Shenjëzimet në rrathët instrumentalizuese
Romanet e Ibrahim Kadriut të marrë në shqyrtim, kornizojnë ngjarje dhe aktualitete të ditura, por të pashkruara në gjersinë e trajtueshmërisë së duhur. Romani ‘’ Kalorësi i Karadakut’’ (2007), ‘’Në vajhall’’ (2008) dhe romani ‘’Misioni rus’’ (2016) brenda faqeve të tyre artikulojnë gamën e dhëmbjeve të gjata të njeriut tonë.
Shkruan: Nexhat Rexha
Ibrahim Kadriu në këto shtjellime artistike ka integruar në shpalosje fatin e njeriut të tij. Ai ka depërtime të thella nëpër këto vlime historike, të cilat kanë krijuar klimën plitike në instrumentalizim të dhunës deri në gjenocid të popullatës autoktone shqipatr. Platformat programore të diktateve administrative pushtuese serbe nën obrellën ruse kanë vepruar pashkëputshën ndaj popullatës shqiptare.
Të gjitha këto shenjëzime janë vënë në funksion të “rrathojave” të dhunës dhe diktateve të kodrinuara në programe të kodifikuara.
Në këto tri vepra Ibrahim Kadriu ka identifikuar fatin dhe ecjet e njeriut tonë nëpër këto luftëra të instrumentalizuara, krejt me qëllim të dukshëm nëpër këto vite të njohura për historinë Ballkanike dhe Europiane, mirëpo të pa shpalosura deri sot si në veprat e Ibrahim Kadriut.
Problematika e romaneve të marra në shqyrtim, riaktualizon kohët nëpër të cilat kanë kaluar e kalojnë fatet tona. Historia dhe letërsia i lidhin kohët në mes tyre, e dallueshmja qëndron në faktin historik, si ngjarje dhe të shënuara si karakteristika të vendosjes së rendit botëror. Ndërkaq, letërsia nëpërmes narracionit dhe portretizimit të ngjarjeve e protagonistëve ka depërtime deri në intimitete të dukshme e të padukshme.
Ibrahim Kadriu këtyre ngjarjeve u jep shpirt, dhe ai shpirt depërton në përjetimet më të thella të këtyre proceseve nëpër kohë e luftëra të ndryshme.
Periudha e trajimeve në këto romane të Ibrahim Kadriut përfshinë përafërsisht ngjarje të dy shekujve të kaluara, deri në përfundimin e luftës së fundit në Kosovë, në vitit 1999. Luftërat turke gjatë shekujve kanë luajtur rolin e tyre në sundimin e shteteve Ballkanike, e në këtë relacion luftërash, populla shqiptare ka humbur më së shumti në mbrojtjen e territorit të saj. Dhe këto rrethana kanë ndikuar që nëpër konferencat Europiane, si ajo e Berlinit, konferenca e Londrës dhe të tjera, të diktojnë copëtimin e tokave shqiptare, gjithnjë në uzurpim të tyre nga Serbia dhe shtetet fqinje. Nëpër këto fate nga më të këqijat, pësoi njeriu e trolli ynë.
Ibrahim Kadriu, duke e njohur këtë realitet, që me përmbledhjen e parë poetike ‘’Netët e Karadakut’’ (1969), fillon programin artistik e jetësor në ndriçim të zhvillimit të këtyre proceseve politike. Për të krijuar në kontinuitet veprimtarinë e tij letrare, si në romanet: ’’Kroi i ilaçit’’ (1982); ‘’Ethet e një dimri’’ (1983) dhe romani ‘’Loja e fundit’’ (1993), për të vazhduar te veprat tjera.
Në romanin ‘’Kalorësi i Karadakut’’, në brendi të ngjarjeve zhvillohen luftërat për liri, në periudhën e luftërave Ballkanike, atëherë kur Perandoria Osmane ishte në largim nga vendet e pushtuara.
Figura qendrore në romanin ‘’Kalorësi i Karadakut’’, i cili njëherit është edhe bartësi i ngjarjeve dhe udhëheqësi shpirtëror i kesaj treve, Idriz Seferi, me një galeri personazhesh krijojnë portetin më të lartësuar të këtyre ngjarjeve, me prijësin e këtyre betejave, me bashkëkohanikët e trevave tjera që mbronin idealet për liri, si me: Mic Sokolin, Isa Boletinin, Dedë Gjon Lulin, Mehmet Shpendin dhe personalitete të tjera që idealizuan mbrojtjen e tokave shqiptare.
Lufta e Idriz Seferit në Kaçanik dhe çlirimi i Shkupit janë betejat më frymëzuese për bashkëluftëtarët e tij. Në këto rrethana kohore luftëtarët nën udhëheqjen e tij komunikojnë me titullin e romanit ‘’Kalorësi i Karadakut’’, çka lexuesi i sotëm arrinë të përjetojë gjatë leximit klimëm dhe idealet e luftëtarëve të Idriz Seferit për liri.
Largimi i Turqisë nga Ballkani dhe aspiratat shfarosëse serbo-ruse ndaj populltës dhe pushtimit të tokave shqiptare, e bënë që Indriz Seferi në fund të jetës së tij, ka lënë edhe mesazhin e dialogimit me të birin e tij:
- – ‘’E sheh, i mbusha tetëdhjetë vjet dhe ende nuk e kam kuptuar mirë shëndetin e popullit. I sheh sorrat?
- – Po babë!
- Mirë që i sheh, edhe unë po i shoh. Mjerë ato që sillen si të humbura në qiell… A po i sheh? – i tha Idrizi të birit kur e vërejti habinë e tij.
- – Po, babë po i shoh, bëjnë fluturime të çuditshme.
- – Të çuditshëm jemi edhe ne, biro…! Ne shqiptarët!
- – Ëhë, lëvizi kokën Idrizi, duke mbajtur gojën mbyllur.
- – More Qazim, vazhdoi, duke tërhequr për krahu të birin që t’i ulej afër mbi shtrat – U munova tanë jetën me ba këtë vend Shqypni, po zor tek koka, bre!
- – Babë, mundi yt dhe i shokëve tu nuk do të shkojë kot’’.
Fjala e Idriz Seferit edhe në frymëmarrjen e fundit lëshoi kushtrimin për liri. Personaliteti i tij në romanin ‘’Kalorësi i Karadakut’’, shkëlqen në idealizim dhe portretizon personalitetin e tij atdhetar si dhe frymëzon gjenaratat që vijnë nëpër kohë.
Romani ‘’Në Vajhall’’, i Ibrahim Kadriut është vazhdimësi e mendimit artistik në mënyrën e rrëfimit si dokumentaritet, e shtrirje nëpër kohë e rrethana të krijuara me të njëjtin dimension të elaborateve të mëparshme ndaj popullatës shqiptare.
Ngjarjet në roman përfshijnë periudhën pas Luftës së Dytë Botërore me programin Jugosllav të asaj periudhe, të vënë në funksion në vitin 1947-1952, me tagrën e grumbullimit të tepricave (“Vishak”-ut), për të vazhduar me metoda më perfide, e me theks të veçantë ndaj popullatës shqiptare deri në vitin 1999. Me qëllim të maltretimit dhunues dhe krijimit të pakënaqësive për shpërngulje të shqiptarëve në Turqi. Për të vazhduar me procese nga më të ndryshmet politike kundër mendimit të lirë të gjeneratës së re.
Në ato vite të pasluftës kompozita ‘’vaj-hall’’, u bë refren në çdo trevë e familje shqiptare. Protagonistët e romanit janë real, njëkohësisht ata lidhin ngjarjet nga brezi në brez, si realitet i përjetimeve nëpër këto periudha, të cilat karakterizojnë proceset e zhvillimit shoqëror. Personazhet si: Halla Zylë, Ballori i hallës Zylë, Gojko, Stana, pastaj Balo Barku, i cili lidhë ngjarjet që nga fëmijëria e deri në fund të përfundimit të romanit, që në një mënyrë personifikon bartësin e të gjitha ngjarjeve të romanit.
Pra, autori identifikon ndjeshmërinë e përjetimeve intime në realizim të ruajtjes së kujtesës, si realitet i përjetuar. Protagonistët negativ si; Daut Çeli i vën në shërbim të UDB-së, Gojko me mision i ardhur nga Serbia, vepruan e punuan gjithnjë në dëm të njerëzve të ndershëm, duke i shërbyer politikës Serbe. Kurse në anën tjetrë, protagonistët pozitiv veprojnë në rrehthana të vështira, si: Ballori i hallës Zylë, Ajet Zadaku, Astrit Paloku i burgosur politik dhe i vrarë në radhët e UÇK-së nga serbët, Acë pijaneci e ndonjë tjetër bartin karakterin e njerëzve me tipare humane.
Në roman autori ka paraqitur edhe protagonistë real, si: Ibrahim Lipovica, pastaj Hasan Alia-Remniku, Musuesi Mastafë (Hetë Koka), profesor Agani, Agim Ramadani, Ukë Lushi, përmendet edhe vrasja e poetit Ymer Elshani me familje etj. Në këto portretizime, autori i jep fymëmarrjen me reale romanit, duke i ndëlidhur ngjarjet nëpër dekada, si ato të vitit 1981 deri te Lufta e UÇK-së. Problematika e shtjelluar në roman ka depërtime të thella për të gjitha ndjekjet shoqërore që ka bërë UDB-ja, nga shkollari më i vogël deri te njeriu me pozita më të larta shtetërore.
Romani ‘’Në Vajhall’’, në tërësinë e shtjellimit në dy vëllimet e tij, përforcon idetë e autorit dhe determinon një periudhë komplekse për ekzistencën e njeriut tonë për gjysmë shekulli.
Romani ‘’Misioni Rus’’, që nga botimi i parë më 2016 e deri në ditët e sotme është romani më i lexuar, i cili ka zgjuar kërshërinë e të gjitha shtresave të lexesve. Problematika e shtjelluar brenda librit ka rikthyer memorien e njeriut tonë nëpër kohët e përfoljeve të gjata, se misionarët rusë ishin edhe predikues të fesë në shumë xhami të vendit tonë. Këto përfolje kishin bazën e vërtetësisë, mirëpo e vërteta nuk gjendej e shkruar në faqet e historisë shkencore.
Letërsia në shumë raste ka ushqyer me të dhëna faktografike shkencën e historisë. Përmes personazheve, të cilët me rrëfimete tyre, e të mbijeturëve kanë ofruar mundësi hulumtimi për ndriçimin e ngjarjeve më makabre në shoqëri të ndryshme.
Në këto realitete kohësh romani ’’Misioni rus’’, ka shkundur pluhurin e harresës dhe ka shpalosur këto rrethana historike, të projektuara në institutet ruso-serbe për ç’rrënjosjen e etnitetit tonë.
Ibrahim Kadriu me këtë vepër dhe vepra tjera ka arritur të shtjellojë ngjarje misterioze para dhe në mes dy luftërave botërore.
Protagonistët e romanit janë të shumtë, të cilët bartim mbi vete detyrime dhe përgjgjësi. Të parët janë mbrojtësit e atdheut dhe mashtrimet diplomatike nëpër këto luftëra, e të dytët janë misonarët e përgatitur në Qendrën Misionare në Shën Petersburg të Rusisë, përmes shkollave të specializuara në krye me Ruslan Nikollain dhe bashkëpunëtoren e tij Tatjana Vollovnën. Me emrin konspirativ Emine Brajari. Misioni i tyre ishte në përgatitjen e rapoteve për konsullatat ekzistuese në Ballkan. Këto dhe ngjarje tjera, kërkonin hulumtime deri në skajshmëri. Takimi i Emine Brajari -Tatjana Vollovnën me Edit Durham dhe miqësia e tyre rikthen në pendim të veprave të bëra nga misionarët rus.
Në bisedën që bënin gjatë udhëtimeve në trevën Shkodrës, Edit Durham, me një rast, gjatë një bisede i thotë: ’’Të kuptoj,- ndërhyri Edit Durham. Por, rusët gjithmonë kanë bërë lojëra diplomatike. Atyre nuk iu dihen prapaskenat. Megjithëkëtë, iu dihen planet, misionet, edhe kur dështojnë. Edhe pas dështimit ata nuk tërhiqen, bëjnë plane tjera. Më duhet të them, moj mike, se plani i Rusisë, për shembull, për ta mbajtur Ballkanin në ethe, gjithherë ka qenë aktual’’.
Atë që e pohoi Edit Durham në kujtimet e saj e konfirmon edhe Noel Malkom, studiues i rrethanave shoqërore shqiptare në librin e tij ’’Kosova një histori e shkurtër’’, në kapitullin – Reforma dhe rezistenca, thotë: ’’Të gjitha këto veprimtari të bashkësisë serbe patën përkrahjen financiare ose të shtetit gjithnjë autonom të Serbisë, ose të Rusisë, mbrojtëses kryesore të saj në skenën ndërkombëtare’’.
Të gjitha ngjarjet e këtyre veprave kanë lidhshmërinë e tyre në depërtime e shpalosje të identitetit tonë, të cilat ofrojnë dëshmi e fakte reale, për këto periudha të trajtimit të tyre, sikur edhe në veprat tjera të Ibrahim Kadriut, janë artikualuar ngjarje e periudha të caktuara kohore.
E rëndësishmja dalluese në këto romane të Ibrahim Kadriut, qëndron në narracionin e kuptueshëm të narratorit me lexuesin, i cili përmes protagonstëve i krijon mundësi lexuesit të bëjë interkomunikim me ngjarjet dhe i ofron mundësi të depërtojë, përjetojë në galerinë e fokusuar të idesë dhe mendimit të peshuar në mesazhet e dhëna brenda tekstit.
Autori në të gjitha dialogimet e protagostëve kryesorë që kanë kryer misione të këtilla i ka kornizuar në veprimet e bazuara në realitetet që ka prodhuar koha, ata bartin shenjëzime dhe krijojnë rrathët e funksionalizimit të observuar në dominim të veprimit konkretizues. Si të këtillë ata kanë vepruar në zhdukjen e realiteteve ekzistuese.
Shtjellimi i këtyre romaneve komunikon me realitetin dhe ruan në kontiniutet verdiktin e njeriut tonë. Pena e Ibrahim Kadriut ka skalitur bukur mendimin artistik në shtrirje të përmasave stilistike, gjithnjë me brumosje e kolorit autokton. (Gjilan më 12 nëntor 2022)