
Rikthehet sërish Superliga e Kosovës – sot do të luhen dy ndeshje
Albi Mall Superliga e Kosovës po rikthehet sërish në aksion pas pushimit ndërkombëtar, ku sot (e shtunë) sipas programit do të zhvillohen dy ndeshje.

Do të luhet në Lipjan atje ku Prishtina e Re do të jetë nikoqire e Gjilanit, teksa në takimin tjetër në Gjilan, Drita do të mirëpresë Malishevën.
Sa i përket duelit të parë, Prishtina e Re synon këndelljen në këtë sfidë, pasi në pesë ndeshjet e fundit nuk ka marrë asnjë fitore (katër humbje dhe një barazim).
Në një situatë aspak të mirë është edhe Gjilani të cilët në pesë ndeshjet e fundit kanë vetëm një fitore dhe katër të tjera i kanë humbur, përfshirë derbin me Dritën.
Në takimin tjetër, kampioni në fuqi Drita do të synojë vazhdën e rezultateve pozitive pas dy fitoreve radhazi ndaj Dukagjinit dhe Gjilanit.
Malisheva në anën tjetër po ashtu synon ta lë pas krahëve humbjen në xhiron e fundit ndaj Llapit dhe të rikthehet tek fitore.
Të dyja këto takime është paraparë që të nisin me fillim nga ora 13:00.
