Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit në renovim, paralajmërohet reduktim i përkohshëm i kapaciteteve
Menaxhmenti kërkon mirëkuptim nga qytetarët gjatë punimeve dhe mungesës së disa profileve shëndetësore – shkruan TV Gjilani
Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit ka njoftuar qytetarët, njëherësh shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore, se aktualisht institucioni ndodhet në fazën e renovimit të hapësirave kryesore të spitalit.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe që pritet të zgjasë rreth dy vite, spitali do të përballet me një reduktim të përkohshëm të kapaciteteve të shërbimeve. Megjithatë, menaxhmenti ka bërë të ditur se personeli profesional do të vazhdojë të jetë maksimalisht i angazhuar për të ofruar shërbimet e nevojshme për pacientët.
Po ashtu, është theksuar se Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka mbështetje të vazhdueshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës në realizimin e objektivave dhe përmirësimin e kushteve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Në njoftim thuhet gjithashtu se gjatë kësaj periudhe spitali po përballet edhe me mungesë të disa profileve të profesionistëve shëndetësorë, megjithatë autoritetet kanë bërë të ditur se janë në proces për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi.

Ndërkohë, menaxhmenti i spitalit u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe ka theksuar se në rast të paraqitjes së pakënaqësive ndaj personelit shëndetësor, do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me rregulloret në fuqi.
