`TUBA Fest` mbledh të rinjtë shqiptarë në Kalanë e Rozafës
Shkodra mirëpret këtë fundjave “TUBA fest” mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive. Nata e parë e aktivitetit tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve sidomos të rinjve, që iu bashkuan tingujve të muzikës.
Në mjediset e kalasë, aktiviteti ofroi mbrëmje interesante për dhjetëra qytetarë ndërsa solli performancat e trashëgimisë muzikore të qytetit dhe më gjerë.
Të rinjtë patën mundësi të argëtohen në një mbrëmje speciale shtatori, edhe pse sezoni veror ka mbaruar tashmë.
Bashkia Shkodër e mirëpriti kërkesën e organizatorëve dhe ofroi bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.
Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve sjell në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.
Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, “TUBA Fest” frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne. “TUBA Fest” vijon edhe sot në Kalanë Rozafa të Shkodrës.
atsh