Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu: Ndërdyshje gjyhësore
Në ligjërimin e përditshëm, të folur e të shkruar, nga njerëz strukturash të ndryshme, si për nga përgatitja e tyre profesionale, ashtu edhe për nga pozitat e detyrat në shoqëri, folës të emisioneve të radio-televizioneve tona, ose njerëz të lapsit – në shtypin tonë të përditshëm e atë periodik, gjithnjë e më tepër po përdorin (ndërdyshas) disa fjalë e shprehje të cilat semantikisht nuk qëndrojnë në gjuhën tonë të bukur. Shembujt e tillë janë të shumtë dhe kanë një shtrirje relativisht të gjatë në kohë dhe goxha të madhe në hapësirë, mbase edhe në mbarë shqiptarinë.
Të papranueshme për shqipen, kujtojmë ne, janë gabimet e paraqitura te togfjalëshat e poshtëshënuar, meqë përcaktori i përdorur pranë emrit është i panevojshëm (fjalë tallash), sepse vetë emri përmban kuptimin e duhur – edhe të përcaktorit:
1. Vogëlushi i vogël – si te fjalia: Ngjarja e dhembshme ndodhi pasi vogëlushi i vogël një natë më parë kishte parë në TV…(RTK), ku fjala i vogël është e tepërt, sepse vogëlushi është gjithnjë i vogël, jo i madh dhe si e tillë ajo fjalë nuk e ka vendin aty, është e panevojshme. Të ngjashëm e kemi edhe shembullin tjetër:
2. Ju përshëndes në emrin tim personal (në medie por edhe më shpesh tek ata që mbajnë fjalë rasti kur i paraqiten audiencës) – në vend se: Ju përshëndes në emrin tim, ngase emri i tij është emër vetëm i tij – personal.
3. Derisa në gjuhët sllave përdoren togfjalëshat që shprehin aspektin kohor: nedelju dana, mesec dana dhe godinu dana, në gjuhën shqipe duket fare i panevojshëm emri ditë – serb. “dana” (besojmë nën ndikimin e sllavishtes), për arsye se me shenjat gjuhësore: javë, muaj, vit, kuptojmë 7 ditët që ka java, 30 ditët e muajit dhe 365 ditët e vitit. Jo vetëm për një ekonomi gjuhësore e mendim të ngjeshur, por edhe për arsye të qartësisë e logjikës, nuk duhet përdorur emri ditë, por vetëm: kaq javë, kaq muaj, kaq vjet. Nëse dikush do të pyeste: përse në serbishte përdoret emri ditë “dana”, pas përcaktorit, përgjigja mund të jepet, mbështetur në faktin se në serbishte thuhet: nedelju dana, mesec dana, po edhe godinu dana, e që kjo nuk përkon me togfjalëshat në shqip. Ne përdorim (shpeshherë) pa farë arsye: një javë ditë, një muaj ditë, asnjëherë në gjuhën shqipe nuk lexojmë diku e as nuk dëgjojmë nga dikush të përdorë një vit ditë. Shikuar në këtë rrafsh nuk ka kurrfarë arsyeje që të diferencojmë javën dhe muajin nga viti, kur dihet se edhe java, edhe muaji, po edhe viti shënojnë një interval kohor, shënojnë ditët, që në shqipe vetiu fjala ditë del si një fjalë e tepërt që nuk duhet të përdoret te rastet e këtilla. Pra, shqip e drejt mund të thuhet: Kemi pushim një muaj, do të shkoj te vëllai (në Gjermani) e do të rri një javë. Jo një muaj ditë, jo një javë ditë.
4. Te portali i gazetës “Bota Sot”, 3 korrik 2023, kemi ndeshur këtë titull shkrimi: “Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut në Kosovë dhe Serbi për uljen e tensioneve”, ku kryefjala kryeministrat është përdorur në shumës, jo ndesh rregullave drejtshkri¬more morfo-sintaksore (kështu ndeshet edhe në gramatikat tona), por ne, megji¬thatë kujtojmë se më e pranueshme do të ishte sikur të ishte shkruar: “Kryeministri i Holandës dhe ai i Lukse¬m¬¬burgut…”, ngase një shtet ka një kryeministër e jo disa kryeministra. Përdorimi i kryefjalës në shumës, “Kryeministrat”…, nënkupton më shumë kryeministra të Holandës dhe të Luksemburgut.
5. Në një shkrim tjetër, te gazeta e njëjtë (18.8.2023), thuhet: “Vizita e Kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut u bë me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me rastin e ri-emërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi”, që për ne, paraqitur kështu, duke përcaktuar njërin kryetar të njërës komunë dhe me emër kryetarin i komunës tjetër, del të jete më drejt e thënë, sesa të thuhet: kryetarët e Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës…, ngjashëm me ndërtimin “Kryeministrat e Holandës dhe Luksem¬burgut…”.
6. Te një titull tjetër, po te portali (“Bota Sot”, 30 qershor 2023), kemi ndeshur edhe këtë ndërtim: “Nga skara e deri tek tharja e rrobave, këto janë rregullat e ballkonit në Gjermani”. Këtu, në vend të fjalës tharja, më drejt do të ishte sikur të ishte përdorur fjala terja. Gjithmonë në popull është thënë e thuhet: ishin terur rrobat; më janë terur flokët, duart…, që i kisha të lagëta etj. Fjala tharj/e,-a, përdoret në raste të tjera, si: ishte tha bari nga dielli i fortë; ishte tha pema pa e ujitur etj. Ç’ është e vërteta, te Fjalori i shqipes së sotme, “Toena”, Tiranë, 2002:1378, ndeshim nja 2 shembuj ku përdoret leksema thaj, -va, -rë, edhe për rrobat e tokën: i thau rrobat në diell; i thanë tokat, porse po në këtë Fjalor, fq. 1337, përmendet edhe emri “terinë,-a, f. sh.-a, -at, vend ku ndejnë rrobat”, d.m.th., ku teren rrobat.
Se këto leksema nuk janë sinonime të mirëfillta, dhe jo gjithherë e gjithkund mund të zëvendësojnë njëra tjetre, na ndihmon edhe shembulli tjetër që e ndeshim në popull, jo rrallë: Vjet ka qenë thatë i madh e assesi: Vjet ka qenë terje e madhe.
Fjalët terje – tharje, sado që na duken si sinonime, kanë, pra, edhe nuanca dallimi, ashtu sikurse fjalët: krye – kokë, udhë – rrugë etj., prandaj edhe duhen përdorur secila në vendin e duhur.
7. Po kështu, fjala esëll e përdorur nga një opinionist, te shembulli: “Është koha e fundit për esullim dhe ndërgjegjësim nacional! (“Bota Sot”, 4 dhjetor 2022), është përdorur figurativisht, si një shprehje e re – neologjizëm, por jo i qëndrueshëm, në vend të fjalëve: vetëdijesim, ndërgjegjësim… Formën e fjalës esullim nuk e njohin as fjalorët e gjuhës shqipe, as gramatikat tona, andaj as ne nuk kemi nevojë ta përdorim kur kemi përgjegjëse fjalësh (përkatëse) të cilat i shënuam më sipër.
8. Meteorologët, me rastin e parashikimit të motit me shi, shprehen kështu: sot (ose nesër) do të ketë mot me reshje shiu. Për borë thuhet dhe është thënë gjithmonë: do të ketë reshje bore. Edhe shiu, edhe bora, edhe vesa…, janë reshje atmosferike (dukuri natyrore), megjithatë kanë specifikat (dallimet) e tyre. Për borë thuhet me të drejtë po reshë borë, do të ketë reshje bore etj., por nuk na duket aq e logjikshme dhe e pranueshme të thuhet: do te ketë reshje shiu, në vend se të thuhet: do të bie shi, mot me riga shiu, vende-vende do të bie shi, vende-vende to ketë riga shiu etj.
Në popull kaherë ka ekzistuar një thënie: “Bora po reshë, miku po kesh”, por për shiun në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk kemi ndeshur ndonjë shembull kur thuhet: po reshë shi, ose do të ketë reshje shiu, siç e kemi hasur te shembulli: “Reshjet e shiut bëhen shkak për aksident në aksin Memaliaj-Mallakastër, plagosen disa persona” (Titull te gazeta “Panorama”, Tiranë, 12 gusht 2022), por dhe në përditshmërinë tonë, sa herë që bie shi.
9. Edhe shembulli “Ikën dritat”, ashtu si te shembulli “Reshjet e shiut …”, na duket togfjalësh i paqëndrueshëm e që sot po përdoret me të madhe, si në masmedie, ashtu edhe te popullata e gjerë, sidomos në Shqipëri. Dritat mund të fiken ose jo, të ndalet rryma (elektrike) ose jo, por jo “të ikin” dritat. Ikin gjallesat, ato që mund të lëvizin, të ikin, por jo edhe dukuritë, ose gjësendet e pashpirt.
10. Edhe ndajfolja patjetër, nuk na duket e drejtë të përdoret gjithherë ashtu. Fjalori i gjuhës shqipe e ka me këto shpjegime “1. Medoemos, në mënyrë të detyrueshme a të padiskutueshme; me çdo kusht. Do të vijë (do të shkojë, do të ndodhë) patjetër”, ngase edhe në këto raste veprimi mund të mos jetë i domosdoshëm, patjetër të kryhet. Ose kur dikush i thotë dikujt takohemi, ai ia kthen: – po, patjetër, pa pasur parasysh rrethanat e tjera. Kjo fjalë mund të paraqitet edhe “2. Si fjalë e ndërmjetme: pa asnjë dyshim, me siguri. Ju, patjetër, e keni marrë vesh. Ai ishte, patjetër, unë e pashë mire”, me ç’rast edhe këtu shpërfaqet një lloj ekskluziviteti (jo gjithmonë me vend), në vend të fjalëve: besoj, mbase, ndoshta, mund.
11. Edhe fjala flak/ë,-a, f. sh. –ë, -ët, që me rastin e ndezjes së një shtëpie, të një veture në rrugë, të një fabrike, të një mali etj., kjo fjalë po përdoret kryesisht në shumësin e shquar – flakët: e kapluan flakët shtëpinë, veturën, fabrikën, malin… Në raste të tilla ne kujtojmë se semantika e fjalisë nuk dëmtohet, në qoftë se fjala flakë përdoret në njëjës, në të folur ose në të shkruar, si te shembujt: e kaploi flaka shtëpinë, veturën, fabrikën, malin…, ose kur emri flakë,-a përdoret në rasën emërore, kurse emrat shtëpi, veturë, fabrikë, mal – në dhanore, si p.sh.: i doli flaka shtëpisë, veturës, fabrikës, malit etj.
Krahas përdorimit të fjalës flakë (në njëjës) përdoret edhe fjala tym (e jo tym,-ra, -rat), si te shembulli: tym e flakë, e që asnjëherë nuk e kemi ndeshur të thuhet a të shkruhet: shtëpinë e kapluan tymrat e as shtëpisë i dolën tymrat… Edhe fig. për një fëmijë, kur ka temperaturë të lartë, gjithmonë është thënë e thuhet edhe sot: i doli flaka, (më rrallë: i doli tymi) e jo i dolën flakët ose i dolën tymrat. Po edhe kur dikush ecë (shkon) shpejt përpjetë, thuhet: shkoi (u ngjit) flakë përpjetë etj. Edhe kur shprehim dhimbje – mërzi a nostalgji për diçka a dikë, themi: po më del flaka për djalin – vajzën; po më del flaka për vendlindjen, e jo po më dalin flakët për atë a për këtë.
12. Jo rrallë, sidomos në Shqipëri, kur takohen dy shokë/shoqe, njëri/a e pyet tjetrin/ën: si dukesh? (për të kuptuar si është, mirë apo jo bash mirë). Ai/ajo i përgjigjet: mirë jam; po mirë jam, ose nëse nuk është bash mirë ia kthen: po, mirë jam… Nuk e kemi hallin se si i përgjigjet shoku/shoqja atij/asaj që pyet, por e kemi fjalën te pyetja e atij/asaj kur i drejtohet dikujt: si dukesh? Është kjo një pyetje për ne jo aq e qëlluar dhe jo aq e logjikshme. Se si duket – duket, shihet, ngase dukja shpërfaqë pamjen e jashtme, të cilën e sheh fort mirë edhe ai që pyet. Në raste të tilla ne kujtojmë se më mirë e më drejt është, që ai/ajo që pyet – të pyesë: si je – si jeni?; qysh je – qysh jeni?; a jeni mirë?…, për të kuptuar gjendjen shëndetësore e shpirtërore të atij/asaj që i drejtohet pyetja.
Kësaj radhe nuk po pyesim e as nuk po përgjigjemi më tepër. Le të pyesin e le të përgjigjen edhe të tjerët. Fundja, gjuha nuk është pronë individi, që t’i dalë “sajp” vetëm një njeri ose një grup njerëzish, ngaqë “gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”, ka thënë me të drejtë filozofi e dijetari i madh gjerman Martin Hajdeger (Heidegger).
Parregullsitë si këto, padyshim se dëmtojnë, jo vetëm shprehësinë, por edhe qartësinë e saktësinë e mendimit, sidomos kur shfaqen në ligjëratat e komunikimin e njerëzve publikë (mësimdhënës, titullarë, politikanë, qeveritarë…) dhe kur i kultivojnë e i përhapin mjetet e komunikimit, përkatësisht masmediat.
Qershor 2024