendet e preferuara të autorit ato asnjëherë nuk kalojnë në piedestal të shfrenimit të emocioneve, ngase idetë e motivet me mjeshtëri skaliten dhe bëhen universale për artin e për lexuesit e mundshëm. Rrjedhimisht “pathos” mishërohet në “topos”.
Autori në fjalë, përveç se i riaktivizon modelet e një ambienti autokton si Kosova, konkretisht Karadaku, në poezinë e tij paraqitet relacioni mes fjalës e figurës, duke i ndërtuar ato përmes imazhit simbolist aq sa konteksti del të jetë shumë më i thellë, duke e bërë poezinë të jetë urë lidhëse mes së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Këto poezi shquhen edhe për kah dendësia e mendimeve, ekzistenca që lidhet me aktualen, dyshimet e brendshme, paradokset shoqërore të kohës, portretizimi i shkrimtarëve dhe i figurave historike, emërtimi shkak-pasojë përballë situatave absurde, ekzistencializmi i jetës dhe imazhi i vdekjes e deri te problemet sociale që i parasheh koha e ardhme si hibridizim me filozofinë jetësore. Metafora, epitetet, simboli, personifikimi, krahasimi janë vetëm disa prej figurave me anë të së cilave bëhet thyerja e klisheve dhe të njejtën kohë autori dallohet nga autorët e tjerë. Derisa Azem Shkreli poezitë për ditën e premte i ndërlidh si figurë, apo perceptim të dhimbjes e vuajtjes, Rrahman Dedaj identifikohet për poezitë që i referohen të martës, Ibrahim Kadriu shënjon ditën e shtunë, ditë kjo e cila zë vend edhe në disa prej poezive të Shkrelit, veçse në këtë vëllim e shtuna trajton një pikë kthese që e përmbys rutinën e ambientit social.
Ndërsa poezitë refleksive cilësohen të jenë: “Ora ime”, “Dinte tash ku kishte lindur”, “Kohë e murosur”, “Prapë hapa”, “Vdekja moderne” , “Nga ajo ditë e te kjo ditë”, “Qyteti im i strukur në kujtesë”, “Duke pritur autobusin urban” etj. Pra, në këto poezi trajtohet fati jetësor si lajtmotiv i pritjes, p.sh në poezinë “Nga ajo ditë e te kjo ditë”.
Poezia “Nga ajo ditë e te kjo ditë”
Jam nisur në shtegtim që s’ka të sosur
patericat e forta, të gdhendura më së miri
te dera e shtëpisë ndenjën mbështetur gjatë
të m’i ruanin gjymtyrët e lënduara dhe eshtrat
në terrenin e çelur për gara në kokën time1
Kurse shpërthimi i ironisë përballë situatave të absurdit tek poezia “Duke pritur autobusin urban”.
Poezia “Duke pritur autobusin urban”
“Ai pret
unë pres
rastin ta bëjmë lëvizje
të përbashkët kemi
autobusin urban
dhe shikimet
Ai s’di ku shkoj
unë s’di ku shkon
e qëndrojmë në një rrugë
që çon në një adresë
varri
Poezia e Ibrahim Kadriut përveç që shquhet si imazhiste meqë identifikohet me tokën e vet, me figurat kryesore si: djepi, bjeshka, kënga, nëna, kulla, kopshti, fshati që burojnë e rrjedhin nga përjetimet fizike, mendore e shpirtërore nga toposi i tillë, ndryshe identifikohet edhe si poezi refleksive, sepse ka frenim të emocioneve dhe dendësi të mendimeve e filozofisë madje edhe të absurdit, që jepen përmes figurave simbole që i pasurojnë edhe më shumë artistikisht këto vëllime poetike.