150 familje në nevojë përfitojnë pako ushqimore në Gjilan
Ndihma u realizua nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me fondacionin Zayed for Good nga Emiratet e Bashkuara Arabe – shkruan TV Gjilani
Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me fondacionin “Zayed for Good (Sheikha Hind)” nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka nisur shpërndarjen e 150 pakove ushqimore për familjet në nevojë në këtë komunë.
Ky aktivitet humanitar po realizohet në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, me qëllim që t’u ofrohet mbështetje familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu Qerimi, bëri të ditur se shpërndarja e pakove është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale.

Ajo theksoi se përmes këtij donacioni synohet të ndihmohen familjet në nevojë, duke u ofruar mbështetje konkrete për plotësimin e nevojave bazike të përditshme.
Kadriu Qerimi shtoi se Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për mbështetjen e kategorive në nevojë, përmes bashkëpunimit me donatorë dhe partnerë të ndryshëm.
Në fund, ajo falënderoi donatorët për këtë mbështetje të vlefshme, duke shprehur shpresën që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi në realizimin e projekteve dhe iniciativave që ndihmojnë qytetarët dhe familjet në nevojë në Komunën e Gjilanit.
