Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu, Shqipja në synorin e studiuesve të huaj
Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të IAP. (Konferenca shkencore “Albanologjia dje, sot dhe nesër). Pjesë nga kumtesa e plotë.
Prof. dr. Bahtijar Kryeziu
SHQIPJA NË SYNORIN E STUDIUESVE TË HUAJ
Gjuha shqipe, si njëra ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit, bashkë me simotrat e saj: armenishten dhe greqishten e vjetër, gjatë historisë nuk pati fatin dhe aq të mirë. E folur aq herët, por e shkruar aq vonë – në shekullin XV, ajo dhe problemet e saj mbetën në duart dhe në mëshirën e studiuesve të huaj, e natyrisht, në mungesë të intelektualëve dhe studiuesve tanë (të shkollës shqipe), edhe matej, sigurisht, me kutet e tyre. Jo gjithherë kjo dhunti jona studiohej e studiohet, vetëm për të mirën e saj, por, në radhë të parë, ishte interesi i atyre studiuesve të huaj, për gjuhët e popujve të tyre – për studimet krahasimtare të gjuhëve indoevropiane, ku bën pjesë edhe gjuha shqipe. Ndër ata dijetarë të huaj, që të parët ju rreken shqipes, pa dyshim se duhen përmendur: G. V. Lerbniz, F. Bopp, G. Majer, Gustav Vaigand, H. Pedersen, V. Cimohovski, F. Nopça, N. Jokël, H. Bariq, V. Pisani, K. Taliavini, A. Desnickaja, E. Hamp etj. Këtu nuk duhet lënë pa i zënë në gojë edhe studiuesit, si: Selishçev, J. Cvijiq, P.Skok, A. Urosheviq, M. Gërkoviq, J. Ristiq, I. Popoviq etj. (gjuhëtarë, historianë, demografë etj.), disa nga të cilët, me paragjykimet dhe detyrat që kishin marrë nga urdhërdhënësit e tyre, përpiqeshin e nxënësit e tyre përpiqen edhe sot, që përmes një “objektiviteti shkencor” të caktojnë, jo vetëm fatin e shqipes, si një dialekt ilir, pellazg, trakas ose edhe tjetër, por edhe për të treguar “shtëpinë tjetër” të shqiptarëve, të cilëve, në shekullin XX e në fillim të shekullit XXI, me objektivitetin më të madh shkencor, përgjigjen e duhur ua dhanë studiuesit tanë, me në ballë profesor Çabejn në Shqipëri e profesor Ajetin në Kosovë.
Po i qasemi kësaj teme, Shqipja në synorin e studiuesve të huaj, në këtë përvjetor të rëndësishëm, të 70-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik, organizuar në kuadër të “Javës së Albanologjisë”, i cili institucion shkencor, me gjithë trajektoren e lakuar jo rrallë gjatë historisë së tij, të sfidave më të ndryshme që e përcollën në çdo hap të veprimtarisë, ia doli mbanë, e besojmë se do t’ia dalë mbarë edhe në të ardhmen me këtë staf të ri e entuziast që ka sot dhe bashkëpunëtorët e jashtëm vullnetmirë që ka e do të ketë gjithmonë.
T’i kthehemi temës në fjalë me një pohim të profesor Shaban Demirajt se “shqipja, si një gjuhë e gjallë i.e., u ka qëndruar rrebesheve të kohës, me gjithë trysnitë e forta dhe të gjata të greqishtes, latinishtes, sllavishtes dhe turqishtes”. Problemet kryesore të trajtuara për një kohë të gjatë ishin:
1. Prejardhja e gjuhës shqipe (tezat e hipotezat rreth saj)
2. Vendi i shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane
3. Çështje dialektologjike, onomastike si dhe
4. Aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe etj.
Interesimi për shqipen dhe shqiptarët, në krye të herës erdhi nga studiuesit gjermanë, siç edhe dihet, të prirë nga filozofi, shkencëtari, matematikani, diplomati dhe juristi Gotfrid Vilhelm Lajbnici, i cili, përkitazi me prejardhjen e kësaj gjuhe dhe vendin e saj ndër gjuhët e tjera të familjes së gjuhëve indoeurpiane, dha ndihmesa të çmuara për kohën.
Hipoteza më e përhapur lidhur me burimin e gjuhës shqipe mbetet ajo e prejardhjes ilire të kësaj gjuhe, me përfaqësuesit kryesorë, si: Thunmann, i cili pohon se “fqinjët e stërmoçëm të grekëve të vjetër dhe nënshtetasit e Romës… më tregojnë ilirët e vjetër”; Leku e Xyklander se “baza e shqipes ka burimin te ilirishtja”; G. Hahn se shqiptarët janë “pasardhësit e banorëve të lashtë parasllavë të vendit”; Mikloshiq, i cili gjatë trajtimit të rumanishtes, shpreh mendimin se disa elementë të kësaj gjuhe, qenë të afërt për nga burimi me shqipen e sotme, “të cilën ne e konsiderojmë si vazhdimin e shqipes”; Mayer se “shqipja me fjalorin e saj dëshmon se bën pjesë në familjen e gjuhëve i. e., një “fazë e re e ilirishtes së moçme – ose më saktë e njërit prej dialekteve ilire”, të cilin mendim e tumir edhe Paul Kreçmeri, me ç’rast shton edhe këtë se “shqiptarët banojnë aty ku në kohë antike kanë banuar fise ilire”; pastaj H. Pederseni se “shqipja ka prejardhje nga ilirishtja”; ashtu siç mendon edhe filologu serb, M. Budimiri; gjuhëtari polak, indoeuropianisti e albanologu, V. Cimohovski, e jo nga trakishtja, një teori tjetër që mbiu nga mbarimi i shekullit XIX, siç mendonte psikologu e indoeuropianisti, H. Hirti, ose siç kanë menduar edhe disa dijetarë të tjerë, si: K. Pauli; filologu e orientalisti çek-austriak, V. Tomashek; gjuhëtari gjerman G.Weigandi; H. Bariqi (kundërshtar i rreptë i doktrinës së Mayerit në qasjet metodologjike, disa fjalë të të cilit kinse janë huazime latine, të cilat Bariqi i kthen te shqipja); psikologu e linguisti gjerman, H. Krahe, I.Popoviqi e ndonjë dijetarë tjetër.
Një fushë ku më tepër bie në sy interesimi i tyre, ishte ajo e dialektologjisë (me të cilën disa u morën në udhëtim e sipër, me vështrime të shkurtra për tiparet e të folmeve të caktuara), duke shprehur mendimet e tyre herë-herë jo dhe aq të qëndrueshme.
Kështu, bie fjala, në studimin e tij monografik “Istorijski razvitak gegijskog govora arbanasa kod Zadra” (Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë), Sarajevë, 1961, profesor Ajeti, nuk pajtohet me Hahnin se zanorja e rrokjes së theksuar në përgjithësi del e gjatë; se okluzivet palatale q, gj në mbarë të folmet e Kosovës (shih vepërzën Vehbije të Boshnjakut) janë rrafshuar në afrikatet paragjuhore ç, xh, siç kanë menduar edhe: Lamberci, Albanische Märchen, 103; Mladenov, Balkan-Archiv, I, 5; Jokli, Vuks albanesische Liedersammlung te Zbornik A. Beliq, faqe 40, 41; 103, 105; Tagljavini, Le pallate albanesi di tipo zhego orientale, f. 50-52 etj., të cilin mendim, në gjysmën e parë të shekullit XIX, duke u mbështetur në këngët popullore nga rrethi i Pejës, të mbledhura nga Vuk Karaxhiqi, e dëshmon edhe vetë Jokli, e të cilin problem Ajeti e vërteton edhe një herë te studimi i tij mbi gjuhën e Divanit të Sheh Maliqit, rahovecas.
Një studiuese e përkorë e gjysmës së dytë të shekullit XX, e cila shfaqi interesim të madh për gjuhën dhe letërsinë shqipe, ishte edhe profesoresha, studiuesja e themeluesja e Degës së Gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit (1957), A. Desnickaja (1912-1992), e cila si mision studimi të saj kishte: historinë e gjuhës shqipe, dialektet e saj, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, por edhe me gjuhët gjermanike. Vepra e saj “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj”, ETMM, Prishtinë, 1972, që merrej me të folmet shqipe të Shqipërisë, Kosovës, të arbëreshëve të Italisë, të tërthoreve të Greqisë e të Bullgarisë, e që krahas disa botimeve të dialektologëve tanë atëherë, ishte bërë literaturë themelore për ne si studentë të gjuhës shqipe. Në dallim prej shumë sllavistëve të tjerë, Agnija “i përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes”.
Se shqipja është një gjuhë e vjetër që bën pjesë në grupin e familjes së gjuhëve indorveropiane, nuk është më punë e atyre që e pranojnë këtë të vërtetë shkencore, por e atyre që kanë dilema rreth kësaj çështjeje. Faktet e një bashkë-kohësie dhe konkordancave të shqipes me gjuhët e tjera i.e., edhe pse shqipja paraqitet grup më vete ndër 23 grupet e kësaj familjeje të madhe, duken në gjithë nënsistemet e saj:
– Në leksik: numërorët:…, emrat:…; mbiemrat:…; përemrat:…; foljet:.. etj.
– Në fonetikë: kundërvënia, zanore të gjata – zanore të shkurtra; ndërrimet fonetike të tipit marr – mora; dal – dola etj.
– Në strukturën gramatikore: së pari: sistemi tri gjinish: mashkullore, femërore, asnjanëse etj.;
– së dyti, lakimi dhe zgjedhimi me anë mbaresash të posaçme;
– së treti, në sistemin foljor ku bien në sy dhe tipare të hershme indo¬evropiane, si supletivizmi: jam – qeshë; kam – pata; bie – prura; bie – rashë; jap – dhashë etj.
Megjithëse shqipja ka bashkëpërkime me gjuhë të tjera simotra, sidomos me gjuhët ballkanike, ajo si gjuhë indoevropiane ka ndjekur një rrugë të vetën të evoluimit, siç janë edhe këto dukuri gjuhësore: a) ngulitja e theksit mbi një rrokje të caktuar të temës së fjalës (e për¬jashtimet nga kjo rregull janë të pakta); b) nyjat e përparme i, e, të, së; c) mënyra habitore dhe format e pashtje-lluara me punue, pa punuar etj.; ç) organizimi i zgjedhimit jovetor me tri mjete gjuhësore: mbaresa të posaçme (hap-em; hapesha); pjesëza përemërore u (u hap-a; u hap-sh); me foljen ndihmëse jam (jam hapur etj.); d) prapa-vendosja e mbiemrave, e për-emrave pronorë etj.
Është thënë më se njëherë se gjuha shqipe, me simotrat e saj indoevropiane ka marrëdhënie arife, ndërsa me ilirishten ka lidhje “birërie”. Shqipj’a, është pra, pasardhëse e ilirishtes, megjithëse në literaturën gjuhë¬sore qarkullojnë edhe teza të tjera për origjinën e saj: teza e origjinës pellazge (e cila viteve të fundit është bërë mjaft aktuale), e origjinës trake, e origjinës dako-myze etj.
Edhe më me ngulmë se shumë autorë të huaj, birëria e shqipes nga ilirishtja, mbështetet fuqishëm nga dijetarët tanë, si: E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj, S. Riza, A. Kostallari, D. Lluka, K. Ashta, J. Thomai, Xh. Lloshi, K. Topalli, E. Lafe, Gj. Shkurtaj, S. Mansaku, A. Jashari, Ç. Bidollari etj., andej kufiri dhe I. Ajeti, S. Riza, R. Qosja, B. Bokshi, Sh. Sejdiu, R. Ushaku, R. Ismajli, S. Gashi, R. Doçi, Sh. Islamaj, Q. Murati, B. Baliu etj., e tash edhe studiuesit e rinj të IAP te ne.
Një ndër ato argumente të këtij mendimi, është padyshim, forma e toponimeve, që nga antikiteti e deri më sot, e shpjegueshme vetëm përmes ligjeve fonetike të historisë së gjuhës shqipe”(I. Ajeti), siç dihet për toponimet: Scupi – Shkupi; Naissus – Nish; Scardus – Sharr; Astibos – Shtip; Drinus – Dri-Drin; Mathis – Mat etj., mbështetur te alternimi s > sh, çështje kjo e trajtuar disa herë nga studiuesit tanë dhe të huaj, ashtu siç është shpjegimi edhe i emrave të vendeve me fjalë të shqipes së sotme, si: Dal¬matia, Delmatia (ga shqip dele); Dardania (nga dardhë); Ulqini (nga ulk, ujk); Dimale (nga dy (di) male) etj.
Studimet dhe prurjet e këtyre dijetarëve për shqipen, e kemi fjalën këtu, kryesisht për ata të huaj, nga cilado fushë qofshin, mbeten një ndihmesë e padiskutueshme, porse jo, natyrisht, edhe pa të meta të caktuara. Duke ndjekur parimet dhe metodat e gramatikanëve të rinj, ata rroknin kryesisht historinë e jashtme të shqipes, ndërsa studimit shkencor, historisë së brendshme të saj, i lihej një vend i ngushtë. Megjithëkëtë, pa ndihmesën e tyre të vyer, ndoshta do të ishim sot diku në gjysmën e rrugës që jemi – për të vërtetën e popullit tonë e të gjuhës sonë.
Për shkak të kohës e vendit këtu, shumë shembuj që përligjin fjalët tona, do të mund të lexohen, besojmë, me rastin e botimit të kësaj kumtese në një përmbledhje të veçantët, bashkë me ato të bashkëpjesëmarrësve të tjerë të paraqitura në këtë ngjarje të rëndësishme të IA të Prishtinës.
Faleminderit për durimin e treguar!
Prishtinë, 19-21 qershor 2023