Prishtina vendos derbin me një gol, Ferizaj bën hap të madh drejt mbijetesës
Prishtina ka shënuar fitore të rëndësishme në derbin e javës, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat minimal 1-0. Në një ndeshje të luftuar, por jo shumë dinamike për nga ritmi i lojës, skuadra nga kryeqyteti arriti të marrë maksimumin e pikëve falë një momenti vendimtar.
Heroi i takimit ishte Rin Ahmeti, i cili realizoi golin e vetëm të ndeshjes, duke i siguruar Prishtinës tri pikë me shumë vlerë në garën kampionale.
Në anën tjetër, Ferizaj ka arritur një fitore po aq të rëndësishme në përballjen ndaj Drenicës, duke triumfuar gjithashtu me rezultat 1-0. Ky sukses vjen në një moment kyç për skuadrën, e cila po lufton për të siguruar mbijetesën në ligë.
Takimi ishte përgjithësisht i baraspeshuar, por Ferizaj tregoi më shumë vendosmëri në momentet vendimtare, duke arritur të shfrytëzojë rastin që bëri diferencën dhe i dha tri pikë jetike.
