
Shkruan: Dr. Bahtijar Kryeziu – Një bashkëvendës, intelektual e burrë i mirë na la (Fjalë pikëllimi për ndarjen nga jeta të Mr. Sc. Xhavit Kryeziut)
Sot, më datën, 13 prill 2025, në orën 6:34 minuta, në celularin tim erdhi një mesazh, e dita, se për të mirë jo! Shkurt, e dhimbshëm thuhej: “Kushëri, ka vdekur Xhaviti. Varrimi bëhet me ikindi, në Roganë”. Ishin fjalët e Ismetit, të vëllait të Xhavitit.

Një lajm i papritur dhe i hidhur, që më preku thellë në shpirt. Lajm i ndarjes nga kjo botë e kushëririt tim, bashkëvendësit tim të dashur e bashkëpunëtorit tim në punë dikur e në botim të disa shkrimeve e të dy monografive tona për Shkollën fillore “Metush Krasniqi”.
Shkruan: Dr. Bahtijar Kryeziu
Magjistër Xhaviti ishte një burrë i urtë, i qetë, fjalë pak e punë shumë. Nuk ndalej së punuari, deri në frymën e tij të fundit. Para pak ditësh patëm një bisedë celulari, por nuk e besoja se do të ishte edhe biseda e fundit me te.
Më përmalloi kur e pyeta: si je Xhavit? Ma ktheu: “Jo mirë Bahtijar, me karrocë nëpër dhomë”! Edhe një brengë e mërzi më e madhe m’u shtua, por ç’të bëja?! Punë as e tij, as e djalit të tij, Besimit, për të cilin kishte aq shumë fjalë miradije, si dhe as për vajzat e tij e për vëllain Ismetin, ashtu si edhe për përpjekjet e mjekëve që për një kohë të gjatë u munduan për Xhavitin. Kësaj radhe vdekja e zezë thirri emrin tënd Xhavit.
Nuk e kam të lehtë të shkruaj edhe aq shumë, pasi që mendja ime është mpirë nga kjo ndarje, dy herë më e dhimbshme, për shumë arsye, por po mbledhë forcë edhe për disa rreshta shkrimi nga më shumë që meriton magjistër Xhavit Kryeziu.
Xhaviti lindi në Roganë, më 24 prill 1943. Rrjedh nga një familje e varfër, por arsimdashëse. I ati i tij, Kadriu, edhe pse ishte bujk, autodidakt, u interesua shumë për shkollimin e fëmijëve të vet.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen (normalen) në Gjilan, në vitin 1965. Kushtet për shkollim i pati shumë të vështira, sepse përveçse varfërisë, vështirësi të mëdha pati edhe për shkak se më shumë se gjysmën e lëndëve i dëgjonte në gjuhën serbokroate.
Pas diplomimit, një vit shkollor punoi në Shkollën fillore “Metush Krasniqi” (atëherë “1 Maji”) të Roganës, kurse në vjeshtë të vitit 1966 u regjistrua në Shkollën e lartë pedagogjike “Xhevdet Doda” të Prizrenit, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, të cilat studime i mbaroi me sukses, më 1968. Gjatë studimeve në Prizren pak kohë punoi si arsimtar në paralelet e ndara të Shkollës Fillore Eksperimentale të Suharekës, në fshatin Peçan.

Në vitin shkollor 1968/’69 u kthye përsëri të punojë në shkollën e fshatit të lindjes. Gjatë viteve 1969/’70 e kreu edhe shërbimin ushtarak, ku me sukses e kishte mbaruar edhe shkollën për oficerë rezervë dhe pas mbajtjes edhe të praktikës mori gradën e nëntogerit. Në ndërkohë, pa e shkëputur marrëdhënien e punës në shkollën e fshatit të tij, ku punoi deri në vitin 1973, regjistroi studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe.
Pas diplomimit, në prill të vitit 1974, kaloi me punë në Gjimnazin “Ismail Qemali” (atëherë “9 Maji”) të Kamenicës, ku punoi afro 5 vjet.
Më 1978, nga Kuvendi i komunës së Kamenicës, u emërua kryeshef i Drejtoratit të Mbrojtjes Popullore, të cilën detyrë e ushtroi për 8 vjet me radhë.
Gjatë ushtrimit të këtij funksioni, më 1979, i regjistroi edhe studimet pasuniversitare në Fakultetin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe të Vetëmbrojtjes Shoqërore në Beograd, ku dhe magjistroi, më 1990, në temën “Rëndësia dhe vendi i komunës në përgatitjen dhe kryerjen e mobilizimit të subjekteve të mbrojtjes së përgjithshme popullore”.
Më 1981 u zgjodh ligjërues (bashkëpunëtor i jashtëm) për lëndën e MPP-së dhe VSH-së në Fakultetin Teknik të Prishtinës, të cilën lëndë e ligjëroi për disa vjet.
Më 1986 u emërua komandant i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale për komunën e Kamenicës, por më 1988, ashtu si edhe shumë punëtorë të tjerë shqiptarë që punonin në organet e mbrojtjes e të shtabeve komunale e (atëherë) krahinore, me dekret të komandantit të Mbrojtjes Territoriale të Kosovës, u largua nga puna, vetëm pse edhe ky ishte shqiptar.
Një vit mbeti pa punë, ndërkaq në shtator të vitit 1989 filloi të punojë në Gjimnazin “Ismail Qemali” të Kamenicës, ku me nxënësit e tij mori pjesë me sukses në shumë aktivitete të lira.
Për zotimet në punë dhe sukseset e arritura është shpërblyer disa herë me mirënjohje me shkrim nga gjimnazi, Kuvendi i komunës së Kamenicës dhe Fakulteti i Makinerisë në Prishtinë.
Mr. sc. Xhavit Kryeziu krahas detyrave dhe punëve të rregullta që kishte, është marrë edhe me publikime nga fusha e gjuhësisë, e mbrojtjes, e historisë dhe e arsimit (mbi 20 punime), si te “Rilindja”, “Shkëndija”, “Në flakën e revolucionit”, etj.
I. Në fushën e gjuhësisë:
1. Lektirë, lektyrë apo lekturë, “Shkëndija”, Prishtinë, 15.4.1976.
1. Homoformat në sistemin tonë foljor, “Rilindja”, Prishtinë, 16.10.1976.
2. Për një përdorim të drejtë të emërtimeve të shkurtuara, “Shkëndija”, Prishtinë, 15.4.1977.
3. Për harmonizimin e gjuhës së teksteve me normën drejtshkrimore, “Rilindja”, 19.11.1977.
4. Sjellë e jo sjellur, “Rilindja”, Prishtinë, 7.1.1978.
II. Në fushë e historisl, në 2 monografi):
1. Monografi të shkurtëra për: Ramiz Demirin dhe Isa Imerin, “Flaka e revolucionit”, libri IX, Prishtinë, 1981.
2. Monografi për: Januz Buzokun, Maksut Agajn, Rrahim Dulajn dhe Salih Kallabën, “Flaka e revolucionit”, libri X, Prishtinë, 1983.
III. Në fushën e mbrojtjes:
1. Kontribut i zhvillimit të të drejtave të mbrojtjes popullore, “Rilindja”, Prishtinë, 17.12.1980.
2. Ndihmesa për shoqërorizimin e punëve mobilizuese, “Komunisti”, Prishtinë, 22.1.1988.
3. Rregullimi vetëqeverisës i MP dhe VSH, “Komunisti”, Prishtinë, 19.2.1988.
IV. Sakaq, si autor e bashkautor, mr. Xhaviti ka botuar edhe këta libra:
1. Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës I, 1945 – 2000, me bashkautor, botuar më 2001.
2. Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës II, 2000 – 2005, me bashkautor, Gjilan, 2006
3. Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) I, Gjilan, 2006.
4. Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) II, Gjilan, 2007.
5. Gjimnazi ”Ismail Qemali” i Kamenicës (1964- 2007), (monografi) Gjilan, 2009.
6. Peizazhet e fjalës, Prizren, 2011.
Mr. sc. Xhavit Kryeziu, si njeri me shumë vlera, i cili la pas brezave gjurmë të një personaliteti shembullor dhe i punës, u bë objekt i shumë shkrimeve e përshkrimeve.
Për veprimtarinë e Tij krijuese, kanë publikuar shkrimet e tyre: Dr. Jusuf Vatovci, Dr. Faik Shkodra, Dr. Bahtijar Kryeziu, Dr. Zeqir Demi, poeti e kritiku letrar Nexhat Rexha, poeti e krijuesi i palodhur, Rrustem Geci, poeti Shaban Cakolli, veterani i arsimit Bejtullah Muja, etj.
Për Xhavit Kryeziun mund të thuhet, pa ngurrim, se është njeriu tipik që mund të thuhet se ka shumë jetë brenda një jete.
Për mua, si bashkëvendës, koleg, po mbi të gjitha, si njeri, largimi i tij më pikëlloi tepër në këtë ditë pranvere, por megjithatë, ai do të jetë gjithmonë në kujtimet dhe vlerësimet që i takojnë e mungesën e tij do ta ndjejmë të gjithë për shumë kohë.
Dhe në fund, ngushëllimet më të ndjera familjes së tij: bashkëshortes, djalit – mr. sc. Besimit, 4 vajzave dhe nipave e mbesave që la pas, vëllait Ismetit me familje, si dhe farefisit, shokëve e miqve të shumtë që kishte!
Të qoftë i lehtë dheu i Roganës, Xhavit, të cilën aq shumë e deshe, sa që edhe pushimin e gjithmonshëm e deshe këtu.
Lamtumirë i dashuri Xhavit!
Ti flejë i qetë në amshim, se edhe ne, kolegët Tuaj, po kotemi!
Lavdi paç për jetë e mot!
Roganë, 13 prill 2025
