Monday 10 November 2025
Advertisement
Advertisement
TV Gjilani TV Gjilani
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
    • Basketboll
      • NBA
      • Superliga e Kosovës
    • Futboll
      • Superliga e Kosovës
      • Champions League
      • Europa League
      • Konferencë League
  • Kulturë
    • Teatër
    • Film
    • Letërsi
    • Arte Pamore
  • Shëndeti
  • Marketing
    • Automjete
    • Banesa
    • Konkurse
    • Lajmërime
    • Lokale
    • Njoftime
    • Pajisje teknologjike
    • Shitëblerje
    • Shpallje
    • Shtëpi
    • Telefona
    • Troje
logo
Edit Content
TV Gjilani TV Gjilani
  • most recent news
  • trending news
  • most read
  • All Video
  • Image gallery
  • more
Teknologji

Amazing Model On Site

15 June 2021
Teknologji

Sisters Land Fashion Role

15 June 2021
Teknologji

Beauty Model Working on

15 June 2021
Teknologji

Victoria’s Secret Afterparty Goes

15 June 2021
Teknologji

Best Dressed Men in

15 June 2021
Sport

Të dielën do të

8 July 2021
  • Accessibility
  • Help
  • Contact
  • About qoxag

Lajmi i Fundit

Lëshohet ashensori për personat me aftësi të kufizuara në administratën e komunës

Dyshimet për manipulime në Mitrovicë, reagon KQZ: Gabim teknik

UKZ pjesëmarrëse e Konferencës Ndërkombëtare STEM-PD 2025 mbajtur në Stamboll

Arbër Ismajli në Gjilan, mori më pak vota dje sesa më 12 tetor!

Rikthehen seancat në Hagë, sot nis dëshmia e Christopher Hill

Pas rrebesheve në fillim të javës, kthjellimet rikthejnë atmosferën e qetë – mëngjeset mjaft të

UKZ: Vazhdohet afati për regjistrimin e lëndëve dhe regjistrimin e semestrit dimëror në nivelin bachelor

Komuna e Gjilanit prezanton ndriçimin publik, Kryetari Hyseni: Pamje fantastike nga sheshi i ndriçuar gjithandej

Arian Tahiri e uron Faton Pecin për fitore: Rezultati është vullnet i qytetarëve

KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar 273 mijë e 666 qytetarë, apo 20.78% e

 Timo Merkuri – Qasje eseistike… KUR HESHTJA RRJEDH SI POEZI, ose filozofia e ndjesisë te Klejda Plangarica
Kulturë Letërsi

Timo Merkuri – Qasje eseistike… KUR HESHTJA RRJEDH SI POEZI, ose filozofia e ndjesisë te Klejda Plangarica

10 November 2025 0 Comment 31 min read

AA

Cikli poetik “Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim” i Klejda Plangaricës, i botuar për herë të parë në revistën AGMIA, organ i Asosacionit alternativ të shkrimtarëve të Kosovës, “Beqir Musliu” në Gjilan më 7 tetor 2025, është një udhëtim i qetë përmes territ të shpirtit njerëzor, një kalim i butë nga mungesa te përmbushja, nga heshtja te fryma.

Ndoshta, poezia lind pikërisht aty ku njeriu s’mund të flasë më, aty ku ndjenja kërkon strehë në dritën e fjalës. Në këtë univers poetik, pritja nuk është thjesht një ndalesë në kohë, por një mënyrë e të qenit, një përvojë e ndërgjegjes që endet nëpër boshllëqet e dashurisë, të kujtesës dhe të vetë identitetit.

Shkruan: Timo Merkuri

Klejda Plangaricës i mjafton një imazh, një ndriçim i papritur, një thërrmijë kujtese, për të ngritur një botë të tërë ndjenjash, madje mund të themi se poezia e saj përthith filozofinë e ekzistencës përmes dritës së fjalës. Kjo ndjesi nuk është e mbyllur në trupin e gruas, por rrezaton në një mall kozmik, në një përthyerje të qenies njerëzore që kërkon të mbijetojë përmes kujtimit, dashurisë dhe pritjes.

Ky cikël është interesant sepse ngrihet i tëri mbi estetikën e heshtjes, ku fjalët janë si rreze që nuk ndriçojnë gjithçka, por ndihmojnë lexuesin të shohë në errësirën e vet. Ato nuk shpjegojnë, ato hapin shtigje; nuk kërkojnë të bindin, por të prekin. Brenda këtij territori poetik, lexuesi ecën si në një tempull drite, ku çdo varg bëhet një puls i jetës, që rrjedh mes mungesës dhe kujtesës. Në këtë cikël drite, çdo poezi është një etapë kërkimi, një përpjekje për të gjetur një të vërtetë që nuk thuhet dot me fjalë, por që mund të ndihet. Në heshtjen e vargut, Klejda Plangarica ndërton një univers ku trupi dhe shpirti, dashuria dhe pritja, janë të njëjta në thelb: forma të një drite që nuk shuhet kurrë. Le ta dëgjojmë Klejdën në heshtjen dhe frymën e vargut të saj, aty ku fjala shndërrohet në dritë dhe ndjenja në udhëtim.

1. Në poezinë “E pamjaftueshme”, ndjesia e mungesës është ngritur në përmasë filozofike, sepse si e tillë ( “E pamjaftueshme”) nuk është vetëm një gjendje personale, por një simbol universal i qenies njerëzore që kërkon të mbushë zbrazëtinë me dritë, dashuri dhe kuptim. Poetja e fillon me një varg që shkund shpirtin:

“Më shtyp pamjaftueshmëria ime,

si hapat e fundit në dëborën e prillit…”

sepse dëbora, prilli dhe pamjaftueshmëria luajnë me njëra-tjetrën si simbole të ndjesisë dhe kohës: dëbora është ftohtësia e brendshme, prilli është rigjallërimi, ndërsa pamjaftueshmëria qëndron mes tyre – në kufirin midis dëshirës dhe zhgënjimit.

Metafora e dëborës që shkelet, dhe më pas kthehet hakmarrëse në prill, shndërrohet në simbol të marrëdhënies njerëzore me dashurinë dhe fajin:

“Ia desha borën (sa shumë!)… Por e shkela…

Tani, hakmarrshëm, çdo prill më shkel ajo.”

Nëpër këto vargje lëviz një frymë që nuk ankohet, por pranon, një ndërgjegje e lartë që

sheh bukurinë edhe te plagët. Sepse vetëm ai që di të pranojë plagën, mund t’i kthejë ato në dritë. Pamjaftueshmëria bëhet kështu një formë e dritës së brendshme, një mënyrë për të kuptuar vetveten përmes asaj që mungon.

Lexuesi ndien një trishtim të ndritshëm, një lloj vetëdijeje që s’është e dhimbshme ashpërsisht, por e butë, e nxehtë, si frymë e dritës që shuhet ngadalë. Ai e sheh veten në këtë luftë midis dashurisë që lëndon dhe dëshirës për ta mbajtur të gjallë. Në heshtjen e vargjeve, ai përjeton peshën e një dashurie që vazhdon të jetojë edhe kur s’ka më trup, edhe kur mbetet vetëm kujtim. Poezia e lë lexuesin përballë një të vërtete që është sa e dhimbshme, aq dhe çliruese: se njeriu, sado të dojë, nuk mund ta mbushë plotësisht mungesën e tjetrit, apo boshësinë e vet. Kjo pamjaftueshmëri është në fakt fryma që e mban të gjallë shpirtin poetik; malli për një plotësi që s’arrihet kurrë. Sepse, në fund, njeriu jeton jo me atë që ka, por me atë që kërkon; dhe ky kërkim është fryma që e mban gjallë çdo dashuri, çdo art.

2. Në poezinë “Triptik…” të ndarë në tri rrafshe, Plangarica krijon një univers të qetë dhe të dhimbshëm, ku pritja dhe humbja nuk janë më kundërshti, por dy fytyra të së njëjtës ekzistencë. Ato frymojnë bashkë, si dritë dhe hije që s’e përjashtojnë dot njëra-tjetrën.

Që në hyrje, poetes i rrëzohet mbi supe pesha e një lodhjeje të pashmangshme:

“Sa lodhshëm më rënduakan humbjet!

Më kot i quajnë zbrazëti,

Mantel dëbore që po m’i thyen supet…”

ku, “manteli i dëborës” shndërrohet në metaforë të kujtesës së ftohtë, të përqafimeve që janë tretur në kohë. Është si një veshje e tejdukshme që e mbulon shpirtin, por nuk e ngroh dot. Dëbora nuk është më pastërti, por peshë, një heshtje e bardhë që e mban trupin pezull midis pranimit dhe dorëzimit. Në këtë pjesë të parë, lexuesi ndien dridhjen e ftohtësisë së kujtimeve, që nuk dëmtojnë më, por as nuk shërojnë; thjesht qëndrojnë, si një frymë që prek dhe ikën. Kujtimet janë si bora; nuk digjen, por ngelin mbi shpirt, të bardha e të ftohta, derisa një ditë kthehen në dritë.

Në pjesën e dytë, koha merr trajtë njerëzore, bëhet peshë që lëviz ngadalë në shpirt:

“Do shumë kohë të arrij gjysmë-shekullin,

Por mbart një shekull lamtumirash mbi vete.”

ku poetja e shfaq veten si qenie që jeton më shumë në kujtesë se në të tashmen. Koha s’është më kalim, por substancë që derdhet në çdo pore të qenies. Ajo nuk matet me vite, por me ndarje, me humbje, me heshtje të akumuluara. Dhe lexuesi, në këtë ndalesë të poezisë, e ndien vetminë si dritë të zbehtë që s’është as ngushëlluese, as therëse, por një prani e heshtur e përkohshmërisë sonë.

Në vijim, pritja fiton formë, bëhet qenie që merr frymë në trupin e poetes:

“Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim

Dhe vazhdon gërmimin pa fund…”

dhe poezia arrin kulmin e saj filozofik. Pritja s’është më thjesht ndjesi; ajo është forca që e mban trupin gjallë, që gërmon në errësirë për të gjetur një dritë që nuk vjen. Lexuesi e përjeton këtë moment si një dridhje të thellë, jo trishtim të rëndë, por qetësi të pranimit, ndjesinë se çdo njeri është një udhëtar që pret diçka që nuk di ta emërtojë.

Në poezi, figurat ndërthuren me ritëm të brendshëm që i ngjan frymëmarrjes: “manteli”, “lavjerrësi”, “skutat e trupit” janë simbolet e qarkullimit të ndjesisë dhe të kohës, të jetës që rrjedh midis mungesës dhe kujtimit. Pas kësaj lexuesi mbetet përballë heshtjes. Por është një heshtje e dritës, e atij kuptimi që nuk kërkon më fjalë, sepse është ndier tashmë në thellësi: pritja nuk është boshësi, ajo është forma më e thellë e ekzistencës. Dhe poezia e Plangaricës na e kujton me butësi se shpesh, ajo që mungon, është më e pranishme se çdo gjë tjetër.

3. Te poezia “Rrekje”, Plangarica e çon fjalën në një dimension tjetër, në atë të kërkimit të vetes përmes tjetrit, më qartë të kërkimit të dashurisë që bëhet pasqyrë e brendshme e shpirtit. Këtu, dashuria, miti dhe kujtesa përzihen si tri rrjedha që takohen në një pikë drite dhe errësire njëkohësisht. Qysh në vargjet e para, ndiejmë një lëvizje të etur, një përpjekje që është më shumë shpirtërore sesa fizike:

“Terrinave të vargjeve të tua

Rrekem –

Me gjet një fill Klejde aty.”

Ky “fill” është fija e identitetit, filli i brishtë që lidh njeriun me kujtimin dhe me artin. Poetja rreket të gjejë veten në tjetrin, në një tekst që s’e zotëron plotësisht, në dashuri që ka humbur formën por jo jehonën. Kjo përpjekje është si gërmim i qetë në errësirë, ku çdo fjalë bëhet dritë që ndonëse nuk ndriçon plotësisht, tregon një orientim. Ndoshta ky është fati i çdo shpirti që kërkon dashurinë: të mos arrijë kurrë plotësisht, por të mos ndalë kurrë së kërkuari.

Figura e centaurit mitik e fut poezinë në një dimension simbolik të pasionit dhe fatit. Ai është qenie e dyzuar mitike gjysmë njeri, gjysmë kafshë, si vetë dashuria që lind nga instinkti (çfarë qasje madhore!), por kërkon frymë. Poetja e përjeton këtë si dhuratë të rrezikshme, një bukuri që e shkatërron dhe e ringjall njëkohësisht:

“Herë-herë m’duket se e diktoj një qerpik…

A thua imi të jetë?!

E herë një tunikë centauri

Që s’ka si të jetë imja!”

Lexuesi këtu ndien dridhjen e kërkimit, atë etje që nuk ka fund, ku njeriu nuk kërkon më tjetrin, por vetveten që është tretur në dashuri. Është një kërkim që s’ka zgjidhje, por që vetë mbajtja e etjes bëhet mënyrë për të jetuar. Në shërbim të kësaj, simbolet “manteli i kuq” dhe “ura” janë dy shenja kalimi: manteli si pasion dhe rrezikut, ura si tranzicion mes botëve; mes trupit dhe shpirtit, mes reales dhe mitikes. Këto figura nuk qëndrojnë veçmas, por ndërthuren, si të ishin një orë e brendshme e ndjesisë, ku çdo imazh lëviz në ritmin e frymës. Në fund, vargjet:

“Tanimë,

Veç u avitem fjalëve me buzë,

Se kam lirinë që çdo varg të ta puth!”

e çojnë poezinë drejt një çlirimi të heshtur. Fjalët nuk janë më shenja në letër, ato janë trup, frymë, prekje. Dashuria është bërë gjuhë, dhe gjuha është bërë mënyrë për të ndier. Lexuesi del nga kjo poezi me ndjesinë e një afërsie që nuk harrohet kurrë. Është sikur dashuria dhe krijimi të jenë dy rrugë paralele që s’takohen plotësisht, por që ndriçojnë njëra-tjetrën në errësirë. “Rrekje” na mëson se kërkimi nuk është mungesë, por vetë forma më e thellë e ekzistencës, sepse vetëm ai që kërkon, vazhdon të jetojë brenda dritës së fjalës. Dhe ndoshta, si çdo qenie që kërkon vetveten në errësirë, edhe poezia e saj është një mënyrë për të mos humbur, për të mbetur dritë që endet në kërkim të kuptimit.

Në këto tri poezi; “E pamjaftueshme”, “Triptik” dhe “Rrekje” me një lidhje organike të brendshme, lexuesi gjendet si në një udhëtim të brendshëm, nga mungesa te pritja, e nga pritja te rrekja për vetveten. Ato janë tri faza të një ndërgjegjeje poetike që kupton se jeta nuk është plotësi, por etje për kuptim; dhe në këtë etje, poezia bëhet strehë, dritë dhe rrëfim.

4. “Pa bëzajt”, heshtja merr zë, bëhet frymë dhe formë e komunikimit më të thellë dhe pikërisht këtu Klejda Plangarica krijon një univers ku fjala mungon, por prania shpërthen. Që në fillim, ndërtimi i vargjeve si përsëritje mantrike:

“Ai është buzëqeshje”,

“Ai është vështrim”,

“Ai është kripë” —

e vendos poezinë në ritëm të qetë, rrethor, sikur çdo përsëritje të ishte një frymëmarrje e re e ndjenjës. Ky “Ai” nuk është thjesht një njeri, por një prani universale, një përmasë e padukshme e dashurisë që endet nëpër trup dhe shpirt, që është kudo, por asnjëherë e zëshme.

Në vargun: “Pa bëzajt / Hiç, asnjë shkrepje!” mungesa e tingullit është në vetvete muzikë e brendshme. Sepse ndonjëherë, ajo që s’thuhet, ka më shumë zë se britmat e botës. Heshtja bëhet jehonë, bëhet forca që përmban çdo dridhje, çdo trullosje, çdo prekje të padukshme. Poetja arrin këtu një ekuilibër të rrallë mes ndjenjës dhe formës, ku vargu nuk përpiqet të shpjegojë, por të përcjellë ritmin e një fryme që endet mes qetësisë dhe shpërthimit.

Figurat poetike luajnë mes kundërshtish: “kripë” dhe “frymë”, “gjumi” dhe “shpërthimi”, “heshtja” dhe “rrokullisja”. Këto nuk janë thjesht kontraste, por lëvizje brenda ndjenjës, valë që prekin njëra-tjetrën dhe e zmadhojnë përvojën poetike. Ato e bëjnë tekstin të marrë frymë, si një det që s’ka nevojë për zhurmë për të treguar fuqinë e tij.

Poezia mbyllet me një kthesë plot dritë, një përfundim që përmban në vete një zbulim të qetë filozofik:

“Ai nuk bëzan, por nuk është heshtje!

Është rrokullisje, trullosje, shpërthim…

Thellë meje.”

ku, dashuria dhe jeta shfaqen si energji që nuk kanë nevojë për zë, sepse ato ndodhin në heshtje, në brendësi të qënies. Fjala është tejkaluar; mbetet vetëm përvoja e dritës që nuk flet, por ndriçon.

Madje lexuesi, në përballje me këtë poezi, nuk dëgjon asgjë, por ai ndien gjithçka. Ai ndien se në heshtje lëviz diçka e gjallë, diçka që rrokulliset në shpirt dhe e bën të kuptojë se jo çdo ndjenjë kërkon shprehje dhe jo çdo dashuri ka nevojë të thuhet. Se shumë gjëra thuhen në heshtje, siç flet heshtja e poezisë së Plangaricës: jo zbrazëti, por frymë që pushon mbi botën si dritë, ku çdo shpërthim është i brendshëm dhe çdo fjalë, e heshtur, është më e fortë se zëri vetë.

5. Poezia “Gatitu”, sjell një përjetim që përzihet mes pritjes dhe frymës së detit; një pritje që s’është thjesht emocionale, por është një gjendje shpirtërore e plotë. Ajo i drejtohet “ojnikut”, puhizës detare, si një qenie të gjallë, si një frymë që prek dhe pastaj largohet, duke lënë pas një mungesë të ndjeshme:

“Hej, këtu jam!

Gatitu!

Në pritje të atij ojniku

që zbret një çast mes zhegu

dhe lë si vragë nga pas

një mungesë të gjatë sa një breg…”

Kjo thirrje është një lutje e qetë, një bashkëbisedim me natyrën dhe me vetveten. Ritmi i vargjeve lëviz si dallgët, ndërsa fjalët përmbajnë frymën e një rituali të brendshëm: pritja shndërrohet në një mënyrë të të jetuarit, në një përpjekje për të ndier frymën e tjetrit përmes erës, ujit, kujtesës.

Figura e “vragës” është ndër më të bukurat e poezisë, ajo mbart brenda saj dhimbjen e mungesës, por edhe shenjën e përjetësisë. Një vragë mbetet gjithmonë: ajo nuk është vetëm plagë, por kujtesë e asaj që ka ndodhur. Ndoshta jeta s’është gjë tjetër veçse një breg ku dallgët e kujtesës lënë shenjat e tyre. Në kontrastin mes “ngricës” dhe “zhegut”, poezia vendos jetën mes dy poleve të ekzistencës: ftohtësia e vetmisë dhe zjarri i dashurisë. E pikërisht midis tyre lëviz fryma e Plangaricës, duke kërkuar ekuilibrin që s’gjendet kurrë plotësisht.

Lexuesi, përballë kësaj poezie, ndien një trishtim të ngrohtë, një mall të butë, si një valë që kthehet gjithmonë në breg. Ai e ndien frymën e detit që përzihet me frymën e shpirtit, dhe për një çast, pushon së prituri, sepse kupton se pritja vetë është jeta.

6. “Muza” e Plangaricës na fton të shohim marrëdhënien e saj me frymëzimin si një raport të hollë dhe të ndjeshëm midis trupit dhe shpirtit, midis dritës dhe frikës, ftesë që e bën gati çdo poet në një kohë të jetës dhe krijimtarisë së tij. Në poezinë e Klejdës, muza nuk është figurë ideale ose abstrakte; ajo është një qenie e gjallë, me ndjeshmëri të hollë, që mund të shfaqet dhe zhduket papritmas:

“E lakuriqtë karshi tij … si rrallëherë

U fanit

Po flatrat ngjeshur pas shpine ai s’ia pa

Sytë shigjetuan të vetmin nishan mbi gji,

As frymë, as bulëza, as shkëndijë!

Iu druajt zhegut, regëtimës … Ai!

E deshi vetëm me një stinë!”

Këtu, akti i krijimit shfaqet si zhveshje e shpirtit, si një hapje ndaj fuqisë që mund të djegë nëse i afrohemi shumë. Vargjet ngjallin ndjesinë e një ngacmimi të brendshëm, ku frymëzimi është i çmuar, por gjithashtu i brishtë dhe kalimtar. Figura e “një stine” është thellësisht simbolike: ajo na kujton se çdo ndjenjë, çdo frymëzim dhe bukuri është kalimtare, një moment i rrallë që digjet shpejt, por lë pas aromën e dritës dhe mallin për të mbajtur brenda vetes atë ndjesi. Por ndoshta pikërisht përkohshmëria e bën çdo frymëzim të pavdekshëm. Në këtë kuptim, lexuesi ndien se krijimi është një akt dashurie që lëndon, një fluturim që nuk kthehet gjithmonë, një përzierje mes magjisë dhe frikës.

Poezia i ofron lexuesit një përvojë të shenjtë dhe intime: të ndiejë brenda shpirtit, jo thjesht të kuptojë me logjikë. Ajo e bën lexuesin të ndiejë se çdo frymëzim është një dhuratë e brishtë, një valë drite që duhet pranuar, përjetuar dhe lënë të shkojë. Në këtë mënyrë, “Muza” bëhet një reflektim mbi ndjeshmërinë e poetikes, mbi pasionin që shfaqet vetëm kur guxojmë të hapim zemrën ndaj zjarrmit dhe qetësisë njëkohësisht.

7. “Gjëmim” krijon një botë ku tingulli dhe heshtja ndërthuren, duke dhënë një përvojë pothuajse mistike të përjetimit. Gjëmimi nuk është vetëm zhurmë e detit, por një mesazh i fshehtë, një gjuhë që përkthen drithërimën e natyrës dhe të shpirtit:

“I pazhurmshëm ky gjëmim!

Shkëndija drite fluturojnë mes valësh,

pa përplasje krahësh.

Deti gjëmon,

por veç përgjysmë mbërrijnë në breg

rënkime pulëbardhash në terr.

Oshtima pret prekjen…

që ta përkthejë drithërimën

në gjuhën e vet!”

Figura e shkëndijës që fluturon mes valëve krijon një kontrast mes forcës dhe butësisë, ndërsa deti dhe pulëbardhat shprehin një ekuilibër të brishtë midis qetësisë dhe tensionit. Gjëmimi, për lexuesin, bëhet një horizont përjetimi, ku çdo tingull dhe heshtje kanë peshë të barabartë, ku çdo dridhje ka kuptim.

Në vargje, lexuesi ndien pushtetin e heshtjes, që nuk është boshllëk, por një gjendje e mbushur me jetë e ndjenja. Sepse edhe heshtja, në thelb, është një mënyrë për të dëgjuar zemrën e universit. Ai përjeton se, forca më e madhe e ekzistencës fshihet në ato çaste ku asgjë nuk thuhet, ku çdo tingull, çdo përplasje e ujit dhe dridhje e pulëbardhave ndihet me të gjithë qenien. “Gjëmim” është një përvojë poetike që i lejon lexuesit të ndiejë natyrën dhe vetveten si një tërësi, të ndiejë qetësinë e fuqishme që vjen nga prania e asaj që nuk mund të kapet plotësisht. Në këtë mënyrë, poezia i sjell lexuesit një ndjesi të thellë metafizike: gjëmimi bëhet heshtja që flet dhe heshtja bëhet gjëmimi që ndriçon brendësinë.

II- Klejda Plangarica është një poete e ekuilibruar dhe refleksive, që lëviz mes ndjesisë dhe mendimit, duke krijuar një poezi ku ekzistencializmi, simbolizmi dhe modernizmi bashkohen në harmoni. Poezitë e saj, si ato të ciklit “Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim”, shpalosin një shqetësim të thellë për mungesën, pritjen, dashurinë dhe kohën, duke e shndërruar përvojën estetike në një udhëtim të brendshëm filozofik.

Siç dhe e pamë vetë në ciklin që analizuam, në krijimtarinë e saj, temat si pritja, pamja-ftueshmëria, rrekja, heshtja dhe frymëzimi nuk shfaqen si episode të veçuara, por si një rrjedhë e pandërprerë ku çdo ndjesi lidhet me tjetrën. Poezia e Plangaricës krijon një vijë të brendshme shpirtërore, ku lexuesi ndjek një udhëtim emocional pa ndërprerje dhe çdo metaforë, figurë apo heshtje bëhet pjesë e një universi të gjallë e të ndjeshëm.

Modernizmi i saj është i brendshëm dhe i qetë, i shfaqur përmes një gjuhe të përmbajtur dhe një ritmi që nuk zbukuron, por zbulon. Ajo ndërton një univers personal, ku koha dhe ndjenja ndërthuren në fragmente të ndritshme, duke krijuar hapësira ku lexuesi ndien veten në çdo varg.

Në këtë dimension poetik, Plangarica qëndron në një dialog të heshtur me modernizmin europian; me ndjeshmërinë metafizike të Rilkes, përqendrimin në thellësinë e fjalës që kujton Celanin dhe reflektimin kohor që i afrohet frymës së Eliot-it. Por ndikimet e saj nuk janë imitime; ato treten natyrshëm në një poezi që mbetet thellësisht shqiptare dhe njerëzore.

Një nga tiparet më të veçanta të poetikës së saj është heshtja si akt krijimi. Në poezitë “Pa bëzajt” dhe “Gjëmim”, ajo, heshtja, nuk është mungesë, por prani; një mënyrë për të dëgjuar vetveten dhe për të reflektuar mbi qenien. Kjo prirje e afron Plangaricën me poetët bashkëkohorë europianë, që shohin në boshllëk një formë të re të të folurit poetik.

Në poezinë shqipe, ajo zë një vend të veçantë si zë meditativ, që nuk kërkon të tronditë, por të ndriçojë brendësinë. Plangarica ndërthur reflektimin mbi kohën, dashurinë dhe mungesën me një ndjeshmëri estetike të rafinuar, duke e vendosur veten në një dialog të natyrshëm midis traditës sonë dhe poezisë moderne europiane. Poezia e saj nuk shpreh thjesht ndjenja, por krijon një univers ku çdo varg është një hap drejt shikimit të vetvetes. Pritja, pamjaftueshmëria, rrekja dhe heshtja bëhen mjete për të kapur çaste që fjala mezi i përmban. Në këtë hapësirë dridhjesh, Plangarica ndërton një dialog të vazhdueshëm mes lexuesit dhe vetes poetike – një dialog që mbetet thellësisht modern, njerëzor dhe filozofik. Poezia e Klejda Plangaricës na kujton se njeriu nuk jeton për të gjetur përgjigje, por për të dëgjuar heshtjen e pyetjeve që i japin kuptim jetës.

Sarandë – Nëntor, 2025

________________________

https://www.facebook.com/photo/?fbid=1505227390521880&set=a.725422521835708

Share This:

Previous post
Next post
Vali Ranch Resort
Më të Rejat
Lajme

Lëshohet ashensori për personat me aftësi të

10 November 2025
Kulturë

Timo Merkuri – Qasje eseistike… KUR HESHTJA

10 November 2025
Lajme

Dyshimet për manipulime në Mitrovicë, reagon KQZ:

10 November 2025
Uncategorised

Viti: Kryetari Haliti pritet nga qytetarët e

10 November 2025
RELATED Stories for you
Lajme

Lëshohet ashensori për personat me aftësi të

10 November 2025

Është lëshuar në funksion ashensori i ri në hapësirat e Drejtorisë së Administratës dhe

Lajme

Dyshimet për manipulime në Mitrovicë, reagon KQZ:

10 November 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas shqetësimeve lidhur me procesin e verifikimit të

Uncategorised

Viti: Kryetari Haliti pritet nga qytetarët e

10 November 2025

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti është pritur sot nga qytetarët e shumtë

TV Gjilani TV Gjilani

Adresa: Rr. Abdullah Tahiri, p. n, Gjilan, Kosovë.

Tel. +383 44 304 901

Kategoritë

Lajme
Sport
Kulturë
Shëndeti

Marketing

Marketing
Shpallje

info@tvgjilani.com

Na ndiqni

©2025. All Right Reserved. TV Gjilani. All rights reserved. Portali Tv Gjilani. com mirëmbahet nga Kompania e Produksionit dhe Botimeve B. I. “Sfinga 07”. Të gjitha materialet e botuara dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen ose botohen gjetiu, e as nuk mund të shtypen e të shfrytëzohen në mënyrë apo formë tjetër, ose për qëllime përfitimi, pa marrë miratimin paraprak nga Tv.Gjilani.com Për shfrytëzimin apo përdorimin e materialeve nga Tv Gjilani.com, secili është i obliguar të marrë aprovimin paraprak dhe të pranoj kushtet e cekura si më lart. Website by Hostinkos.