QKK uron aktoren Luana Bajrami për suksesin në ceremoninë Oscars
Filmi i shkurtër “Two People Exchanging Saliva” vlerësohet me çmimin kryesor – shkruan TV Gjilani.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka reaguar pas suksesit të aktores shqiptare, Luana Bajrami, e cila është vlerësuar me çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në ceremoninë prestigjioze Academy Awards.
Në reagimin e saj publik, QKK ka theksuar se filmi i metrazhit të shkurtër “Two People Exchanging Saliva”, ku është e përfshirë aktorja Bajrami, është nderuar me këtë çmim të rëndësishëm, duke e konsideruar arritjen si një moment të veçantë për artin dhe filmin shqiptar.
Sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ky vlerësim dëshmon për talentin dhe potencialin që artistët shqiptarë po tregojnë në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, ndërsa njëkohësisht kontribuon në promovimin dhe afirmimin e kinematografisë shqiptare në arenën botërore.
Në fund të reagimit, QKK ka uruar aktoren Luana Bajrami dhe ekipin realizues të filmit për këtë sukses, duke theksuar se arritje të tilla përbëjnë një krenari për kulturën dhe filmin shqiptar.
