Zgjedhja e Presidentit sipas Kushtetutës: Kur duhen 80 vota dhe kur mjaftojnë 61 deputetë?
Me afrimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, janë rikthyer debatet lidhur me kuorumin, numrin e votave të nevojshme dhe vlefshmërinë e raundeve të votimit në Kuvend.
Aktualisht, presidentja Vjosa Osmani synon një mandat të dytë pesëvjeçar. Kushtetuta e Kosovës, konkretisht neni 86, si dhe praktika e deritanishme e interpretimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, përcaktojnë qartë procedurën që duhet ndjekur.

Çështja e kuorumit: çfarë thotë Kushtetuta?
Sipas nenit 86 të Kushtetutës:
- Në raundin e parë dhe të dytë, Presidenti zgjidhet me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit, që nënkupton të paktën 80 deputetë (nga 120 sa i ka Kuvendi) duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
- Nëse asnjëri kandidat nuk merr 80 vota në dy raundet e para, organizohet raundi i tretë, ku Presidenti mund të zgjidhet me shumicën e të gjithë deputetëve, pra me të paktën 61 vota.
Megjithatë, çështja nuk lidhet vetëm me numrin e votave për kandidatët, por edhe me numrin e deputetëve që duhet të jenë në sallë për ta bërë procesin të vlefshëm.
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese
Këto dilema janë trajtuar më parë nga Gjykata Kushtetuese, fillimisht në rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacolli, ku u konstatuan shkelje procedurale, dhe më pas në rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçi.
Në Aktgjykimin KO47/16, Gjykata ka sqaruar se:
- Për të qenë i vlefshëm raundi i parë dhe i dytë, duhet që të paktën 2/3 e të gjithë deputetëve (80 deputetë) të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
- Për të qenë i vlefshëm raundi i tretë, duhet që të paktën shumica e deputetëve (61 deputetë) të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
Kur konsiderohen të “konsumuar” raundet?
Një element kyç në interpretimin e Gjykatës është nocioni i “konsumimit” të raundit.
- Nëse në raundin e parë nuk marrin pjesë të paktën 80 deputetë që votojnë, raundi konsiderohet i pavlefshëm.
- Nëse raundi i parë është i pavlefshëm, nuk mund të vazhdohet me raundin e dytë.
- Vetëm pasi dy raundet e para zhvillohen në mënyrë të vlefshme (me minimum 80 deputetë të pranishëm dhe votues), mund të procedohet me raundin e tretë.
Pra, për të arritur në raundin ku mjaftojnë 61 vota, duhet paraprakisht që dy raundet e para të jenë zhvilluar me kuorumin e plotë prej 80 deputetësh.
Çfarë ndodh nëse Presidenti nuk zgjidhet?
Nëse brenda afateve kushtetuese Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë Presidentin, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
