SHBA dhe Irani bien dakord për armëpushim dyjavor, ngushtica e Hormuzit pritet të hapet
Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dyjavor të martën në mbrëmje, pas një ndërhyrjeje diplomatike të minutës së fundit të udhëhequr nga Pakistani, duke anuluar një ultimatum të Donald Trumpit që Irani të dorëzohej ose të përballej me shkatërrim të gjerë – shkruan The Guardina, raporton TV Gjilani.
Njoftimi i Trumpit për marrëveshjen erdhi më pak se dy orë para afatit që ai vetë kishte vendosur – ora 20:00 sipas kohës lindore – për të bombarduar centralet energjetike dhe urat në Iran, një veprim për të cilin juristë dhe zyrtarë nga shumë vende, si dhe Papa, kishin paralajmëruar se mund të përbënte krim lufte.
Vetëm disa orë më herët, Trump kishte shkruar në rrjetin social Truth Social:
“Një civilizim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer më kurrë. Nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë.”
Mediat raportuan se bombarduesit B-52 ishin nisur drejt Iranit para se të shpallej armëpushimi.
Megjithatë, në mbrëmje, Trump njoftoi se marrëveshja ishte ndërmjetësuar nga Pakistani, kryeministri i të cilit shtet, Shehbaz Sharif, kishte kërkuar një paqe dyjavore për të “lejuar diplomacinë të ndjekë rrugën e saj”.
Trump deklaroi se, “me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë hapjen e plotë, të menjëhershme dhe të sigurt të ngushticës së Hormuzit, unë bie dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore”.
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe SHBA dhe Irani mund të negociojnë mbi një propozim prej 10 pikash të paraqitur nga Teherani, që mund të çojë në finalizimin e një armëpushimi të qëndrueshëm.
“Ky do të jetë një armëpushim i dyanshëm,” shkroi Trump, duke shtuar se objektivat ushtarake tashmë janë arritur dhe se ka përparim drejt një marrëveshjeje për paqe afatgjatë në Lindjen e Mesme.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, konfirmoi marrëveshjen, duke theksuar se për dy javë do të garantohet kalim i sigurt nëpër ngushticën e Hormuzit në koordinim me forcat e armatosura iraniane.
Ky ndryshim i papritur i situatës i jep mundësi Trumpit të tërhiqet nga një konflikt pesëjavor, ndërsa Irani nuk kishte treguar shenja dorëzimi apo heqjeje dorë nga kontrolli i ngushticës së Hormuzit – një rrugë kyçe për rreth një të pestën e furnizimit global me energji.
Sipas raportimeve, edhe Izraeli pritet të pajtohet me armëpushimin, i cili do të hyjë në fuqi sapo të hiqet bllokada në ngushticë.
Më herët, Trump kishte refuzuar planin prej 10 pikash si “të pamjaftueshëm”, por kishte lënë të kuptohej se orët në vijim do të ishin vendimtare për historinë botërore, nëse nuk do të ndodhte një zhvillim pozitiv.
Përfaqësuesi i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, i cilësoi kërcënimet e Trumpit si “nxitje për krime lufte dhe potencialisht gjenocid”, duke paralajmëruar se Irani do të ushtrojë të drejtën e vet për vetëmbrojtje.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, rikujtoi se sulmet ndaj infrastrukturës civile janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar, ndërsa Trump deklaroi se nuk ishte aspak i shqetësuar për akuzat e mundshme për krime lufte.
Në orët para afatit, Izraeli kreu sulme ndaj infrastrukturës iraniane, duke goditur ura dhe objekte energjetike në disa qytete. Nga ana tjetër, SHBA goditi dhjetëra objektiva ushtarake në ishullin Kharg, ndërsa Irani pretendoi se kishte sulmuar një kompleks petrokimik në Arabinë Saudite si kundërpërgjigje.
