
Zyrtarizohet themelimi i organizatës që mbron të drejtat muzikore
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u organizua konferenca informuese “Fuqizimi i të drejtave muzikore përmes menaxhimit kolektiv” dhe u zyrtarizua Kosova Music Rights Society, organizata e re që menaxhon të drejtat e autorit në fushën e muzikës në Kosovë.

Kjo iniciativë historike synon mbrojtjen e të drejtave të autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe producentëve të muzikës, duke u mundësuar menaxhim transparent, të drejtë dhe kompensim të merituar për përdorimin e veprave të tyre artistike.
Në ceremoni morën pjesë Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, Kryetarja e KMRS-së Kaltrina Mehmeti, si dhe përfaqësues të komunitetit artistik dhe institucional.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e themelimit të KMRS-së si një hap kyç për respektimin e krijuesve kosovarë dhe integrimin e Kosovës në rrjetin evropian të mbrojtjes së të drejtave autoriale. Sekretari Bislimi dhe znj. Mehmeti nënvizuan se kjo organizatë do të jetë organi i vetëm i autorizuar për menaxhimin e të drejtave autoriale në muzikë dhe një mbështetje historike për komunitetin artistik në Kosovë.
Me këtë nismë, krijohet një sistem i qëndrueshëm dhe i besueshëm për menaxhimin e të drejtave autoriale në muzikë, duke fuqizuar zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik në përputhje me standardet evropiane.
