Katër skenarët se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë.!
Ndonëse situata në Ukrainë ndryshon nga momenti në moment, janë analizuar 4 skenarë të besueshëm se si mund të përfundojë ky konflikt.
Skenari nr.1: Ukraina reziston, dhe Putini nis të tërhiqet me turp
Sipas këtij skenari, në kushtet e kostove shumë të larta për aventurizmin e tij, shoqëruar me kolapsin ekonomik dhe izolimin diplomatik, Putin urdhëron me turp një tërheqje të trupave të tij. Ukraina mbetet një demokraci sovrane, ndërsa humbja e Moskës shton ndjeshëm pakënaqësinë e brendshme që tashmë nis të shfaqet në të gjithë Rusinë.
Putin nis të fokusohet në kërcënimet e brendshme në rritje ndaj pushtetit të tij. Megjithatë, situata e sigurisë në Evropë nuk do të rikthehet në statuskuonë e paraluftës. Lufta e shkurtër ka shkaktuar mijëra të vdekur nga të dyja palët. Dhe ndonëse një Ukrainë demokratike del relativisht e paprekur nga ky konflikt, fqinji i saj ende i rrezikshëm përballet me një të ardhme të pasigurt, dhe me një peizazh politik rus në pragun e një pike kthese. Nëse Rusia do të anojë drejt një autoritarizmi më të madh apo total nën Putin, kjo do të përcaktojë kryesisht edhe sjelljen e Moskës me pjesën tjetër të botës.
Skenari 2: Konflikti shndërrohet në një “moçalishte” pa një fitues të qartë
Pas disa javësh luftime intensive në Kiev dhe qytete të tjera të mëdha, Rusia ia del ta rrëzojë qeverinë e Ukrainës dhe të vendosë atje një regjim kukull. Megjithatë, as forcat e armatosura të Ukrainës dhe as popullsia e saj nuk janë gati të dorëzohen. Përkundrazi popullata organizon një kryengritje me bazë të gjerë, të mirë-armatosur dhe mirë-koordinuar kundër pushtuesve.
Duke përsëritur një model të parë diku tjetër në botë, kryengritja ukrainase i imponon Rusisë një kosto të madhe e të qëndrueshme njerëzore dhe financiare, e cila është e detyruar të shpenzojë shumë më tepër nga burimet e saj për një periudhë shumë më të gjatë kohore nga sa e kishte parashikuar.
Telashet për Moskën shtohen nga mbështetja e jashtme për kryengritësit. Vendet e NATO-s ofrojnë ndihmë të fshehtë, por shumë të fuqishme mbrojtëse për rezistencën ukrainase. Konflikti boshatis arkën e shtetit duke e detyruar në fund Moskën të tërhiqet pas shkaktimit të një kasaphane të vërtetë.
Prestigji i Putinit në sytë e rusëve është i rrënuar, ndërsa pozitat e tij lëkunden teksa elitat dyshojnë nëse ai është i aftë të vijojë të drejtojë Rusinë. Shumë rusë nisin të shprehin në rrugë zemërimin e tyre për situatën ekonomike të Rusisë, dhe zbehjen e peshës globale të vendit të tyre.
Skenari nr.3: Ngrihet sërish një “Perde e Hekurt”
Në fund Ukraina bie në duart e Rusisë. Pavarësisht rezistencës së madhe, forcat ruse arrijnë të marrin kontrollin e vendit përmes përdorimit të armëve dhe taktikave gjithnjë e më brutale. Rezistenca kundër një qeverie kukull të vendosur në Kiev nga Putini mbetet e fortë edhe është e gjithë-pranishme, por ajo shtypet me forcë dhe nuk rezulton aq e fortë sa të përbëjë një sfidë të rëndësishme për forcat ruse që mbeten në Ukrainë.
Një “Perde e re e Hekurt” ngrihet në Evropën Lindore, duke kaluar përgjatë kufijve të shteteve baltike në veri, përmes atyre si Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Rumania në jug. Ndërsa Rusia përballet me kosto të mëdha ekonomike, Putini e forcon pushtetin e tij brenda vendit, duke shtypur akoma më me forcë çdo zë kundër.
NATO është më e bashkuar përballë një Moske mëtë guximshme, por është e detyruar ta pranojë se ka mundësi shumë të kufizuara për të zhbërë humbjen e Ukrainës. Suedia dhe Finlanda i bashkohen Aleancës për të forcuar sigurinë e tyre kundër planeve revanshiste të Moskës.
Ashtu si me “Perden e parë të Hekurt”, përçarja e re në zemër të Evropës sjell me vete një listë të njohur rreziqesh dhe pasigurish. Trupat e NATO-s dhe ato ruse, e shikojnë tani njëra-tjetrën përtej një kufiri të militarizuar rëndë, duke ngritur herë pas here perspektivat e një konflikti të drejtpërdrejtë
Skenari nr.4: Një luftë NATO-Rusi
Skenari më i rrezikshëm për të ardhmen e Evropës dhe rendit global,është ai në të cilin konflikti në Ukrainë, krijon terrenin për një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis NATO-s dhe Rusisë. Dhe kjo mund të ndodhë në shumë mënyra. Për shembull, NATO mund të vendosë ta përshkallëzojë përfshirjen e saj në Ukrainë, duke u përpjekur të garantojë një zonë të ndalim-fluturimit ose një formë tjetër të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë.
Për momentin, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s e kanë refuzuar këtë lëvizje. Por gjërat mund të ndryshojnë nëse Rusia vazhdon të përshkallëzojë bombardimet e saj ndaj civilëve në Ukrainë. Në ato kushte, Rusia do të detyrohet të vendosë nëse do të tërhiqet apo do të angazhohet të përplaset direkt me forcat ushtarake të aleancës.
Nëse zgjedh këtë të fundit, rreziku i një konflikti të armatosur në përshkallëzim midis NATO-s dhe Rusisë do të rritet ndjeshëm. Një perspektivë e frikshme ka të bëjë me mundësinë që Putin të ketë plane më të gjera përtej Ukrainës.
Në rast se forcat ruse do të kenë në ditët e ardhshme një përparim të shpejtë në Ukrainë, dhe arrijnë një kontroll efektiv mbi vendin, Putini mund ta kthejë vëmendjen tek shtetet që ai i lakmon si pjesë e dëshirës për të rindërtuar një sferë ndikimi që shtrihet gjerësisht me territorin e ish-Bashkimit Sovjetik.
Dhe kandidatët për të testuar planet e tij dhe vendosmërinë e vetë NATO-s, do të ishin shtetet baltike (të cilat janë anëtare të Aleancës). Putini mund të ushqejë besimin se NATO do të tërhiqet; vetë aleanca këmbëngul se do të reagojë ashpër kundër çdo inkursion ushtarak rus ndaj një shteti anëtar.