QS-ja thirrje studentëve: Hiqni dorë nga tendenca për manipulimet për shitje dhe blerje të vendeve
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP), u ka bërë thirrje studentëve që kanë siguruar vend në konvikte dhe mensë, që të heqin dorë nga tendenca dhe qëllimi për manipulime eventuale për shitje dhe blerje të vendeve në konvikte dhe kartelë të menses
Përmes një njoftimi, thuhet se Qendra e Studentëve ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie.
“Njoftohen të gjithë studentët, të cilët kanë siguruar vende në konvikte dhe mensën e studentëve, që të heqin dorë nga tendenca, qëllimi për manipulimet eventuale për shitje dhe blerje të vendeve në konvikte dhe kartela të menses. Qendra e Studentëve ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie.
Ka angazhuar zyrtarë të cilët janë duke e gjurmuar tendencën, por figurojnë profile të rreme. Andaj u bëjmë thirrje studentëve që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve të shfaqura në rrjetet sociale”, thuhet në njoftim.
Madje, kanë bërë të ditur se ndaj këtyre rasteve do të merren masa ndëshkuese konform rregullores së Qendrës së Studenteve.