Monday 2 February 2026
Advertisement
Advertisement
TV Gjilani TV Gjilani
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
    • Basketboll
      • NBA
      • Superliga e Kosovës
    • Futboll
      • Superliga e Kosovës
      • Champions League
      • Europa League
      • Konferencë League
  • Kulturë
    • Teatër
    • Film
    • Letërsi
    • Arte Pamore
  • Shëndeti
  • Marketing
    • Automjete
    • Banesa
    • Konkurse
    • Lajmërime
    • Lokale
    • Njoftime
    • Pajisje teknologjike
    • Shitëblerje
    • Shpallje
    • Shtëpi
    • Telefona
    • Troje
logo
Edit Content
TV Gjilani TV Gjilani
  • most recent news
  • trending news
  • most read
  • All Video
  • Image gallery
  • more
Teknologji

Amazing Model On Site

15 June 2021
Teknologji

Sisters Land Fashion Role

15 June 2021
Teknologji

Beauty Model Working on

15 June 2021
Teknologji

Victoria’s Secret Afterparty Goes

15 June 2021
Teknologji

Best Dressed Men in

15 June 2021
Sport

Të dielën do të

8 July 2021
  • Accessibility
  • Help
  • Contact
  • About qoxag

Lajmi i Fundit

Vedat Muriqi shënon dhe asiston për fitoren bindëse (4:1) të Real Mallorca ndaj Sevila

Shkruan: Timo Mërkuri – Zëri i një uni të ndarë, Kaltrina Berisha, “Uni i ndarë”

Gjilan – Kryetari Hyseni: “Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, edhe sivjet dëshmoi fuqinë e artit

Rektori i UKZ-së priti në takim udhëheqës të AShAK

Policia: Raportohet e zhdukur një grua në Gjilan

“HORIZONTI” – shkollë dhe prijatare e enigmatikës shqiptare

Ndërroi jetë Fazli Fazliu, ish-kryetar i KB Drita

Me “Gala Mbrëmjen” ku u shpërblyen më të mirët u përmbyll “Flaka e Janarit 2026”

Enigmatika në qendër të “Flakës së Janarit 2026”: Tullumi fitues në fjalëkryq, Mamuti në anagramë

Poetja Blinera Hajdari me poezinë “Përtej lëkure”, është fituese e çmimit “Pena e Flakës 2026”

 Shkruan: Timo Mërkuri – Zëri i një uni të ndarë, Kaltrina Berisha, “Uni i ndarë”
Arte tjera Kulturë Lajme Letërsi Librari

Shkruan: Timo Mërkuri – Zëri i një uni të ndarë, Kaltrina Berisha, “Uni i ndarë”

2 February 2026 0 Comment 38 min read

AA

(Kaltrina Berisha, UNI I NDARË, poezi, editoi shtëpia botuese BEQIR MUSLIU, Gjilan, 2024)

Ka kohë që krijimtaria e poeteve të reja nga Kosova befason në mënyrë të këndshme. Jo vetëm për ndjeshmërinë, por për mënyrën se si këta zëra arrijnë të përqendrojnë në vargje përvoja kulturore, filozofike dhe psikologjike, pa zhurmë dhe pa pozë.

Është një poezi që vepron në heshtje; që nuk e ngre tonalitetin e zërit, por e shton peshën e fjalës. Dhimbja nuk shpërndahet, por mblidhet si dritë e ftohtë rreth mendimit.

Në këtë hapësirë poetike hyn edhe zëri i Kaltrina Berishës, një zë i matur e këmbëngulës në jehonë. Poezia e saj nuk kërkon të bindë dhe as të qetësojë lexuesin. Ajo nuk e zbukuron realitetin, por e shfaq dhe pranon plagën dhe jeton me të. “Uni i ndarë” nuk e merr lexuesin për dore, por e ul përballë vetes, aty ku heshtja bëhet bashkëbiseduese dhe pyetjet mbeten të hapura.

Shkruan: Timo MËRKURI

Që në titull, autorja shpall gjendjen themelore të subjektit lirik: një “unë” i ndarë, i copëzuar mes kujtesës dhe përditshmërisë, mes trupit që ndien dhe mendjes që analizon, mes kulturës që e ushqen dhe vetmisë moderne që e rrethon. Kjo ndarje nuk është krizë kalimtare, por mënyrë ekzistence; një vetëdije që ecën nëpër çarjen e vet, pa iluzion shërimi të shpejtë.

Poezia e Berishës nuk ndërtohet si rrëfim linear, por si lëvizje rrethore, ku çdo poezi është një ndalesë e brendshme. Brenda këtij qarku shfaqen miti, filozofia dhe arti, jo si dekor, por si shtylla ku mbështetet vetëdija. Subjekti lirik banon në gjuhë ashtu siç banon në këto figura, duke e thelluar hendekun mes jetës së përditshme dhe përmasës ekzistenciale.

Vetë poetja duket se e ka menduar “Uni i ndarë” si një libër për një rreth të kufizuar lexuesish, por kjo mbetet më shumë një rezervë autoriale sesa një kufi real. Poezia bashkëkohore nuk kërkon më lexuesin masiv, por lexuesin që pranon të vihet në provë. Në këtë kuptim, “Uni i ndarë” nuk e përjashton lexuesin; ai e përzgjedh, me kërkesë letrare.

Kaltrina Berisha e ka ndërtuar këtë libër me vetëdijen e një poeteje që e njeh terrenin ku lëviz. Poezia e saj moderniste dhe ekzistenciale nuk synon të shërojë, por të emërtojë. Dhe pikërisht aty, në këtë emërtim të ndarjes dhe të vetmisë moderne, fjala poetike fiton peshën e saj më të thellë njerëzore, si një pasqyrë e krisur, ku vetja shfaqet e copëzuar, por e vërtetë.

1. Titulli si çelës hermeneutik

Çdo lexim i librit “Uni i ndarë” duhet të nisë nga titulli, sepse ai nuk është thjesht një emër, por porta e parë e vetëdijes poetike që e përshkon të gjithë librin. Është një titull që nuk të flet me zë të lartë, por të ndalon. Të detyron të mendosh. Të kthen sytë nga vetja. “Uni i ndarë” nuk flet për një çast krize, as për një gjendje të përkohshme shpirtërore; ai flet për një mënyrë të të qenit, për një gjendje të qëndrueshme të njeriut modern, që jeton në fragment, në çarje, në dyzim.

Që në këtë pikë, Kaltrina Berisha e vendos subjektin e saj lirik përballë vetes, si përpara një pasqyre të krisur, që nuk bashkon copëzat e figurës, por i shumëzon ato. Uni nuk del i plotë, por i shpërndarë, i ndarë mes përvojës dhe reflektimit, mes asaj që ndodh dhe asaj që kuptohet, mes trupit që ndien dhe mendjes që analizon pa pushim. Është një pasqyrë që nuk ngushëllon, por ndriçon e zgjeron plagët.

Së pari, “Uni i ndarë” shfaqet si ndarje ontologjike, si gjendje themelore e qenies, jo si krizë e përkohshme. Vetja nuk është një e vetme dhe e qetë, por e përçarë në thellësi. Ajo jeton dhe njëkohësisht vëzhgon veten duke jetuar. Ndien, por edhe e analizon ndjesinë. Është gjithmonë pak jashtë vetes. Kjo ndarje nuk klithet, nuk dramatizohet. Thuhet me një qetësi të ftohtë, që e bën edhe më të dhimbshme. Një pohim i thjeshtë, i zhveshur nga retorika, e përmbledh këtë gjendje: “Unë që jetoj në mesin tuaj, por e huaj jam.”(Uni i ndarë, f. 64). Ky varg është si një dritare e hapur në mes të tekstit. Nuk kërkon shpjegim, sepse vetë është shpjegim. Bashkëjetesa me të tjerët nuk garanton përkatësi. Prania fizike nuk e shëron ndarjen e brendshme. Uni është aty, mes njerëzve, por mbetet i papërfshirë, si një hije që ecën paralel me trupin.

Së dyti, titulli shpalos një ndarje etike dhe ekzistenciale. Uni lëkundet vazhdimisht mes fajit dhe pafajësisë, mes dëshirës për jetë dhe lodhjes nga ajo. Në këtë poezi, Erosi dhe Tanatosi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin; ata bashkëjetojnë në një tension të heshtur, por të pandalshëm. Jeta përjetohet njëkohësisht si barrë dhe si tundim, si peshë që rëndon, por edhe si diçka nga e cila nuk hiqet dorë. Këtë ambivalencë e ndiejmë qartë në poezinë

“Pikëpresje”:

“Pak helm kohë pas kohe

t’falë ëndrra të bukura”

(Pikëpresje, f. 16).

Këtu ndarja nuk është thjesht morale. Ajo është thellësisht ekzistenciale. Jeta kërkon dozën e saj të helmit për të vazhduar. Ëndrrat e bukura lindin pikërisht nga kjo përzierje e rrezikshme, nga ky kompromis i heshtur me vuajtjen.

Një tjetër përmasë thelbësore e titullit është ndarja gjuhësore. Uni i ndarë flet, por njëkohësisht hesht. Gjuha bëhet strehë, por edhe kufi. Ajo është vendbanimi i qenies, por jo gjithmonë shpëtimi i saj. Në poezinë “Bohemia”, kjo ide përmblidhet në një fjali që tingëllon si një aksiomë poetike dhe filozofike:“Qenia banon në gjuhë.”(Bohemia, f. 15). Por ky banim nuk është i qetë. Gjuha shpesh nuk mjafton për ta mbajtur peshën e dhimbjes. Fjalët mbërrijnë deri diku, pastaj ndalen. Dhe pikërisht aty, në atë kufi mes së thënës dhe së pathënës, uni ndahet edhe një herë: mes asaj që mund të artikulohet dhe asaj që mbetet pezull, e pashprehur, por e gjallë.

Së fundi, “uni i ndarë” është edhe ndarje kulturore dhe kohore. Subjekti lirik endet mes mitit dhe modernitetit, mes figurave të lashta dhe ankthit bashkëkohor. Ai mendon përmes Sizifit, Odiseut, figurave që ecin pa mbërritje, pa premtim kthimi. Ky udhëtim i pandalshëm, pa Itakë, e bën librin të lexohet si një poemë e gjatë e fragmentuar, ku çdo poezi është një copë pasqyre e së njëjtës vetëdije të përçarë. Kjo ndjesi shprehet me një lutje të thjeshtë dhe thellësisht njerëzore në poezinë “Rrugëtimi i një sizifi modern”:“të endem rrotull si një Odise pa Itakë”(Rrugëtimi i një sizifi modern, f. 23). Shikoni pak: Odiseu ecte sepse e priste Itaka. Ky Odise modern endet sepse nuk e ka. Nuk kërkohet më shpëtim, por lëvizje; jo mbërritje, por vazhdim. Endja kthehet në formë ekzistence, në mënyrën e vetme për të mos u ngurtësuar brenda dhimbjes. Sinqerisht të trondit një nthellësi e tillë mendimi poetik.

Titulli “Uni i ndarë” nuk shërben vetëm si hyrje, por si busull interpretimi për gjithë librin. Ai na udhëzon të mos i lexojmë poezitë si njësi të izoluara, por si pjesë të një tërësie të copëzuar ( si te pasqyra e krisur), ku çdo fragment mban brenda të njëjtin zë të ulët, të njëjtën dhimbje të përmbajtur dhe të njëjtën vetëdije të përçarë. Një vetëdije që nuk kërkon të bashkohet me çdo kusht, por që, duke e pranuar ndarjen, fiton thellësi, ndershmëri dhe një forcë të heshtur njerëzore.

2. Uni lirik – një “unë” modern, i copëzuar nga brenda

Në qendër të librit “Uni i ndarë” qëndron një subjekt lirik i ndërtuar me një vetëdije të mprehtë për kohën që jeton dhe për barrën që mban. Është një “unë” që e njeh epokën e vet, që e ndien peshën e saj mbi shpinë dhe nuk përpiqet ta fshehë lodhjen. Ky nuk është një “unë” heroik në kuptimin klasik, as rebel që ngre zërin. Përkundrazi, është një “unë” i heshtur, i lodhur, i menduar gjatë, që e njeh mirë dhimbjen dhe nuk ka më nevojë ta maskojë.

Poezia e Kaltrina Berishës nuk e romantizon vuajtjen. Nuk e zbukuron, nuk e kthen në dekor. Ajo e pranon si pjesë të pandashme të qenies, si pjesë të përhershme të jetës moderne. Ky subjekt lirik nuk kërkon më të duket i fortë; ai kërkon të jetë i vërtetë. Dhe kjo vërtetësi, e thënë me zë të ulët, është një nga forcat më të mëdha të këtij libri.

Ky “unë” është i vetëdijshëm për plagët e veta. Ai i njeh, i përmend, herë-herë edhe i numëron, pa patetizëm dhe pa keqardhje për veten. Dhimbja nuk shfaqet si dramë e jashtëzakonshme, por si diçka e pashmangshme, që duhet jetuar. Në poezinë “E pashmangshme si vdekja”, kjo ndjesi artikulohet me një qetësi të errët, thuajse filozofike:

“E pashmangshme si vdekja

pakëz më i lehtë se i jemi hov i trishtë”

(E pashmangshme si vdekja, f. 65).

Këtu dhimbja nuk ulërin, ajo qëndron. Është aty, si prani që nuk ikën, por që mësohet të përballohet. Pikërisht kjo qetësi e dhimbshme i jep vargut një peshë të veçantë njerëzore.

Ironia që shfaqet herë pas here në poezitë e librit nuk është cinike. Nuk është as përqeshëse, as mbrojtëse. Është një ironi e lodhur, e brishtë, që shpesh kthehet në vetëironi. Një mënyrë për të mbijetuar në një botë që nuk të kursen. Në poezinë “Vetëm për të marrët, natyrisht”, subjekti lirik e pranon përkatësinë në margjinë pa revoltë, por me një buzëqeshje të hidhur, thuajse të pajtuar: “Natyrisht, të marrët bëjnë të tilla gjëra…”(Vetëm për të marrët, natyrisht, f. 41). Kjo fjali tingëllon si një pohim i thjeshtë, por mbart brenda një filozofi të tërë: ndonjëherë, për të mbijetuar, duhet ta pranosh se nuk i përket qendrës.

Një tipar i fortë i këtij “uni” lirik është mbingarkesa kulturore. Subjekti mendon përmes miteve, filozofëve, figurave letrare dhe muzikës. Kjo nuk vjen nga dëshira për të “shitur” dije, por nga pamundësia për ta përballuar realitetin e zhveshur, pa këto ndërmjetësime. Kultura bëhet filtër, mburojë, por edhe barrë. Në poezinë “Rrugëtimi i një sizifi modern”, subjekti e sheh veten si një figurë që endet nëpër identitete dhe referenca, pa gjetur qetësi: “të endem rrotull si një Odise pa Itakë” (Rrugëtimi i një sizifi modern, f. 23). (Po çfarë Odise mund të jesh pa Itakën). Këtu shfaqet qartë figura e udhëtimit pa mbërritje. Odiseu ecte sepse e priste Itaka. Ky Odise modern endet sepse nuk e ka. Itaka, si mbërritje, si shpresë dhe si besim në kuptimin e rrugës, mungon. Dhe pikërisht kjo mungesë e bën udhëtimin më të rëndë. Këtu nuk kërkohet shpëtim, por lëvizje. Jo përfundim, por vazhdim. Endja bëhet formë ekzistence, mënyrë për të mos u ngurtësuar brenda dhimbjes.

Ky udhëtim është më shumë i brendshëm se gjeografik, më shumë psikologjik se narrativ. Ai kalon përmes kujtesës, mendimit dhe plagëve që nuk mbyllen. Rruga nuk çon drejt një qëllimi të qartë, por kthehet vazhdimisht në vetvete, si një rreth që nuk kërkon dalje.

Një tjetër bosht i rëndësishëm i këtij “uni” modern është vetëdija e të qenit jashtë, edhe kur trupi ndodhet mes të tjerëve. Subjekti lirik nuk përjashtohet dhunshëm dhe as nuk largohet me revoltë. Ai thjesht qëndron, vëzhgon dhe e di se përkatësia nuk është e garantuar. Kjo gjendje nuk shoqërohet me ankth të zhurmshëm, por me një qetësi të trishtë, të pranuar si fat personal. Këtë e përmbledh një varg i vetëm, i thënë pa zë të lartë, por me peshë të madhe: “Unë që jetoj në mesin tuaj, por e huaj jam.”(Uni i ndarë, f. 64).

Ky varg e mbyll rrethin e interpretimit të “unit” lirik. Ai nuk kërkon të integrohet me çdo kusht dhe as të shpëtojë nga vetmia. Ai e njeh gjendjen e vet dhe jeton brenda saj. Prandaj, shtegu i leximit të këtij subjekti është më shumë psikologjik dhe filozofik sesa rrëfimor. Poezia nuk na tregon çfarë ndodh, por si ndihet të jesh, në një botë ku shpresa klasike ka humbur peshën e saj dhe fjala mbetet forma e fundit e qëndrimit njerëzor.

Në këtë kuptim, uni lirik i Kaltrina Berishës është një pasqyrë e njeriut bashkëkohor: i përçarë, i lodhur, i vetëdijshëm, por ende në lëvizje. Dhe ndoshta pikërisht kjo lëvizje, kjo endje e brendshme, është forma e tij më e ndershme e qëndresës.

3. Intertekstualiteti si mënyrë ekzistence

Në Uni i ndarë, referencat letrare, filozofike dhe mitologjike nuk janë zbukurim i vargut, as shenjë erudicioni të ekspozuar. Ato janë mënyrë frymëmarrjeje, si mushkëri të huazuara kur ajri i përditshmërisë bëhet i rëndë. Janë si shtëpi të vjetra guri, me mure të çara nga koha, ku subjekti lirik hyn për t’u mbrojtur nga moti i ashpër i realitetit. Kur jeta nuk mjafton më e zhveshur, poezia e Keltrina Berishës mendon përmes kulturës, ashtu si njeriu që mendon përmes kujtesës për të mos u shuar.

Niçja, Dante, Raskolnikovi, Penelopa, Odiseu, Borges, Mona Liza, Orfeu apo Laokonti shfaqen jo si figura autoriteti, por si bashkëudhëtarë të heshtur në një rrugë të gjatë e të pashtruar. Ata nuk flasin nga lartësia e librave, por nga thellësia e përvojës njerëzore. Raskolnikovi, personazhi i Dostojevskit i përndjekur nga faji pas krimit, i ndarë mes arsyes dhe ndërgjegjes, bëhet figurë e njeriut që nuk gjen qetësi as pas veprimit, as pas pendesës. Në poezinë “Të gjitha rrugët të dërgojnë në qendrën korrektuese”, ky udhëtim përmes letërsisë botërore shndërrohet edhe në rrugëtim vetjak, ku leximi dhe jeta ecin krah për krah:

“E nisa me Danten dhe pyllin e errët,

me braktisjen e Xha Gorios,

dënimin e Raskolnikovit”

(Të gjitha rrugët të dërgojnë në qendrën korrektuese, f. 72).

Këto figura janë si pasqyra të thyera, ku subjekti lirik sheh veten në copëza, pa arritur kurrë ta mbledhë plotësisht figurën. Secila mbart një faj, një dënim, një mungesë shpëtimi. Prandaj, intertekstualiteti këtu nuk është citim, por një formë e vetërrëfimit të maskuar, ku njeriu flet për veten përmes historive të të tjerëve.

Miti zë një vend të veçantë në këtë univers poetik. Letea, Akeronti, Lilith nuk shfaqen si simbole të largëta, por si hapësira të brendshme ku shpirti endet, si territore të errëta të ndërgjegjes. Lilith, figurë mitike e përjashtuar sepse refuzoi nënshtrimin, shfaqet jo si demon, por si simbol i vetmisë dhe i shpirtit që shërohet me vështirësi, larg qendrës dhe rendit. Në poezinë “Lilith”, kjo gjendje

artikulohet me qetësi të dhembshme:

“Rrugë të shtrembëra

për një shpirt që shërohet ngadal’”

(Lilith, f. 29).

Ndërsa në “Letea”, lumi mitik i harresës – ku shpirtrat pinë për të harruar jetën e mëparshme – nuk paraqitet si shpëtim i butë, por si tundim i rrezikshëm. Harresa është këtu si një dorë që të fton, por të ftoh, si një prehje që mpin vetëdijen:

“Hidhu e dashur!

Si një përqafim i ngrohtë

që bahet akull…”

(Letea, f. 55).

Edhe muzika bëhet mënyrë mendimi. Poezitë “Sonatë” dhe “Dodekafonia” nuk flasin vetëm për tinguj, por për çrregullimin e brendshëm, për mungesën e harmonisë klasike. Dodekafonia, si teknikë muzikore moderne atonale, ku mungon qendra dhe ekuilibri, shndërrohet në metaforë të një uni të shpërbërë, që nuk arrin më të gjejë boshtin e vet: “uni bahet atonalitet”(Dodekafonia, f. 59).Këtu modernizmi shfaqet natyrshëm, pa shpallje programatike. Ashtu si në artin modern, rendi prishet që e vërteta të mund të thotë diçka tjetër. Subjekti lirik nuk kërkon më simfoni të plotë, por pranon disonancën si formë ekzistence, si gjuhë të vetme të ndershme për kohën që jeton.

Në këtë mënyrë, intertekstualiteti në Uni i ndarë nuk është shenjë largësie nga jeta, por mënyrë për t’u përballur me të. Kur realiteti i drejtpërdrejtë bëhet i ngushtë dhe i padurueshëm, kultura hap një hapësirë tjetër, ku dhimbja mund të mendohet, të përballohet dhe, së paku, të thuhet. Poezia e Keltrina Berishës jeton pikërisht aty: në kufirin mes përvojës personale dhe kujtesës së madhe njerëzore, aty ku fjala bëhet strehë dhe mbijetesë.

4. Gjuha dhe trupi – ndërmjet lirikes dhe dhimbjes së thellë

Në poezinë e Kaltrina Berishës, gjuha nuk është vetëm instrument shprehjeje, por vend ku jeton dhe merr frymë dhimbja, një territor ku lirizmi i butë përplaset me realitetin e ashpër të trupit dhe shpirtit. Ajo nuk fsheh plagët, përkundrazi i ekspozon me guxim, duke krijuar një estetikë të shqetësimit: bukuria dhe dhimbja ecin krah për krah, herë si përqafim ngrohtësie, herë si prekje që shkund brendësinë.

Në “Një nga poezitë e librit të kaltër” (f. 7), fillimi duket i qetë, si ishulli i braktisur ku marinarja e lirë përpiqet të gjejë ekuilibrin midis dallgëve: një figurë lirike që endet në ëndrra heroike dhe mendohet në heshtje. Por qetësia thyhet shpejt nga tensioni i brendshëm:

“Me idetë e thurura

të lëna pas

si përjashtime të rralla

shall i vjetër

diku gjetkë

Gjurmë që s’e mbulojnë ngushëllimin”

(Një nga poezitë e librit të kaltër, f. 7)

Shalli i vjetër bëhet metaforë e së shkuarës që nuk mund të ngushëllohet; idetë e braktisura janë gjurmë të paefektshme të një bote që nuk kupton dhimbjen tonë.

Nga ky lirizëm delikatesash, Berisha zhytet në truporen e jetës së përlyer. Në “Parfumi i narcistit” (f. 9–10), dialekti dhe imazhet trupore sjellin çrregullimin dhe tensionin e përjetuar nga subjekti lirik:

“me trupat e përlyem

si derra t’qeshun

kur shpirti noton

përtej gypave t’ndryshkun

t’qyteit t’vjetruem”

(Parfumi i narcistit, f. 9–10)

Bukuria dhe dhimbja bashkëjetojnë këtu: parfumi kundër llucës dhe kutërbimit, pasuria e trupit kundër dobësisë së shpirti. Dialekti – “asht, nji, t’përlyem, n’lloç” – nuk është thjesht folklor, por mënyrë për të bërë vargun të trupshëm, të prekshëm, të ndjerë në mish dhe gjak. Vargu i lirë frymon si trupi i vetëdijshëm: çdo pauzë është hapësirë për të marrë frymë, për të ndjerë dhimbjen dhe lodhjen e qenies.

Kjo bashkëjetesë midis lirizmit dhe dhimbjes duket edhe në “Njerëzore” (f. 68):

“Marr frymë e hamendësoj se dua gjithçka,

gjithkënd,

lëshoj frymën e sigurohem se më neveritet

gjithkushi, gjithçkaja…”

(Njerëzore, f. 68)

Trupi shndërrohet në vend dhimbjeje dhe frymëmarrja bëhet strukturë poetike dhe eksistenciale: çdo dëshirë, çdo pasion, çdo neveri kërkon hapësirë për t’u shfaqur.

Në këtë kontekst, koncepti i “uni i ndarë” shfaqet si filozofi që lidh poezitë e Berishës. Në “Uni i ndarë” (f. 63–64), subjekti jeton mes trupit dhe shpirtit, mes dëshirës për të qenë pjesë e botës dhe ndjenjës së braktisjes: “Unë që jetoj në mesin tuaj, por e huaj jam.”(Uni i ndarë, f. 64) Ndarja e brendshme është metaforë e ekzistencës moderne: njeriu nuk gjen kurrë strehë të plotë, as në trup, as në mendje, as në shpirt. Një pjesë e tij gjithmonë përplaset, ndodh të braktiset, dhe kjo përplasje ushqen lirizmin e dhimbshëm të poetes.

Kur krahasojmë “Parfumi i narcistit” dhe “Një nga poezitë e librit të kaltër”, kuptojmë se Kaltrina Berisha ndërthur të dy ekstremet: nga ishulli i braktisur ku mendja endet në ëndrra heroike, tek trupat e përlyer ku estetika e shqetësimit shfaqet në mënyrë të qartë dhe të ndjerë. Trupi, era, parfumi, lëkura, gjaku – të gjitha bëhen figura që lidhin lexuesin me dhimbjen dhe pasionin e jetës që nuk mund të heshtet.

Kështu, gjuha e Berishës bëhet urë mes lirizmit dhe dhimbjes së thellë, mes qenies dhe shqetësimit. Poezia nuk lejon qetësi; ajo flet në gjuhën e trupit dhe të shpirtit, duke na kujtuar se njeriu është gjithmonë një “uni i ndarë”, një trup që ndjen, një mendje që mendon, një shpirt që kërkon strehë në një botë që shpesh refuzon.

5. Prurjet e reja dhe të veçanta të poezisë së Kaltrina Berishës në poetikën shqipe

Libri “Uni i ndarë” i Kaltrina Berishës është një udhëtim poetik që sfidon heshtjen dhe thërret ndërgjegjen. Ai nuk shëron plagët, por i emërton me guxim, duke i bërë ato të dukshme si rreze drita që depërtojnë në errësirën e shpirtit. Fjala tek Berisha nuk është vetëm instrument; ajo është trup që ndjen, hapësirë ku lirizmi i butë takohet me dhimbjen e thellë, ku çdo varg ka peshën e ekzistencës dhe e ndjen lexuesin si bashkëudhëtar të vetëdijes.

Një nga prurjet më të veçanta të Berishës është përdorimi i gjuhës si trup i ndjesive. Era, parfumi, lëkura, gjaku nuk janë thjesht figura artistike; ato bëhen gjurmë të prekshme të realitetit që vjen tek lexuesi, duke e përfshirë atë në rrjedhën e ndjesisë. Në poezinë “Parfumi i narcistit” (f. 9) lexojmë:

“Vargjet e trupave t’bashkuem

t’lagjeve t’zhytuna

deri n’buzë

pa asnji muzë

n’lloçin e terun

t’përlyem

e kutërbues

prej pisllakut.”

(Parfumi i narcistit, f. 9)

Këtu bukuria dhe dhimbja bashkëjetojnë; çdo ndjesi trupore shndërrohet në figurë që dridhet si pasqyrë në ujërat e shpirtit.

Një tjetër prurje e veçantë është përdorimi i dialektit si akt identitar, jo thjesht folklorik. Dialekti fuqizon zërin e subjektit poetik, e bën të prekshëm dhe të afërt, por edhe të veçantë, duke ndërtuar një hapësirë ku ndjesia dhe mendimi bashkohen. Si në poezinë “Njerëzore” (f. 68):

“Hapa sytë një mëngjes

dhunë e heshtur

lutje të shfrenueme

ngërçe ekzistenciale

mbamendje e ngadalësueme.”

(Njerëzore, f. 68)

Vargu i lirë tek Berisha është si frymëmarrje e çrregullt, pasqyrë e ndërgjegjes së ndarë midis kujtesës dhe harresës, mesnatës simbolike dhe trupit që ndjen gjithçka. Kjo është poezia e shqetësimit, jo e hijeshisë së thjeshtë.

Koncepti i “uni i ndarë” është një tjetër prurje e veçantë dhe filozofike e Berishës. Ai nuk është thjesht titull; është ide që përshkon të gjitha poezitë e librit: subjekti poetik është fragment i shpirtit, i ndarë midis kujtesës dhe përjetimit të momentit, i ekspozuar ndaj dritës dhe errësirës së ekzistencës. Në “Uni i ndarë” (f. 63) lexojmë:

“…Unë që jetoj në mesin tuaj, por e huaj jam

E pashmangshme si vdekja

pakëz më i lehtë se i jemi hov i trishtë

kujtesa nis e gjëmon n’mriz

mbyllun kruspull

dhimbjet të shpojnë gjerë n’kurriz.”

(Uni i ndarë, f. 63)

Përmes këtyre vargjeve, Berisha sjell një filozofi ekzistenciale: dhimbja dhe faji nuk fshihen, por analizohen dhe shfaqen në mënyrë të ndjeshme; vetmia dhe pasqyrimi bëhen mjet për të kuptuar vetveten.

Libri është eksperiment me kohën dhe hapësirën poetike. Mesnata nuk është thjesht moment, por hapësirë simbolike ku subjekti përballet me pendesën, fajeve dhe dhimbjen. Kujtesa dhe harresa, si në poezinë “Letea” (f. 55), lidhen dhe shndërrohen në metafora të ekzistencës:

“Hidhu e dashur!

Si një përqafim i ngrohtë

që bahet akull…”

(Letea, f. 55)

Kjo krijon një atmosferë ku lexuesi ndjen pasiguri, shqetësim dhe lodhje shpirtërore, por edhe një qetësi të hidhur, një vetëdije të ndarë midis jetës dhe humbjes.

“Uni i ndarë” nuk kërkon pajtim; ai thjesht na bën të ndjejmë, të kuptojmë dhe të përballemi me dhimbjen. Fjala është forma e fundit e qëndresës, poezia është vetëdija që refuzon të heshtë. Ky libër është guxim dhe dritë, një poezi që shtrihet në heshtje dhe i flet lexuesit në gjuhën e trupit, shpirtit dhe mendjes, duke treguar se dhimbja, ndarja dhe vetmia janë pjesë e qenies njerëzore, por edhe burim i një bukurie të veçantë.

6. Qasja e poezisë së Kaltrina Berishës me poezinë moderne europiane

Poezia e Kaltrina Berishës nuk jeton vetëm në kufijtë e shqipes; ajo frymon si pjesë e një dialogu me poezinë europiane moderne, ku temat e vetmisë, dhimbjes dhe përplasjes me ekzistencën janë universale. Ajo nuk kërkon të imitojë apo të përsërisë formën europiane; përkundrazi, e përdor atë si pasqyrë për të reflektuar realitetin e saj, duke sjellë një tingull të veçantë, ku gjuha shqipe shndërrohet në instrument të ndjeshëm dhe të fuqishëm.

Si tek poetët europianë të shekullit XX – nga Paul Celan, Marina Cvetajeva deri te Rainer Maria Rilke- subjekti poetik është një qenie e ndarë mes kujtesës e harresës , mes trupit dhe shpirtit. Tek “Uni i ndarë” (f. 63) kjo gjendje manifestohet qartë:“…Unë që jetoj në mesin tuaj, por e huaj jam/E pashmangshme si vdekja…”

Si tek Celan apo Apollinaire, dhimbja nuk fshihet; ajo shfaqet si trup, si frymë, si ajër që merr formë në fjalë. Vargjet e Berishës janë frymëzuar nga kjo ndjesi europiane, por gjithmonë përputhen me gjuhën e saj, me ritmin dhe sensin e saj të veçantë të shqipes, duke krijuar një modernizëm të brendshëm dhe të ndjeshëm.

Një tjetër aspekt i përbashkët është eksperimenti me formën dhe strukturën. Në poezitë e Berishës, vargu i lirë sillet si frymëmarrje e çrregullt, si në poezinë moderne europiane, ku çdo pauzë, çdo heshtje ka peshën e saj. Tek “Njerëzore” (f. 68) lexojmë: “Hapa sytë një mëngjes/dhunë e heshtur/lutje të shfrenueme/ngërçe ekzistenciaale…”. (Njerëzore, f. 68) Kjo frymë e lirë dhe e ndërprerë e vargut është tipike e poezisë moderne europiane, ku fragmentimi i gjuhës pasqyron shpirtin e ndarë dhe përjetimin e çrregullt të kohës. Por Berisha e bën këtë në një mënyrë me ngrohtësi njerëzore, ku çdo figurë – era, lëkura, gjaku- është e prekshme, e ndier, jo abstrakte.

Një pikë lidhje tjetër është intertekstualiteti filozofik dhe mitologjik. Poeti europian modern shpesh përdor referenca të lashta, mitike apo kulturore për të artikuluar një gjendje të brendshme, dhe Berisha bën të njëjtën gjë në poezinë e saj, duke sjellë figura si Letea, Akeronti, Lilith, që nuk janë vetëm simbole të largëta, por hapësira të brendshme ku shpirti endet dhe vetvetja reflektohet. Tek “Letea” (f. 55) lexojmë: “Hidhu e dashur!/Si një përqafim i ngrohtë/që bahet akull…” (Letea, f. 55) Ky përdorim i miteve, i lumit të harresës dhe i figurave që sfidojnë realitetin, lidhet me mënyrën sesi poetët europianë modernë përdorin simbolin për të eksploruar ekzistencën.

Në këtë kuptim, poezia e Berishës ndërthur lokalen dhe universalen, duke e bërë gjuhën shqipe të flasë me një tingull europian. Ajo është një zë që refuzon heshtjen, një poezi ku dhimbja dhe vetmia janë të prekshme, por gjithashtu ku fryma poetike gjen një lloj qetësie të brishtë. Vendi i saj në poetikën europiane është pikërisht ky dialog i ndjeshëm mes brendësisë dhe botës, mes shqipes dhe frymës universale të poezisë moderne. Në këtë mënyrë, raporti i poezisë së Berishës me poezinë moderne europiane nuk është imitues, por bashkëudhëtues, ku shqipja bëhet një gjuhë që flet përvojën njerëzore në mënyrë të përbashkët, ndërsa ruan veçoritë dhe bukurinë e saj origjinale.

Share This:

Tags: Timo Mërkuri
Previous post
Next post
Vali Ranch Resort
Më të Rejat
Futboll

Vedat Muriqi shënon dhe asiston për fitoren

2 February 2026
Arte tjera

Shkruan: Timo Mërkuri – Zëri i një

2 February 2026
Lajme

Gjilan – Kryetari Hyseni: “Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka

2 February 2026
Featured

Rektori i UKZ-së priti në takim udhëheqës

2 February 2026
RELATED Stories for you
Kulturë Letërsi Librari

Timo Mërkuri – “Dashuria, kjo loçkë zemre

9 October 2023

DASHURIA, KJO LOÇKË ZEMRE E POEZISË I- Përmbyllja e opusit poetik “Hyjnorja ime je

TV Gjilani TV Gjilani

Adresa: Rr. Abdullah Tahiri, p. n, Gjilan, Kosovë.

Tel. +383 44 304 901

Kategoritë

Lajme
Sport
Kulturë
Shëndeti

Marketing

Marketing
Shpallje

info@tvgjilani.com

Na ndiqni

©2026. All Right Reserved. TV Gjilani. All rights reserved. Portali Tv Gjilani. com mirëmbahet nga Kompania e Produksionit dhe Botimeve B. I. “Sfinga 07”. Të gjitha materialet e botuara dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen ose botohen gjetiu, e as nuk mund të shtypen e të shfrytëzohen në mënyrë apo formë tjetër, ose për qëllime përfitimi, pa marrë miratimin paraprak nga Tv.Gjilani.com Për shfrytëzimin apo përdorimin e materialeve nga Tv Gjilani.com, secili është i obliguar të marrë aprovimin paraprak dhe të pranoj kushtet e cekura si më lart. Website by Hostinkos.