
UKZ dhe OEK nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi
Universiteti Publik “Kadri Zeka”, përfaqësuar nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe Oda Ekonomike e Kosovës, përfaqësuar nga Kryetari, z. Lulzim Rafuna, kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me qëllim të forcimit të lidhjes midis arsimit të lartë dhe sektorit ekonomik në Kosovë.

Ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi më të mira për studentët në tregun e punës, të zhvillojë projekte akademike, kërkimore dhe inovative, si dhe të forcojë ndërlidhjet midis UKZ-së dhe rrjetit të ndërmarrjeve të OEK-së, duke kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë, organizimin e praktikës profesionale për studentët e UKZ-së; zhvillimin e kurrikulave në përputhje me nevojat e tregut; hartimin e projekteve të përbashkëta për zhvillim institucional, kërkimor dhe teknologjik; organizimin e trajnimeve dhe seminareve për stafin akademik, studentët dhe bizneset; nxitjen e punësimit të të diplomuarve në rrjetin e kompanive të OEK.
Detyrimet e OEK-së përfshijnë hartimin e programeve të trajnimit, koordinimin e bashkëpunimit me UKZ-në, ofrimin e programeve praktike dhe qasjen në resurset teknike dhe operative kur është e nevojshme.
Detyrimet e UKZ-së përfshijnë konsiderimin e rekomandimeve të OEK-së për zhvillimin e kurrikulave, bashkëpunimin në realizimin e praktikës së studentëve, inkurajimin e stafit dhe studentëve për projekte bashkëpunimi, si dhe realizimin e analizave dhe studimeve strategjike për tregun e punës.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lidhjes së arsimit të lartë me industrinë, duke krijuar mundësi konkrete zhvillimi për studentët, stafin akademik dhe bizneset në Kosovë.
