UKZ përforcon edukimin joformal përmes trajnimeve mbi luftën kundër korrupsionit
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt trajnimi me temën “Format dhe ndikimi i korrupsionit në shoqëri”, i dedikuar për studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit Juridik.
Aktiviteti u hap nga Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, Dekane e Fakultetit Juridik, dhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Trajnimi synoi zhvillimin e njohurive praktike dhe etike të studentëve në fushën e integritetit publik, transparencës dhe qeverisjes së mirë, duke ofruar një hapësirë interaktive për diskutime rreth formave të korrupsionit, ndikimit të tij në shoqëri dhe rolit të institucioneve në luftimin e këtij fenomeni.
Ky aktivitet është një dëshmi e përkushtimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” për të avancuar edukimin jokurrikular dhe për të ndërtuar një kulturë akademike që promovon ndershmërinë, etikën dhe përgjegjësinë qytetare në mesin e studentëve.
