“Tartufi” i Gjilanit, fitues i shumëfishtë në Festivalin e Teatrove në Ferizaj
“Tartufi” i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, është shfaqja fituese në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, i cili të premten mbrëma ka përmbyllur edicionin e 54-t. Për shfaqjen me tekst të Molièrit nën regji të Qëndrim Rijanit, nuk ka mjaftuar vetëm çmimi kryesor – ai për shfaqjen më të mirë.
Satira ndaj hipokrizisë, dilemave morale dhe manipulimit me besimin, me gjuhë universale e të përbotshme që aktualizohet përherë, ka marrë edhe çmimin për regjinë më të mirë sikurse edhe për rolin më të mirë episodik për aktorin Alban Shahiqi. Po nga kjo shfaqje, Aurita Agushi ka marrë çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor.
“Ndihem i privilegjuar, faleminderit jurisë që më ka vlerësuar për këtë rol. Kam marrë edhe çmime të tjera por për këtë rol ndihem më i vlerësuar sesa çmimet e kaluara”, ka thënë Shahiqi kur ka pranuar çmimin. Për kolegen e tij Agushi ky është çmimi i tretë në ngjarjen me traditë prej shumë se gjysmëshekulli.
“Është hera e tretë që nderohem me çmim në Ferizaj dhe i jam përulësisht mirënjohëse publikut dhe festivalit”, ka thënë Agushi.
Nata e ndarjes së çmimeve ka nisur me atë për kostumografinë më të mirë për Yllka Bradën për shfaqjet “Kamarja e turpit” të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe “Tartufi” të Teatrit të Gjilanit.
Çmimin për skenografinë më të mirë e ka marrë Enes Deari për “Mish i egër”, produksion i Teatrit Shqiptar të Shkupit me tekst të dramaturgut Goran Stefanovski, nën regji të Martin Koçovskit, e cila të dielën e kaluar hapi Festivalin.
Çmimi special i jurisë është ndarë për shfaqjen “Togeri i Inishmorit” të teatrit “Adriana”.
Çmimi “Yll në ardhje” i është ndarë Albina Krasniqi për rolin në shfaqjen “Charles III”.
E ai “Ismail Rama” për aktorin më të mirë, Ernest Malzogut për rolin në “Audienca” me tekst të Vaclav Havelit nën regji të Bashkim Ramadanit, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit. Çmimin “Adriana” për aktoren më të mirë e ka marrë Suela Bako për rolin në shfaqjen “Çifti i hapur” nën regji të Sulejman Rushtit, produksion i Teatrit të Gostivarit.
Fituesi kryesor, “Tartufi” ishte dhënë premierë në Teatrin e Gjilanit në dhjetorin e vjetëm. Duke i qëndruar besnik thelbit të origjinalit, gërsheton mjeshtërisht çështjet bashkëkohore, duke krijuar një eksperiencë klasike teatrale. Ishte vlerësuar që ripërpunimi i “Tartufit” i flet qartë së sotmes me gjithë prezencën e pashlyeshme të fenomeneve negative që e përcjellin shoqërinë. Shkon përtej kësaj dhe prek edhe etjen për pushtet e vërtetësinë e qëndrimeve të pushtetarëve.
“Faleminderit teatrit, festivalit. Është hera e dytë që marr çmim. Faleminderit Teatrit të Gjilanit qe më zgjodhi mua ta bëj këtë punë dhe faleminderit trupës së Teatrit”, ka thënë Rijani në skenë pasi ka pranuar çmimin për regjinë më të mirë.
“Faleminderit festivalit të teatrove, jurisë për vlerësimit dhe Qëndrimit që me punën e vet ka arritur të krijojë një shfaqje që uroj të ketë jetë të gjatë. Shfaqja është prodhuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka ndjekur një rrugë shume të mirë që ka qenë ‘Fausti’ i profesorit Fadil Hysaj”, ka thënë drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi kur ka pranuar Çmimin për shfaqjen më të mirë. Ka theksuar nevojën që teatrot e festivalet të përkrahen më shumë.
Lulzim Aliu, nënkryetar i Komunës së Ferizaj e ka ndarë çmimin.
Juria ka qenë në përbërje prej regjisorit Fadil Hysaj dhe aktoreve Luli Bitri e Albulena Kryeziu-Bokshi.
“Ka qenë kënaqësi e madhe t’i përzgjedhim gjashtë shfaqje. Publiku në Ferizaj na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme. Ka qenë punë e vështirë jo për klishe por kemi pasur emra, shfaqje dhe produksione shumë të mira”, ka thënë Kryeziu-Bokshi ne skenë.
Shfaqja e fundit në program ka qenë “Togeri i Inishmorit” me tekst të Peter McDonough nën regji të maqedonasit Gjorgji Rizeski, produksion i teatrit “Adriana” ndërsa pas ndarjes së çmimeve me muzikë ka argëtuar bendi ikonik “Blla, blla, blla” nga Shkupi.
Festivali i Teatrove në Ferizaj është njëra prej ngjarjeve më me traditë në Kosovë. Sivjet pos tetë shfaqjeve, ka sjellë edhe aktivitete të tjera si debate e punëtori. Njëra prej tyre qe edhe ajo për teatrin dhe luftën, e titulluar “Lufta e Katërt Botërore” e realizuar nga regjisori maqedonas Gjorgji Rizeski. Në Galerinë e Arteve qe hapur ekspozita “Teatri Ilegal” nga artisti Sovran Nrecaj, ndërkaq pjesë e programit gjashtëditorë kanë qenë edhe diskutimet në dy panele që kanë trajtuar luftën dhe teatrin si dhe marrëveshjet e themelimit të fondit të përbashkët teatror midis Kosovës dhe Shqipërisë, hapat e parë të së cilit qenë vendosur në kuadër të “Prizren Festit”, një muaj më parë.