Shkruan: Nexhat Rexha – Letërsia arbëreshe në studimet letrare të zgjedhura të Anton Nikë Berishës
Prej kohëve më të lashta e deri më sot veprat letrare kanë zgjuar interesimin e njeriut për t’i vlerësuar e për t’i interpretuar ato, pra për të vënë komunikim me idetë që shtrohen në to e me vlerat poetike që i cilësojnë.
Në këtë rrjedhë janë përdorur qasje e mënyra të ndryshme për t’i zbërthyer e ndriçuar veçantitë dhe vlerat e tekstit të veprave.

Prof. Nexhat Rexha, krijues letrar e kritik
Studimet e këtilla kanë pasur për qëllim që të depërtohet sa më thellë në idetë e veprës dhe të ndriçohen mënyrat se si janë krijuar ato, gjë që mund t’u këtë shërbyer lexuesve të tjerë të vënë komunikim më të mirëfilltë me to.
Veprimtaria e Anton Nikë Berishës është e gjerë dhe ka shtrirje në disa fusha, por dallohet sidomos ajo në fushën e artit të fjalës, letërsisë, qoftë në hartimin e veprave letrare poetike, në prozë e në poezi, qoftë në studimin e tyre.
Botimi i kompletit me studime letrare të zgjedhura në dhjetë vëllime, përfshin vlerat e dalluara studimore dhe estetike, të cilat janë botuar më parë në libra me punime të kësaj natyre ose si studime monografike. përcaktim i përbashkuar brenda këtyre librave. Pra, ato janë zgjedhje nga veprat e botuara në kohë të ndryshme, të cilat kanë ruajtur brendinë e tyre, varësisht nga periudhat kur janë shkruar, saktësisht nga viti 1968, kur e boton punimin e parë “Analogji e porosive të fantazmave”, ku krahasimi dhe porositë e fantazmave të tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit dhe të “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit dhe me 1970, kur e botoi librin e parë poetik ”Kthimi i Skënderbeut në Krujë” – vjersha për fëmijë. Pastaj vazhdoi shtegtimin e botimeve të veprave dhe të studimeve të ndryshmet, të cilat i pasuroi gjatë qëndrimeve në qendra të ndryshme evropiane ose si ligjërues universiteti, sidomos në Universitetin e Kalabrisë, ku u njoh më përafërt me arbëreshët e Italisë dhe me krijimtarinë e tyre të pasur letrare, gojore dhe të shkruar, po dhe me metodat dhe përvojat e ndryshme të studimit të letërsisë e të interpretimit të tekstit letrar poetik. Në këtë rrjedhë duhet përendur edhe punën e tij në përkthimet letrare, duke filluar nga “Epi i Gilgameshit” e Psalmet për të vazhduar përkthimi i poezive të disa poetëve italian.
Puna studimore e prof. Antonit, e lidhën edhe më shumë në botën e tekstit poetik e të mendimit kritik, pasioni në kërkime e depërtime, specifikojnë korrespondimin e veprimtarisë letrare në shtrirje kohësh. Tani më studiuesi krijon kriterin e shkrimeve kritike të tij, ai i jep gjithnjë, fizionominë e krahasimit dhe ballafaqimit të mendimit filozofik në ndërgjegjësimin e fjalës së shkruar.
Përqendrimi shënjues në depërtimet e para të studimeve shkencore në veprën “Përkime Poetike”, 1978, Anton Nikë Berisha, paralajmëron analogjinë e kundrimeve studimore në mundësi të interpretimit sa më të ngritur e modern në shkallë evropiane. Këtë kërkim studimi ai e bashkërenditë me lidhjet e gjata të ekzistencës së letërsisë gojore dhe asaj të shkruar, këtë e shpreh që në parathënien e librit të parë me studimeꓽ Hetimi dhe shkoqitja e përkimeve poetike midis letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar shtrohet si një nga problemet më të rëndësishme të shkencës së letërsisë”.
Në vëllimin e pestë të këtij kompleti me Studime letrare të zgjedhura janë përfshirë ”Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, të cilat sikur korrespondojnë me idetë e autorit që nga fillimet e para të studimeve të tij, sepse krijimet letrare gojore dhe ato të shkruaraꓽ komunikojnë, pasqyrojnë, ndriçojnë relikte të gjata e fisnikëruese të kulturës e traditës kombëtare. Padyshim, se këto vlera thesar, më së miri janë kultivuar e ruajtur në letërsinë gojore dhe atë të shkruar tek arbëreshët e Italisë.

Studimet e përfshira në këtë vëllim janë parashtrime dhe vëzhgime të thella, të cilat ndërlidhin mendimin e shtruar në rrafshin shkencor, duke u dhënë atyre frymëmarrjen reflektuese të kontekstit rrëfimor, epik dhe lirik. Përmes ndërlidhjeve të gjata dhe nga më të avancuarat e krijimit të artit gojor dhe artistik, që nga veprat e Homerit e këtej. Këto lidhje të gjata mitike, dhe pa aq të pazëvendësueshme shtrijnë mendimin studimor përtej shkrimit të sotëm dhe ekzistencës nacionale nga zanafilla deri te shkrimet ditëve tona, të cilat kanë ruajtur vlerat e mirëfillta si trashëgimi në letërsinë arbëreshe.
Gjithnjë, duke bartur e ruajtur krijimet gojore në ndërthurje të krijimeve të shkruara, me veprat e Nikollë Filës, Nikollë Ketës, Nikollë Brankatit, për të vazhduar më ngritjet më të dukshme me veprën e Jul Varibobës “Gjella e Shën Mërisë virgjër”, për të cilën Anton Nikë Berisha shkruanꓽ ”Pas një leximi të vëmendshëm dhe pas një analizimi më të përimtë të Gjellës së Shën Mërisë Virgjër të Varibobës mund të thuhet se në qenësinë e saj ajo dëshmon fazën e kalimit prej traditës letrare gojore arbëreshe në traditën e shkruar.
Këto vepra Anton Nikë Berisha i ka cilësuar në bashkërenditje të kohës, të cilat kanë ruajtur tiparet dalluese të traditës gojore, duke i marrë shkrirjet e tyre në veprat e botuara të periudhave përkatëse.
Për të konsoliduar në studimet e tij simbolikën dhe metaforën me mjetet e tjera ndihmëse, si dhe për të konstatuar se letërsia e shkruar arbëreshe, ka thellësi artistike, autori ka dëshmuar vëzhgime në shumë vepra të dalluara të shkrimtarëve si me veprat e De Radës, Anton Santorit, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Zef Skiroi. Për të vazhduar të brezat e më vonshëmꓽ Dushko Vetmo, Voreo Ujko-Domeniko Bellici, Lluka Perone, Enca Skutari, Zef del Gaudio, Zef Skiroi di Maxho etj.
Përmes analizës dhe interpretimeve autori ndriçon ndikimin e letërsisë gojore arbëreshe në veprat e De Radës dhe të Gavrill Dara i Riu, mirëpo, thekson se veprat e tyre kanë një frymëmarrje të mëvetësishme, më të fuqishme, sepse pena e De Radës, dhe Garvil Dar i Riu, kanë arritur t’i lartësojnë dukuritë dhe t’i lidhin me fatin e arbëreshëve të Italisë
Vlen të theksohet se De Rada në “Këngët e Milosaut”, ka konkretizuar elementin e traditës në nivelin më të ngritur artistikisht, si dhe ka shenjëzuar botëkuptimin e njeriut në faktorizim të dashurisë njerëzore si realitet dhe dashurisë së patjetërsueshme ndaj atdheut. Simbolika e thënë në vepër karakterizon jetën përtej detit dhe tragjiken e lisit, që nënkupton fatin e njeriut të tij.
Këto variacione poetike në kangjelet e “Këngëve të Milosaut” të De Radës, janë shkruar në një kohë kur romantizmi në Evropë ishte afër përfundimit. Me këtë vepër letërsia shqipe bashkërenditet me këtë fryme letrare si koncept dhe si vlerë.
“Këngët e Milosaut”, mbeten testamenti më i fuqishëm që bartet edhe në veprat tjera të tij si veprën jetësore “Skënderbeku i pafan”. Këto dhe trajtime dhe të tjera Anton Nikë Berisha, i ka artikuluar edhe në veprën e Gavril Dara i Riu ‘Kënga e Sprasme e Balës”, të cilave ai i ka dhënë zë dhe ndriçim më të dukshëm. Në këto studime dhe të tjera të letërsisë arbëreshe, koncepti studimor, krijon koherencën e njohjeve më të thella për këto vepra e për këtë pjesë të letërsisë, që krijuan arbëreshët e Italisë.
Njëkohësisht, Anton Nikë Berisha, ka prekur edhe studimet e disa studiuesve të realizmit socialist, të cilët kanë shkruar për këto vepra.

Duke krahasuar veprat origjinale të letërsisë arbëreshe dhe studimet e tyre si të Andrea Varfit, Jup Kastratit, Dhimitër Shuteriqit e ndonjë tjetër, ai ka konstatuar se disa mendime shkrimore mbi këto vepra, s’kanë ofruar njohje të brendisë e të vlerave të tyre artistike.
Në këto studime dhe interpretime të letërsisë së arbëreshëve Anton Nikë Berisha i jep tonin më akustik, si dhe ndriçon vargjet poetike përmes mesazheve më të thelluara, duke e përforcuar mendimin se De Rada, në veprat e tij ka orientuar si dhe ka piketuar në memorien e letërsisë arbëreshe këto vlera shumë dimensionale, duke krijuar traditë në ruajtje të vazhdueshme për shkrimtarët arbëresh, për të cilët fytyra e Skënderbeut, mbetet hallka më e fuqishme zinxhirore në të gjitha krijimet që do vijnë pas.
Në vëllimin e pestë të këtij kompleti të Studimeve letrare të zgjedhura, e tërë lënda e botuar, ka veçuat objektin e studimit nëpërmes kriterit më të avancuar në formacionin e interpretimeve përmes rolit dhe praktikës transformuese të zhvillimit kritik të hapur edhe për studiuesit e tjerë. Në këtë kontekst, autori i ka dhënë frymën e rivlerësimit të studimeve të kësaj letërsie, të cilat e përfaqësojnë procesin e inovacionit në kriteret e përmbajtjes së tekstit brenda tërësisë artistike. Duke i dhënë atributet e shtresëzimit të këtyre rrjedhave kohore e letrare, si ruajtje dhe doktrinë e vlerësimit estetik në këto studime, siç shkruan në veprën e tij edhe Rolan Bartꓽ ”Vërtet, kritika është lexim i thellë (apo edhe më mirëꓽ i profilizuar), në veprën ajo zbulon njëfarë inteligjibilitetit, dhe në këtë pikë, është e vërtetë, ajo deshifron dhe merr pjesë në një interpretim”.
Në këto studime të thella për letërsinë arbëreshe, autori i tyre ka ngritur fjalën në metodologjinë e vështrimit kritik përmes elementeve kërkimtare, që arrijnë në zbardhjen e muzës poetike si tejkalim i të kaluarës, ku interpretimi, sidomos në kohën e sistemit komunist është bërë në baza ideologjike. Në këtë brendi vijnë edhe vështrimet kritike të Anton Nikë Berishës, në këtë vëllim për letërsinë arbëreshe të Italisë.
Në këto studime dhe interpretime të thukëta autori ka zgjeruar e rishqyrtuar gjithnjë figuracionin brenda tekstit, si mesazh dhe tejdukshmëri që ka faktorizuar të ardhmen e letërsisë e të komunikimit poetik në botën shqiptare. Veprat e shkrimtarëve arbëresh, në kompleksitetin e tyre artistik kanë forcuar premisat e zhvillimit të artit letrar në përmasat e letërsisë evropiane.
Në shqyrtimin dhe interpretimin e këtyre, po dhe të veprave të tjera, Anton Nikë Berisha ka krijuar personalitetin i tij në vakacion të afirmimit të vlerave letrare sa më të dalluara estetike. E gjithë kjo vjen, si rezultat i përvojës dhe përkushtimit studimor në tërë opusin krijues të tij.
Që nga shkrimet e para ai ka determinuar me kriteret shkencore lidhjet e gjata e të ruajtura në memorien e trashëguar nëpër brezni.
Këto hulumtime kanë përafruar në zbardhjen e vlerave të mirëfillta studimore për veprat e trajtuara, të cilat kanë ngritur arritshmërinë kërkimore në parashtrimet koherente në konsolidim, e në shkallën e vendosjes së kapaciteteve akademike, gjithnjë në kultivimin e nivelit të studimeve kritike, të barazpeshuara në frymën e studimeve krahasimtare, moderne evropiane.
Në këto kondita, ai ka krijuar rrjedhën e shkrimit kritik, si meditim dhe si objektivë të qëndrueshme për rolin e studiuesit të letërsisë dhe rolin e mendimit, sa më të ngritur në këtë fushë, e cila kërkon latimin e mendimit të thellë për të ndriçuar tekstin origjinal në përfaqësim të vlerës dhe mesazhit përtej kohëve.
_______________________
Ky vështrim letrar u lexua në edicionin e gjashtëmbëdhjetë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 22 nëntor 2025, ku u vlerësua kompleti 10 vëllimësh “STUDIME LETRARE të zgjedhura”, i prof. dr. Anton Nikë Berishks, organizuar nga Arsw Clubi “Beqir Musliu” dhe Biblioteka e Qytetit, “Fan S. Noli” e Gjilanit.
