
Shkruan: Bekim Hamëz Jashari: “Shaban Jashari, babai i Adem Jasharit, ishte mësuesi i parë i Drenicës, ra dëshmor më 7 Mars”
Shaban Jashari, babai i Adem Jasharit, ishte mësuesi i parë i Drenicës, ra dëshmor më 7 Mars

Shkruan: Bekim Hamëz Jashari
Nuk kishte dhuratë më të madhe për babën Shaban për Ditën e Mësuesit se sa rënia heroike për Kosovën më 7 mars 1998.

Festen e fundit të 7 Marsit, mësuesi i parë i Drenicës e priti ndryshe, krejt ndryshe nga vitet e tjera. Më 7 mars 1998, në vend të aromës së luleve që nipat dhe mbesat ia sillnin çdo vit, kullat e tij ishin mbushur me erën e barutit, me erën e lirisë që kishte nisur të vinte.
Lulet që dikur i merrte si dhuratë, këtë herë u ujitën me gjakun e njomë të nipave e mbesave të tij derisa u shkatërruan të gjitha, si gjithçka në shtëpi, por jo edhe motra Besarta, e cila shpëtoi mrekullisht nga Zoti për t’i treguar botës çka ndodhi ato ditë në familjen tonë.
Gjithçka që u shkatërrua atë pranverë të marsit heroik, nisi të ringjallej menjëherë.
U ringjall bashkimi për liri, u ndez edhe më fuqishëm lufta çlirimtare.
Dhe shtëpia nisi të mbushej përsëri, duke bartur jo vetëm emrat e të rënëve, por edhe amanetin e tyre.
Urime, baba Shaban, Dita e Mësuesit!
Ti që na mësove idealin për atdhe, ti që na ndriçove rrugën tonë drejt lirisë!
Të dashur mësimdhënës, urime 7 Marsi – Dita e Mësuesit!
Ashtu siç ndriçoni rrugën e fëmijëve dhe të rinjve tanë, ashtu qoftë e ndriçuar përgjithmonë edhe jeta juaj!
