Rezultatet e konstatuara të Garës së Gjëzasajuesve të Kosovës në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2026”
Procesi i vlerësimit dhe analizimit të punimeve enigmatike të arritura në redaksi; rezultatet zyrtare shpallen më 31 janar 2026 në takimin e enigmatëve në Gjilan, ku do të mbahet edhe një tryezë diskutimi për enigmatikën shqiptare ndër vite e dekada.
Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2026”, në Gjilan po zhvillohen aktivitete të veçanta në fushën e enigmatikës, të organizuara nga Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda”. Në këtë kontekst është realizuar edhe Gara e Gjëzasajuesve të Kosovës, e zhvilluar me korrespondencë.
Paraprakisht, Shoqata ka mbajtur një takim dhe tryezë diskutimi organizative, në të cilën janë përcaktuar kriteret e vlerësimit, format e garimit, si dhe afatet për dorëzimin e punimeve në redaksi. Nga ky proces kanë rrjedhur zhvillimet konkurruese dhe vlerësuese, që kanë kulmuar me konstatuarjen e rezultateve të mëposhtme.


Juria vlerësuese e Garës së Gjëzasajuesve të Kosovës, pas pranimit të punimeve që kanë arritur në redaksi, ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e plotë të tyre. Vlerësimi është realizuar në mënyrë të pavarur dhe profesionale, duke u mbështetur në kriteret e përcaktuara paraprakisht. Pas procesit të kontrollimit dhe poentimit të punimeve, juria ka konstatuar këto rezultate.
Detyrat e konkursit
Në konkursin me korrespondencë, gjëzasajuesit kishin për detyrë:
- të sajojnë një fjalëkryq me dimensione 9 × 13, me fjalën Horizonti;
- të vendosin në mënyrë adekuate katrorët e zinj në diagramë;
- si dhe të sajojnë një anagramë nga sintagma
“Revista për enigmatikë Horizonti” (29 shkronja).
KRITERET E VLERËSIMIT
Vlerësimi i gjëzave u bë në bazë të këtyre kritereve:
- Numri i togjeve të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve
- Gjatësia mesatare e fjalëve (4.3)
- Përdorimi sa më i pakët i fjalëve të panjohura
- Përshkrimi dhe burimi vetëm i fjalëve të panjohura
- Përshtypja e përgjithshme dhe sonoriteti (tingëllimi) i fjalëve
- Respektimi strikt i rregullave gjuhësore
(Ali Dhrimo, R. Memishaj, Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe, Tiranë, 2015) - Numri i shkronjave “të vështira” (XH, ZH, RR, TH, NJ)
PJESËMARRJA
Në garë kanë konkurruar 16 gjëzasajues.
Tre prej tyre nuk kanë plotësuar kriteret e garimit, për shkak të gabimeve drejtshkrimore.
RENDITJA E KONSTATUAR – FJALËKRYQET
Pas kontrollimit dhe poentimit të gjëzave të sajuara, u arrit kjo renditje:
- Skender Tullumi – 50.8 pikë
- Xhelal Abrashi – 49.8 pikë
- Mensur Mamuti – 46.8 pikë
- Muhamet Halili – 46.8 pikë
ANAGRAMAT
- Mensur Mamuti – 28 pikë
- Rexhep Hasani – 26 pikë
- Ekrem Krasniqi – 25 pikë
Gjilan, 24.01.2026
Shënim:
Renditja e plotë dhe shpallja zyrtare e rezultateve do të bëhen publike të shtunën, 31 janar 2026, në ora 12:00, në lokalet e Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan. Me këtë rast do të mbahet Takimi i Enigmatëve, si dhe një tryezë diskutimi kushtuar enigmatikës shqiptare ndër vite e dekada, përfshirë edhe shënimin e 45-vjetorit të daljes së revistës së enigmatëve “Horizonti” (1981–2026), një prej botimeve më jetëgjata të këtij profili në hapësirën shqiptare. Po ashtu, do të hapet edhe një ekspozitë fotografike nga historiku 45-vjeçar i revistës Horizonti.
JURIA E GARAVE TË SAJIMIT TË GJËZAVE
- Zijadin V. Hasani – kryetar i jurisë
- Nexhat Hajrullahu – anëtar
- Enver Hajrullahu – anëtar

