Raportimet për stërvitjen e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën, reagon Hyseni: Provokim…
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar lidhur me zhvillimin e stërvitjeve ushtarake pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të territorit të kësaj komune.
Ai i ka cilësuar këto aktivitete si shqetësuese dhe provokuese për qytetarët, duke theksuar se prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktivitetet e tilla pranë zonave të banuara krijojnë ndjenjë pasigurie dhe tension të panevojshëm.
“Skena të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë, duke rritur ndjeshëm shqetësimin dhe pasigurinë,” ka theksuar Hyseni.
Kryetari i Gjilanit ka kërkuar nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin hapa konkretë për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Ai ka theksuar se qytetarët meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, e jo frikë dhe presion.
Në fund, Hyseni ka shtuar se Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve dhe të angazhohet fuqishëm për mbrojtjen e interesave të tyre.
