Shkruan: Agron Gërguri – Teatri, druri dhe e vërteta, shfaqja “Daja Vanja” e Çehovit, produksion i Teatrit Shqiptar të Shkupit
Teatri Shqiptar, Shkup – Shfaqja “Daja Vanja” e Çehovit, regjisor: Vlado Milçin.
Në njërën anë druri i njomë, në tjetrën druri i thatë. Ata sikur notojnë mirë në basenin e monotonisë njerëzore, ku diagrami është linear pa dinamikë e dëshirë për të ndryshuar dhe drunjtë bëhen subjekt, sepse atyre u thuhen problemet brenda një ambienti ku as gruaja nuk arrin dot ta njomë dëshirën për të gjallëruar jetën.
Dinamika e jetës ka ikur nga çifligu dhe tashmë gjithçka është vonë që të thyhet monotonia, përveç të jetohet brenda saj përsëritshëm. Kështu afërsisht mund të përshkruhet ambienti i shfaqjes “Daja Vanja“ e Teatrit Shqiptar të Shkupit me tekst të Çehovit në regji të Vlado Milçin.
Analizë nga Agron Gërguri, dramaturg
Subjekti i shfaqjes
Dhëndri i dajë Vanjës, Srebrenjakovi, profesor në pension bashkë me gruan e dytë Jelenën dhe vjehrrën e gruas së parë Maria Vesilevnën, vizitojnë çifligun e tij ku jeton Vanja. Jelena i kujton Vanjës rininë. Tashmë ai e do Jelenën si hakmarrje ndaj dhëndrit tek i cili ka investuar shumë shpresë, duke menduar se dashuria është një tundim që mundëson fillim të ri dhe bëhet rrugëdalje nga letargjia e cila e karakterizon atë dhe ambientin ku ai jeton, Jelena i vjen si infuzion motivues për të bërë diçka tjetër në jetë, për të dalë nga rëndomësia, e cila ia ka prerë krahët e jetës në moshën 47-vjeçare. Por jo.
Jo vetëm Vanja, por thuajse të gjitha personazhet jetojnë kohë psikologjike ku gjithçka matet me qetësi e heshtje. Pas provës së dështuar për të kapur dimensione të tjera të jetës nxitur nga gruaja e re Jelena, Vanja e gjen shpëtimin kur ata ikin prapë dhe ky i kthehet rëndomësisë monotone në të cilën është zhytur thellë dhe aty ndihet mirë.
Aty ku ka rënë muzgu i jetës, pija është më e afërt se puthja. Diskursi i jetës zhvillohet në relacionin: atë që e do nuk mund ta kesh ndërsa ajo që të do, nuk e ndjen. Pingpongu i fatkeqësisë i prek të gjithë në një vend ku zhurmë e britmë bën vetëm i shurdhri (Abedin Alemi), zëri i të cilit e thyen monotoninë.
Vendosja e krahasueshme që bën regjisori në raportin druri – gruaja është e qëllimshme, sepse shkrihen koha në veprim dhe veprimi në kohë. Veprimet foljore në kërkim të dashurisë kanë një kahe tjetër, ndërsa marrëdhënia e pretenduar dashurore rrjedh në kahe tjetër apo krejt ndryshe.
Ivan Petroviç-Vanja (Refet Abazi) mbetet me buqetë lulesh në dorë kur e zë doktor Astrovin në përqafim me Jelenën e cila nuk e bën ndryshimin. Trekëndëshi Vanja – Jelena – Astrov nuk është dramatik për shkakun se aty nuk ka pasion. Ata në dukje mundohen të ngjallin dashnorin te vetja, por në fakt vetëm e imitojnë atë, derisa gruaja mbetet në mungesë të plotësimit të nevojave dashurore si një pemë që thahet e ata jetojnë ditët ashtu siç u vijnë. Kur vijnë lulet dashuria ka ikur tjetërkund.
Shfaqja në funksion të agjendës 21?
Edhe nëse nuk është agjenda e 21, gjithsesi në shfaqje të bëjnë përshtypje dy drurë të vendosur në ballë të skenës sikur Becketti e Çehovi bëjnë dialog diabolik, “flasin” me shqetësim se jeta po e humb gjelbërimin dhe po zverdhet. Madje edhe dialogët e personazheve me drunjtë ishin si një kërkimfalje për keqkujdesin e treguar ndaj tyre, duke e shndërruar drurin në personifikim kjo pastaj shkon deri tek angazhimi i autorit të shfaqjes për agjendën 21.
Konvertimi në kohë vjen në fund të shfaqjes kur Vanja e merr kalkulatorin, i kthyer në botën e vet të asgjësë dhe duket se këtu njëjtësohen Becketti dhe Çehovi.
Operimi regjisorial i Milçinit në zbërthimin e dialogëve me veprime (nisu e mos shko) tejet domethënëse thyente rëndomësinë e bisedës skenike duke e bërë atë më estetike dhe vepruese.
Ndërsa në disa skena ku kishte gjetje fleksibile në veprimet fizike, ndoshta regjisori është dashur t’i fusë gërshërët në tekst.
Edhe pse me skenografi e cila ishte funksionale jepen punkte të shumta veprimi, mungonte njëkohshmëria e veprimit në dy apo tri punkte që do ta kompletonte fotografinë në çifligun ku ndodh ngjarja përkatësisht vorbulla psikologjike ku zienin karakteret por secili mbetet te vetja.
Fundi ishte spektakolar.
Jeta zhytet në monotoninë e saj. Shtëpia lëviz lart nga mungesa e oksigjenit. Dallohen drunjtë e tharë dhe tymi në sfond. Fotografi madhështore si vërejtje për (mos)kujdesin ndaj natyrës si një refleksion i deformiteteve të natyrës njerëzore. Lidhja e njeriut me natyrën mbase e ruan njeriun nga zvetënimi dhe humbja e rrugës në kohë. Krejt këtë e ambienton në karakter muzika e Arta Abazit.
Kush janë personazhet e Çehovit dhe si i ka latuar regjisori?
Jeta në kohë e gjendje psikologjike është pa veprim, mbushur me meditime, sentiment e letargji që i bënë jetëzhgënjyer personazhet e Çehovit. Lëvizja e tyre brenda hapësirës psikologjike për të nxjerrë karakteret, zbërthehet duke nxjerr tensionin e brendshëm në sipërfaqe, përmes mizanskenës së përmbajtëshme dhe të punuar estetikisht nga regjisori Milçin.
Pyetja që më imponohej ishte se kujt dhe për çka kjo shfaqje në këtë kohë. Miku im Shemsi Doda pas shfaqjes po më fliste për agjendën 21 që ka të bëjë me mbrojtjen e drurëve dhe biodiversitetin. Mbase ne jemi paragjendje e asaj në të cilën është zhytur Çehovi për ta nxjerrë arsyen e zvetënimit të njeriut në raport me veten. Kur i ke bërë të gjitha, por ke harruar të jetosh.
Konvertimi i fjalëpërfjalshëm mbetet i parëndësishëm për regjisorin Milçin. Vanja duket se ka akumuluar shumëçka te vetja si bombë e kurdisur së brendshmi ndërsa ai lufton për të dalë nga monotonia e jetës së reduktuar në çaj nga samoveri, drekë dhe darkë.
Personazhet dhe aktorët
Muzbajdin Qamili interpretonte intelektualin pezhorativ, i cili flet gjërat që të mençurit i dinë e budallenjtë nuk i kuptojnë. Bën vrima në ujë dhe assesi të prekë thellësitë e pretenduara. Statura dhe veprimet e Muçit e nxjerrin bukur karakterin e intelektualitetit të rrejshëm si pjesë e sëmurë e shoqërisë. Muçi kishte realizuar bukur thyerjet e karakterit të profesorit i cili ka humbur sensin praktik të jetës.
Sabina Memishi Asllanaj në rolin e Sonjës jep një kreacion plot jetë dhe optimizëm dhe në njëfarë mënyre ajo mishërohet me shpresën për një tjetër mënyrë jetese.
Amernis Nokshiqi në rolin e Jelenës shpërfaq gjithë karakteristikat e gruas midis dëshirës për një jetë ndryshe dhe vuajtjes për jetën që bën. Gracioziteti, bukuria dhe lëvizjet e shquajnë çdo partiturë skenike të saj.
Astrovi i Bujar Ahmetit është dinamik, duket kërkues, por sikur topitet para dilemës se cilën ta zgjedhë. Zgjedh atë që e josh me trup. Aktrimi i Bujarit plot energji, lëvizje e thyerje brenda batutës që tregojnë dhe fshehin, më kujton doktorin e “Zonjës Bovari”.
Gjyshja e Teuta Ajdinit mbante një atmosferë tensionuese, duke qenë aktive edhe kur nuk flet.
Telegini u interpretua me përkushtim nga Mentor Kurti.
Abedin Alimi luan një rol dytësor por që secilën skenë paraqitja e tij e zhurmshme bëhet aksent në shfaqje.
Ndërsa Dadoja e Ajeta Rexhepoviqit është aq e ambientuar sa të duket se ka ardhur nga koha e Çehovit.
Vanja i Refet Abazit
Interpretimi i Refet Abazit meriton një përmendje mirënjohëse për mënyrën se si e sjell dajë Vanjën në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup.
Përmbajtja e ngjyrimeve të timbrit zërit që lëvizin në harmoni e disharmoni funksionale me veprimet fizike e foljore të cilat i menaxhon për mrekulli në funksion të tipizimit të personazhit. Timbri, diksioni, mimika, intonimi i veprimeve përthyhen nëpër vijat e karakterit.
Mbase reagimeve që ziejnë brenda personazhit të Vanjës së Çehovit u është dhënë gjak ballkanas për të mos thënë shqiptar në interpretim të Refetit i cili e plotëson çdo metagjendje inerte të xha Vanjës me veprime që nxjerrin brendësinë të ambalazhuar me topitje.
Ai është vullkan i shuar në planin total, ndërsa në atë minimal llavë vullkanike që shprehet me sy, gishtërinj, kërrusje, gjunjëzim, ecje dhe ligjërim, duke krijuar kështu estetiken e interpretimit në funksion të zbërthimit të karakterit.
Sidomos janë të aksentuara bukur monologët e tij kur i referohet drurit në përpjekje për të ruajtur freskinë e shpirtit dhe për të kapur motivin e jetës nga gjethet e gjelbra që po veniten. Nganjëherë dukej se ekzagjeronte me zhonglim aktoresk, por edhe atëherë sikur donte të sfidonte vetë personazhin e Vanjës, duke tentuar ta nxjerrë atë në jetë, për ta ushqyer me dashurinë e venitur.
Refeti e bën një Vanja origjinal në korrelacion artistik me shprehjen regjisoriale, duke funksionalizuar çdo veprim deri te përjetimi i spektatorit
Teatri, druri dhe e vërteta
Mbase agjenda 21 apo beteja për drurin si një betejë për jetën edhe mund të jenë referencë vetëdijesuese për biodiversitetin e natyrës, sepse në fillim edhe para fjalës ishte druri, pema pastaj vijnë mëkati, gabimi, falja. Dhe shfaqja si në teatrin e padukshëm shkakton reagim ndaj gjendjes, së cilës sa vjen e po i del tymi. Derisa njeriu po ftohet me jetën si personazhet e Çehovit, ngrohja globale po rritet.
Nisur nga kjo dhe ky interferim nëntekstual i asaj që na thotë shfaqja e Milçinit del se Çehovi na dëfton se kur ka mungesë gjelbërimi jeta topitet, mungon iniciativa, personazhet janë inerte, atmosfera është monotone sepse oksigjeni i jetës është në varshmëri prej drurit përkatësisht kujdesit apo moskujdesit ndaj tij. Derisa në Teatër po dëftohej deri ku ka mbërritur amullia e jetës, jashtë Teatrit mbretëronte gjendje elektorale, premtime, akuza, keqpërdorim fjalësh, fyerje, flirte, zgjedhje pa zgjidhje.
Meqë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë afër me plot divergjenca papajtueshmëri e cila votuesit i do si tufë simpatizantësh, mbase mesazhi i shfaqjes se kë duhet votuar del se “është”: votoni ata që mbjellin drurë dhe që ndërtojnë teatro sepse aty janë shëndeti dhe prova e të vërtetës jetësore. Druri dhe teatri apo dërrasat që jetë u thonë, janë rruga nga i bie e vërteta.
Produksioni i shfaqjes
Skenograf: Bedi Ibrahimi. Kostumografe: Marija Pupuçevska. Njëherësh do të jetë dhe angazhimi i parë i Arta Abazit si kompozitore në një shfaqje. Në role: Muzbajdin Qamili, Amernis Nokshiqi, Sabina Memishi Asllanaj, Teuta Ajdini-Jegeni, Refet Abazi, Bujar Ahmeti, Mentor Kurti, Ajeta Rexhepoviq, Abedin