Stefan Cvajg, novelisti nr. 1! – Fragmente nga “Amoku”, “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje” dhe “Letra e një të panjohure”
Ua prezantojmë novelistin më të shquar, Stefan Cvajg, që ka njohur bota e krijimtarisë letrare ndonjëherë.
Komuna e Gjilanit – Dëgjim Publik për punësim të personave me nevoja të veçanta.
Padyshim, Stefan Cvajg është një nga autorët më të dashur e lexuar klasik, i njohur për novelat dhe biografitë pa lënë anash romanet dhe autobiografinë e tij.
Vëllimi i parë:
Rrugica në dritën e hënës,
Koleksioni i padukshëm,
Bukinisti Mendel,
Laporela,
Novela e shahut,
24 orë nga jeta e një gruaje,
Novelë verore,
Perëndim zemre,
Njohja e beftë me profesionin e ri,
Xhelozia,
Gruaja dhe peisazhi,
Epiaod nga liqeni i Gjenevës,
Letra e një të panjohure.
Vëllimi i dytë:
E fshehta përvëluese,
Dashuria e guvernatores dhe dy vogëlushët,
Pështjellim ndjenjash,
Vrapuesi i Amokut,
Nata fantastike,
Antoni,
Marshimi,
Ylli sipër pyllit,
Anvers, dhe
Dashuritë e Erikës.
Mbi librin
Krijimtaria e Stefan Cvajgut është shumë e larmishme, sepse edhe interesat e tij kulturorë ishin të jashtëzakonshëm. Ai përktheu mjaft duke u dhënë lexuesve të gjuhës gjermane poetë e prozatorë të njohur. Studioi dhe shkroi një mori monografish për personalitete të shquara të letërsisë, artit dhe shkencës.
Por, natyrisht vendin e nderuar në historinë e letërsisë, Cvajgu e ka merituar me novelat e tij të shumta e të mrekullueshme. Në ato mijëra e mijëra faqe proze të Cvajgut dallohen tri novela që konsiderohen ndër më të shquarat e krijimtarisë së tij: “Amoku”, “Letra e një të panjohure” dhe “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”.
Mbi novelën “Amoku”
Novela “Amoku”, që bën pjesë po ashtu te novelat më të njohura të Cvajgut, fillon me një takim të rastësishëm të autorit me një mjek në bordin e një anijeje, i cili i rrëfen bashkudhëtarit historinë e jetës së vet. Për shkak të një allishverishi të zbuluar, ai detyrohet të fshihet në kolonitë holandeze, ku bie në dashuri me një angleze të pasur, e cila i kishte kërkuar që t’i merrte përsipër një abort, çka ai nuk e pranon, edhe pse ajo i kishte premtuar një shumë të hollash.
Kur anglezja largohet, ai e ndjek pas, i pushtuar nga një pasion që e kishte ndier papritur dhe që i kishte ngjallur një dëshirë të çmendur. Si një i etur për vrasje, i shkon pas anglezes për ta takuar. Më në fund e gjen në një dhomë mjerane. Ndërkaq, nga frika e burrit, ajo kishte pranuar që abortin e fëmijës së jashtëligjshëm t’ia bënte një grua sharlatane, dhe vdes gjatë kësaj ndërhyrjeje. Mjeku i kishte premtuar se do t’ia ruante të fshehtën dhe e shoqëroi arkivolin e saj rrugës për në Europë.
Në këtë pikë e mbaron ai rrëfimin e jetës së vet. Retrospektiva mbyllet dhe tregimi u kthehet ngjarjeve të së tashmes. Kur anija ndalet në një port europian, mjeku e hedh në ujë arkivolin me të dashurën. Pastaj vret veten.
Fragment nga novela “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”
– Ngrihuni shpejt! Këtë çast!… Ju thatë: edhe këtë radhë…Mirëpo atëherë ndodhi diçka e papritur. U kthye rrëmbimthi, po fytyra që më shikonte nuk ishte më e përvuajtur dhe e turpshme, ishte fytyra e një budallai, e një të çmenduri, me sy të flakëruar e buzë që i dridheshin nga inati.
-Lermëni rehat! – thirri. – Sa herë që vini ju, humbas. Kështu bëtë dje, kështu po bëni dhe sot. Shkoni!
Mbeta një çast si e ngurosur. Përballë marrëzisë së tij shpërtheu dhe inati im.
-Unë ju kam sjellë tersin? – e sulmova. – Gënjeshtar, hajdut: m’u betuat…Po s’munda të vazhdoja, sepse ai i çmendur brofi në këmbë dhe më shtyu, pa çarë kokën për zhurmën që nisi të bëhej rreth nesh.
-Lermëni rehat! – thirri si i xhindosur. – Unë s’jam nën mbrojtjen tuaj… Na… na…, merrini paratë që ju kam borxh, – dhe më hodhi disa kartëmonedha qindëshe. – E tani lermëni të qetë!
Kanë kaluar njëzet e katër vjet që atëherë, e megjithatë, tek më kujtohet ai çast kur rrija atje e fshikulluar nga ironia e tij, faqe njëmijë njerëzve të huaj, më ngrin gjaku në rrëmba. Dhe e ndiej përsëri me lebeti se çfarë lënde e dobët, e ngartë dhe e mjerë duhet të jetë ajo që ne, me fjalë tepër të mëdha, e quajmë botë të brendshme, shpirt, ndjenjë, ajo që ne e quajmë dhimbje, sepse të gjitha këto, qoftë dhe në kulm, nuk janë në gjendje ta dërrmojnë krejt trupin e munduar – pse rrojmë prapëseprapë në të tilla çaste, me gjakun që na rreh në deje si çekan, në vend që të vdesim, të këputemi e të biem si ajo pema kur e godet rrufeja.
Po ashtu është si ju thashë: dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga dëshira cipëplasur për të jetuar që, siç duket, ka hedhur në mishin tonë rrënjë më të thella nga të gjitha pasionet e vdekshme të shpirtit.
Fragment nga novela “Letra e një të panjohure”
Dhe pas disa ditësh erdhën bojaxhiu, dekoruesi, pastruesi dhe tapicieri për të pastruar banesën e fëlliqur; dëgjohej çekiçi, shkundnin, pastronin, kruanin, por nëna ishte e kënaqur: ajo thoshte se tani i erdhi fundi çrregullimit atje karshi nesh. Vetëm se ty, edhe gjatë mbartjes, nuk të pashë dot; të gjitha këto punë i mbikqyrte shërbëtori yt, ai shërbëtor zotërinjsh, i shkurtër, serioz, me flokë të thinjur, i cili kujdesej për gjithçka, me qetësi e zotësi.
Ai na pëlqente të gjithëve. Së pari, pse një shërbëtor zotërinjsh ishte diçka krejt e rrallë për ne dhe, së dyti, pse ai me të gjithëse ishte jashtëzakonisht i sjellshëm, por megjithatë dinte të mbante distancë me shërbëtorët e tjerë dhe nuk futej kurrë në muhabete të kota. Që ditën e parë nënën time e përshëndeste me një sjellje të matur serioze.
Kur përmendte emrin tënd, këtë e bënte përherë me njëfarlloj nderimi, me një respekt të veçantë – kuptohej menjëherë se për ty ai ishte më tepër se një shërbëtor i zakonshëm. E desha shumë Johanin plak e të mirë, por edhe e kisha zili, sepse qëndronte përherë pranë teje dhe sepse të shërbente! Po t´i tregoj të gjitha këto, i dashuri im, të gjitha këto gjëra të vogla, pothuajse qesharake, që ti ta kuptosh se si që në fillim munde të shtrish pushtetin tënd të madh mbi një vajzë të turpshme e të druajtur, siç isha unë.
Përpara se ti vetë të hyje në jetën time, ekzistonte një brerore rreth meje, një nam pasurie, veçantie dhe fshehtësie – të gjithë ne në shtëpinë e vogël të periferisë (njerëzit që bëjnë një jetë te mbyllur, janë gjithmonë kureshtarë për çdo gjë të re që shtjellohet para portës së tyre) por e prisnim me padurim ardhjen tënde.
Dhe sa fort m’u shtua kjo kureshtje, kur një pasdreke, tek po kthehesha nga shkolla, pashë përpara shtëpisë karrocën me mobilje! Më të shumtat, orenditë e rënda, hamejtë i kishin ngjitur me kohë, tani po mbartnin gjërat e vogla. Unë qëndrova te porta për t’i soditur të gjitha, sepse të gjitha sendet e tua ishin çuditërisht të ndryshme, si ato unë nuk kisha parë kurrë ndonjëherë tjetër: kishte midis syresh idhuj indianë, skulptura italiane, piktura të mëdha e të larme, dhe në fund vinin librat, aq të shumtë dhe aq të bukur, sa s’mund ta kisha përfytyruar kurrë.
Ato t’i rreshtuan përpara derës, aty i mori në dorëzim shërbëtori yt dhe nisi t’ia heq pluhurin me pupël çdo vëllimi. Unë vërtitesha me kërshëri rreth turrës që sa vinte e zmadhohej, shërbëtori yt nuk më përzuri, por as nuk më afroi, kështu që s’guxova të prek asnjë libër, megjithëse kisha shumë dëshirë t’i ledhatoja kapakët e tyre prej lëkure të butë. Vetëm titujt i vështroja me bishtin e syrit, kishte ndërmjet syresh libra në frëngjisht, në anglisht dhe në disa gjuhë që s’i kuptoja.
Më duket se do të mund t’i kisha soditur të gjithë orë me radhë, por në ato çaste më thirri nëna. Gjithë natën mendova për ty, pa të njohur akoma. Unë vetë kisha vetëm një duzinë librash të lirë, të lidhur me karton të dobët, të cilët i doja më shumë se çdo gjë tjetër dhe i lexoja vazhdimisht. Dhe tani po më mundonte pyetja se si duhej të ishte vallë ai njeri, të cilit i përkisnin dhe që i kish lexuar të gjithë këta libra të mrekullueshëm, që dinte gjithë këto gjuhë dhe që ishte aq i pasur e njëkohësisht aq i ditur.
Ndjeva njëfarë admirimi mbinjerëzor, që m’u shtua edhe më tepër nga ata libra të panumërt. Përpiqesha të të parafytyroja: të kujtoja një burrë të shkuar nga mosha, me syze e me një mjekër të gjatë e të thinjur, të ngjashëm me profesorin tonë të gjeografisë, vetëm se shumë më bujar, më të pashëm e më të butë – nuk e di pse qysh atëherë qeshë e sigurt se ti duhej të ishe i pashëm, megjithëse të parafytyroja plak.
Atë natë, pa të njohur akoma, të pashë në ëndërr për të parën herë. Të nesërmen ti erdhe, por megjithëse të përgjova, s’të pashë dot – kjo ma shtoi edhe më tepër kureshtjen. Më në fund, ditën e tretë, të pashë dhe u habita, u trondita shumë që ti m’u shfaqe krejt ndryshe, që ti nuk i ngjasoje fare asaj ikonës së perëndishme! Kisha ëndërruar një plak babaxhan me syze, kurse erdhe ti – ti, ashtu i tëri, siç je edhe sot, o ti i pandryshueshëm, mbi të cilin vitet përplasen e rrëshqasin pa forcë!…
Ti kishe veshur kostumin e lezetshëm sportiv bojëkafe të hapur dhe me atë ecjen tënde të lehtë djaloshare i ngjite shkallët, duke i marrë dy e nga dy njëherësh. Kapelen e mbaje në dorë dhe unë, e mahnitur sa s’bëhet më të pashë fytyrën e çiltër e të gjallë me ato flokë të dendur. Vërtet që u tremba e u habita kur të pashë aq të ri, plot hir e të pashëm, me shtatin e derdhur, elegant. Dhe a nuk është çudi: që në këtë çast të parë e ndjeva fare qartë atë, që unë dhe gjithë të tjerët ndjejnë posaçërisht dhe mjaft shpesh te ti: që ti je njëfarëlloj njeriu i dyfishtë, një djalosh i zjarrtë, i lehtë, i dhënë i tëri pas zbavitjeve dhe aventurave dhe, njëkohësisht, në artin tënd një burrë serioz, i patundur, i ndërgjegjshëm, i ditur e i mësuar sa s´ka më!
Pa e kuptuar, unë ndjeva atë që ndjente çdo njeri te ti: që ti bëje një jetë të dyfishtë, një jetë me një faqe që çelet, të kthyer ndaj botës, dhe me një tjetër krejt të errët, të cilën e dije vetëm ti – dhe këtë dyzim të thellë, këtë të fshehtë të qenies sate unë, trembëdhjetëvjeçarja, krejt e magjepsur, e ndjeva që në vështrimin e parë.
Mbi autorin
Stefan Cvajg është një nga shkrimtarët më të njohur në botë i viteve ’20 dhe ’30. Ai shkroi novela dhe tregime, si edhe shumë biografi të figurave të njohura të historisë së botës, ndër të cilat më e famshmja është biografia e Maria Stjuart, si edhe ajo e perandoreshës Mari Antuaneta. Fillimisht veprat e tij u botuan në gjuhën angleze nën pseudonimin “Stephen Branch”.
Ai ishte i biri i Moris Cvajg, pasanik hebre i cili prodhonte tekstile si dhe i Ida Brettauer, e bija e një familje bankierësh italianë. Edhe pse rridhte nga familje hebraike, feja nuk luajti ndonjë rol në edukimin dhe formimin e Cvajgut. “Feja ime ishte thjesht një rastësi si rrjedhojë e prejardhjes sime” është shprehur ai gjatë një interviste.
Cvajgu studioi filozofi dhe histori letërsie si dhe ishte pjesëtar i lëvizjes avangarde “Viena e Re”. Edhe pse esetë e tij botoheshin në “Neue Freie Presse”, botuesi i së cilës ishte udhëheqësi zionist Teodor Herzl, ai nuk ishte i ndikuar nga nacionalizmi hebraik i Herzlit. Cvajgu e braktisi Austrinë pas ardhjes në fuqi të Hitlerit.
Gjatë kësaj periudhe ai u mbështet botërisht nga kompozitori Richard Shtraus, i cili refuzoi të hiqte emrin e Cvajgut nga parrullat për prezantimin e operas së tij “Gruaja e heshtur” (Die schëeigsame Frau) në Dresden. Për këtë arsye Hitleri nuk e ndoqi hapjen e operistikës së muzikantit më të madh të kohës së tij si dhe pas tre shfaqjesh opera u ndalua. Cvajgu studioi në Austri, Francë dhe Gjermani. Në vitin 1904 ai mbaroi doktoraturën për filozofi dhe arte të bukura nga Universiteti i Vienës. Përpara se të vendosej në Salzburg (1913) ai udhëtoi nëpër shumë vende të botës.
Në 1914 Cvajg u martua me Friderike Maria Burger von Ëinternitz (1882 – 1971), e cila i kish dërguar letra adhurimi që nga viti 1901. Friderike u bë shkrimtare gjithashtu dhe ata jetuan bashkë, me dy vajzat e saj nga martesa e parë, për më shumë se 20 vjet. Vepra e parë e Cvajgut ishte përmbledhja poetike “Litarë të argjendtë” (Silberne Saiten) e cila u botua në vitin 1901 kur ai ishte vetëm 20 vjeç. Më pas u botua në Zvicër drama e tij kundër luftës, titulluar “Jeremiah”, të cilën ai e shkroi në vitin 1917 kur ishte ushtar. Kjo dramë frymëzohej nga Lufta e Parë Botërore dhe u luajt për herë të parë në Nju Jork në vitin 1939.
Cvajg shkroi edhe drama të tjera si “Tersites” në 1907, një tragjedi e shkruar në vargje të lira si dhe “Jetë në det” (Das Hause Am Meer) në 1912, tek e cila pasqyrohej Lufta Civile në Amerikë. Cvajg jetoi për gati 20 vjet në Salzburg edhe pse si gjithmonë kohën më të madhe e kalonte nëpër udhëtime. Gjatë Luftës së Parë, ai punoi në arkivat e Ministrisë Austriake të Luftës, por u detyrua të largohej për në Zürich atëherë kur bindjet e tij paqësore ranë ndesh me bindjet e eprorëve të tij.
Cvajg u bë i njohur fillimisht si poet dhe përkthyes (ai zotëronte 5 gjuhë të huaja, përveç hebraishtes, latinishtes dhe greqishtes së lashtë) dhe më pas si biograf, tregimtar dhe novelist. Ai njihet si intelektuali i parë që hodhi idenë e një Europe të Bashkuar, në vitin 1908. Cvajg u përqendrua në mësimet e Sigmund Freud, ndikimi i të cilit ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, sidomos në analizat e tij biografike për njerëzit më të shquar të të gjithë kohërave (filozofë, burra shteti, mbretër e mbretëresha, shkrimtarë të shquar etj).
Gjatë kohës në Salzburg, Cvajg filloi të besonte se persekutimi që Hitleri po u bënte hebrejve në atë kohë lidhej direkt me vetë Cvajgun. Ai kurrë nuk u shërua nga ky fiksim, i cili rrjedhimisht u shndërrua në paranojë. Kur emigroi në Angli (jetoi në Bat dhe Londër), Cvajg kreu studime për librin e tij të ardhshëm “Mary, Mbretëresha e Skocisë”.
Në atë kohë ai u takua përsëri dhe me Freud me të cilin ishte njohur në vitet ’20. Në vitin 1938 ai botoi librin “Padurimi i zemrës” (Ungeduld des herzens), një histori e zezë dashurie që tregon edhe njohjen e Cvajgut me teorinë psikanalitike të ndjenjës së fajit, një libër ku dashuria fajtore kurorëzohet me një vetvrasje të dëshiruar e të kërkuar nga dy personazhet kryesore të librit.
Ndërsa në vitin 1938 Cvajg fitoi nënshtetësinë britanike dhe në vitin 1940, pas një turneu të suksesshëm mësimdhënieje në pothuajse tërë Amerikën e Jugut, ai u vendos në Brazil. Cvajg u nda nga Friderike në 1938 dhe një vit më vonë u martua me Charlotte Altmann, e cila ishte sekretarja e tij që nga viti 1933. Charlotte ishte 27 vjeç më e re se Cvajg. Në vitin 1941 ata shkuan të dy në Brazil. Në librin “Brazili, vendi i së ardhmes” (1941), Cvajg përshkruan bukur historinë, ekonominë, kulturën e vendit duke dhënë përshtypje tepër interesante të cilat përputheshin dhe me thënien e Ameriko Vespuçit kur zbuloi Tokën e Re, e cila thoshte se “… nëse Parajsa ekziston në Tokë, ajo nuk duhet të jetë shumë larg prej këtu…”
Rënia e Singaporit në vitin 1942 përforcoi në mënyrë të patundshme bindjen e Cvajgut se nazizmi së shpejti do të pushtonte tërë rruzullin. I zhgënjyer, i izoluar dhe larg Europës, Cvajg kreu vetvrasje së bashku me gruan e tij, pranë Rio de Janeiro më 23 Shkurt 1942. Me urdhër të diktatorit brazilian Getulio Vargas, shpenzimet e varrimit të Cvajg u paguan nga shteti.
Një ditë para se të vriste veten, Cvajg dërgoi në shtyp librin “Bota e së djeshmes”, i cili u botua pak muaj pas vdekjes së tij. Ky libër kishte tone autobiografike dhe në një farë mënyre dënonte kulturën europiane, të cilën në ato momente ai e quante të humbur. Në libër ai shkruan: “Shpresoj t’ia kem arritur qëllimit për gjetjen e një formule të vetme për kohën kur u rrita, domethënë para Luftës së Parë Botërore, duke e quajtur atë kohë “Era e artë e sigurisë”.